TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur sërish shqetësimin për rritjen e çmimit të naftës, i cili sot në disa pika karburanti arriti edhe çmimin 201 lekë për litër. Duke iu referuar edhe masave që ka marrë qeveria për monitorimin e tregut përmes një Task-Force, Brace thotë se kjo masë nuk është e mjaftueshme, por sipas tij duhet shembur modeli i tregut të naftës, duke theksuar se sistemi aktual favorizon tregtarët dhe jo qytetarët.

“Duhet shembur modeli i tregut të naftës! Duhet shembur! Për të larguar tej këtë modelin e kapitalizmit që kemi ku ai që fiton gjithmonë është tregtari, asnjëherë qytetari! Çmimi i naftës sot pasdite në pompë, nuk ka ndryshim nga piku i djeshëm; 1-2 lekë për litër në disa pika në Tiranë dhe kaq-nuk është asgjë. Lajmi i mirë ndërkombëtar sot ka të bëj me faktin se Agjencia ndërkombëtare e energjisë, do të prekë rezervën strategjike dhe do të hedh ne treg-me ndikim mbi ofertën dhe çmimin, sasinë më të madhe në histori: 400 milionë fuçi!

A do të përfitojmë ne? Lajmi kombëtar i mirë ka të bëjë me faktin që qeveria është aktive ne monitorimin e tregut dhe komunikimin me operatoret vendas; ministrja tha sot se nëse do verifikohen abuzime do rikthehemi tek Bordi i Transparencës së çmimeve. Po a mjafton kaq? Unë them jo, nuk mjafton”, shkruan Braçe.

Sipas Braçes, problemi lidhet me mënyrën se si është ndërtuar tregu i karburanteve në Shqipëri. Ai thekson se rezervat strategjike të detyrueshme mbahen nga kompanitë dhe jo nga shteti, çka sipas tij bën që vendi të mos përfitojë nga nafta e depozituar më herët me çmime më të ulëta.

Deputeti shton se depozitat e kompanive janë aktualisht të mbushura me karburant të blerë më parë, por qytetarët nuk përfitojnë nga ky avantazh, pasi çmimet në treg mbeten të larta.

“Problemi ynë është modeli i tregut! Modeli i tregut qe ne kemi na ka humbur avantazhin e rezervës strategjike të detyrueshme për kompanitë-rezerva strategjike e shtetit nuk është. Modeli i tregut që ne kemi na ka humbur edhe avantazhin e blerjeve në afat të mesëm e të gjatë me cmime më të favorshme në kohe-këtë avantazh ja kemi lëshuar një brokeri (nuk është entitet tatimor në këtë vend për përfitimet e tij), naftën e te cilit operatorët kombëtare e depozitojnë në depot e tyre por pa çmim blerje në kohen e depozitimit. Është fakt-depozitat në depot e kompanive janë plot, nafta në to nuk është blerë sot, as dje, as pardje, as javën e fundit, kohe kur çmimi ishte shumë më i lirë se sot! Ne nuk fitojmë nga ky fakt!

Kush po fiton nga paratë tona?? Për shkak të këtij modeli tregu ne nuk përfitojmë dot as nga rezervat strategjike dhe depot plot! Ndaj monitorimi nuk mjafton! Duhet shembur modeli i tregut! Është e dyta krizë-e para ishte ajo e luftës ne Ukrainë, që na provon këtë nevoje jetike-shembjen e këtij modeli tregu”, shkruan Brace.

Më herët, deputeti socialist hodhi akuza se ky sektor funksionon si kartel dhe se çmimet caktohen me një mesazh që mbërrin në çdo pikë karburanti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:50
Shtrenjtohet nafta, Braçe në komisionin e Ekonomisë: Çmimi është caktuar dje me një mesazh, në orën 4! Shoqata e tyre funksionon si kartel

Deputeti i PS-së Erion Braçe ka ngritur shqetësimin e shtrenjtimit të karburantit menjëherë pas luftës. Sipas tij një ditë më parë çmimi është caktuar me një mesazh në vlerën 198 lekë. si shqetësim ai ka ngritur edhe faktin që shoqata sipas tyre funksionon si kartel.

"Çmimi i naftës ka ndryshuar dje rreth orës 4:00 pasdite, nuk e di para apo pas takimit me ministrat e qeverisë, por ka ndryshuar dje në orën 4:00 fiks pas një mesazhi i mbërritur në celularin e çdo pik e çdo karburanti në territor të bardha apo edhe të brenduara. Çmimi është më i lartë tek ato që janë të brenduara praktikisht. Pra çmimi më i lartë ai nga 197-198 deri te 202 lekë, që këta e kanë sfidë personale, kanë katër vjet që e kanë sfidë atë 202 lekëshin ta çojnë prapë atje ku e patën ato ditët e tmerrshme para katër vitesh që e çuan me zell të madh thuajse në të njëjtën periudhë

Pra, ka ndryshuar me një mesazh dhe unë po përpiqem shumë që ato mesazhe t'i mbledh dhe t'ua dërgoj, dhe mbi të gjitha nën diktatin e një shoqate që garanton kartelin, që është shoqata e hidrokarbureve. Këto mesazhet nuk i dërgojnë thjesht dhe vetëm këta drejtuesit e kompanive, por këto mesazhet veçanërisht tek pikat e bardha i dërgojnë zyrtarët e shoqatës së hidrokarbureve të paktën nga ato që kam unë ajo që lexoj unë. Pra shoqata e hidrokarbure që funksionon si kartel për të garantuar rritjen e çmimeve në këtë rast.

E dyta, këta nuk blejnë naftë më në bursë. Për ta blerë një broker që e sjell naftën në territorin dhe ky është një problem. Ka katër vite, katër vite e gjysmë që e bëjnë kështu. Vjen e derdh naftën në depozitat e këtyre në periudha të ndryshme kohore dhe këta pastaj blejnë dhe shesin me çmimin e ditës që dalin nga depozita. Ky model tregu i ka hequr gjithë avantazhin e blerjeve afatgjata të sasive të naftës. Dhe natyrisht ne kemi humbur avantazhin e blerjes në avancë. Madje këta kanë shuar fare edhe atë parimin që duhet të funksionojë në një depozitë. Hyn i pari, del i pari. Hyre me çmim 500$ toni të dalësh 500 plus kosto operative plus normën e fitimit atje matan. Pra edhe këtë avantazh këta e kanë shuar. Pyetja që kam unë është ju e gjeni veten të mundur për ta goditur? Këtë model tregut. Këta na kanë ezauruar totalisht me këtë model edhe efektin e kursit të monedhës. Dollari është përtokë. Këta transaksionet i kryejnë dollar. Euro është vlerësuar që është një është një element shumë i rëndësishëm tek çmimi. Jo tek taksat tek çmimi",- tha Braçe.