FUSHË - KRUJË, Durrës - Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Shqipërinë në ditët e fundit kanë ndikuar edhe në futboll. Sfida mes Kastriotit dhe Besës, e programuar për sot në orën 13:30 në stadiumin 'Redi Maloku' të Fushë-Krujës është shtyrë me 24 orë.

Fusha e stadiumit kishte pellgje të mëdha me ujë, çka detyroi arbitrin e ndeshjes dhe delegatët që të dilnin me një vendim të tillë. Tanimë dueli do luhet pas 24 orëve, me krutanët dhe kavajasit që kërkojnë tri pikë në fushë. Sfida do luhet po në stadiumin 'Redi Maloku'.

Edhe të shtunën, për shkak të reshjeve të shiut dhe kushteve jo të mira në stadiume, u shtynë dy ndeshjet e Kategorisë së Dytë. Në Pukë, Tërbuni - Luzi u anulua pas 16 minutash lojë, ndërsa në Shijak sfida Erzeni - KF Shiroka nuk nisi.