Pavarësisht shkresës së Gazment Bardhit, që u pa si vendim për të futur zyrtarisht në grupin parlamentar të PD Sali Berishën, ish kryeministri ngelet sërish jashtë grupit demokrat të ligjvënësve.
Kuvendi ka reflektuar vendimin e Bardhit, duke kthyer të gjithë të përjashtuarit në grupin parlamentar të PD, sikurse tregohet në faqen zyrtare, por jo Sali Berishën që zyrtarisht figuron deputet i pavarur.
Pasqyrimi në faqen e Kuvendit
Vetë Bardhi la të paqartë nëse kishte kërkuar edhe përfshirjen e Sali Berishës në grup, por tha se deputetët, përfshirë Berishën janë bashkuar që në shtator.
‘Unë do ti qëndroj arsyes pse kam dalë të ju komunikimi i grupit parlamentar është i qartë, besoj se është një çështje e tejkaluar problematika brenda PD-së. Çdo tentativë për të zhvendosur vëmendje nga tema që janë në inertes të qytetarëve për të rikthyer vëmendjen tek përçarja nuk do të marrë vëmendje tonë,. Grupi i PD-së është bashkuar që në 5 shtator 2023.’- tha Bardhi
Sali Berisha u la jashtë grupit parlamentar të PD në nisje të legjislaturës nga Lulzim Basha me vendimin e 9 shtatorit që e përjashtonte nga grupi pas shpalljes së tij non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prej asaj kohe, Berisha nisi luftën brenda PD së duke e çuar partinë në ndarjen më të thellë të saj.