Ka një narrativë në media dhe në politikë që përpiqet ta paraqesë Sali Berishën si një figurë pa përgjegjësi politike, dhe kjo është ndërtuar me kujdes prej vitesh: një përzierje e viktimizimit personal, relativizimit të fajit dhe zhvendosjes së vëmendjes drejt kundërshtarëve, për të nënkuptuar mungesën e fuqisë politike. Por realiteti politik nuk funksionon mbi perceptime të fabrikuara nga propaganda; ai matet me pasoja, me rezultate dhe me besimin që arrin të ngjallësh.

Në rastin e Sali Berishës, narrativa e pafajësisë politike bie ndesh me një fakt të thjeshtë: një lider që ka qenë për dekada në qendër të vendimmarrjes nuk mund të jetë njëkohësisht edhe viktim edhe spektator i pafuqishëm i pasojave politike.

Protestat e thirrura prej tij janë një tregues i qartë i këtij kontrasti. Ato nuk dështojnë vetëm për shkak të organizimit, por sepse vuajnë nga mungesa e një kauze të qartë dhe gjithëpërfshirëse. Një protestë nuk mund të jetë thjesht thirrje për revoltë, por është artikulim i një alternative dhe i lindjes së një shprese.

Madje, kontrasti bëhet edhe më i fortë kur vendoset përballë realitetit të qeverisjes së Edi Ramës. Kjo qeveri perceptohet gjerësisht si ndër më të korruptuarat në 35 vitet e fundit dhe pa reforma të thella e të suksesshme që prekin jetën e qytetarëve. Një qeveri e cila një këmbë e ka në zyrë dhe një këmbë e ka në SPAK. Një qeveri e cila ka deleguar pushtetin politik tek eminenca e errët e kësaj shoqërie. Një qeveri që kryefjalë ka korrupsionin dhe mungesën për të prodhuar një ekonomi të qëndrueshme me rregulla të tregut. E megjithatë, përballë një terreni kaq të favorshëm për opozitën, Sali Berisha nuk arrin ta trysnojë realisht pushtetin e Edi Ramës në asnjë pikë kyçe. Kjo ngre një pyetje thelbësore: nga buron kjo pafuqi politike e Berishës? A është pasojë e statusit “non grata” nga SHBA-ja, apo edhe e qëndrimeve anti-SPAK? Apo e faktit që një figurë me mbi tre dekada në politikë e ka të pamundur të rikrijojë besim si alternativë reale?

Në thelb, këto protesta janë mbështetur më shumë mbi kundërshtimin ndaj Edi Ramës sesa mbi një projekt politik që ofron zgjidhje konkrete. Kjo i bën ato të duken si ciklike, të përsëritshme dhe pa energjinë transformuese që ka karakterizuar lëvizjet e mëdha qytetare në histori apo edhe ndryshimet në Shqipëri. Një protestë pa kauzë nuk prodhon shpresë, dhe në këtë kontekst shpresa është e vetmja mënyrë për të prodhuar vota për të sjellë rotacionin.

Por problemi nuk mbaron këtu. Një nga perceptimet më të përhapura në opinionin publik është ekzistenca e një ekuilibri apo marrëveshje të heshtur mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Jo domosdoshmërisht në formën e marrëveshjeve të shkruara, por në një bashkëjetesë politike ku konflikti i deklaruar shërben për të mbajtur gjallë një status quo.

Ky perceptim ushqehet nga disa elementë: ritmi i kontrolluar i përplasjes politike, mungesa e një përshkallëzimi real që do të prodhonte ndryshim, si dhe fakti që të dy figurat vazhdojnë të dominojnë skenën politike duke penguar lindjen e alternativave të reja, por gjithashtu edhe halli i përbashkët që e ka emrin SPAK. Në këtë kuptim, konflikti mes tyre shpesh duket më shumë si një teatër i nevojshëm sesa një betejë ekzistenciale. Siç do të thoshte Niccolo Machiavelli, pushteti nuk mbahet vetëm me forcë, por edhe me iluzionin e konfliktit dhe kontrollin e skenës.

Kjo është arsyeja pse shumë qytetarë ndihen të përjashtuar: sepse nuk shohin një përballje reale për të ardhmen, por një riciklim të së shkuarës dhe të të njëjtëve mekanizma. Atëherë kur politika perceptohet si një marrëveshje e pashprehur mes kundërshtarëve politikë që duhet të luftojnë për të mirën e vendit, atëherë besimi bie, bashkë me të edhe pjesëmarrja.

Në fund, pyetja nuk është nëse Sali Berisha ka apo jo faj politik. Pyetja është nëse ai arrin të bindë një shoqëri të lodhur se përfaqëson ndryshimin. Deri më sot, përgjigjja duket të jetë jo, dhe protestat që zbehen pa lënë gjurmë janë dëshmia më e qartë e këtij realiteti.