Një drejtues gomoneje është ndëshkuar me 500 mijë lekë gjobë, pasi hyri pranë bregut në zonën e Dhërmiut, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve që po bënin plazh këtë të dielë.
Rasti u denoncua nga qytetarët, të cilët filmuan mjetin lundrues dhe publikuan pamjet edhe në portalin JOQ. Pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare ndërhynë menjëherë, duke konstatuar gomonen dhe identifikuar drejtuesin me inicialet F. D.
Në përfundim të procedurave administrative, ndaj tij u vendos masa administrative prej 500 mijë lekësh, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.
Policia Kufitare bën apel për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrin e sigurisë për pushuesit në plazhe.
Një reagim për ngjarjen e pati edhe Ministri Lamallari i cili sfidoi shkelësin duke i kujtuar që aventura të tilla janë të ndaluara.
Njoftimi i plotë i policisë
Shkeli perimetrin e sigurisë me mjet lundrues, duke rrezikuar jetën e pushuesve që bënin plazh, ndëshkohet me 500.000 lekë të rinj drejtuesi i mjetit lundrues. Gjithashtu, Policia Kufitare bëri edhe bllokimin e mjetit lundrues. Shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare të DVKM Vlorë kanë intensifikuar masat, duke shtuar ndjeshëm patrullimet në vijën bregdetare Vlorë-Ksamil. Gjatë patrullimit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë marrë njoftim nga pushuesit se një mjet lundrues gomone kishte hyrë në afërsi të bregut në zonën e Dhërmiut, duke rrezikuar sigurinë e personave që bënin plazh. Ky rast ishte filmuar nga qytetarët dhe ishte publikuar edhe në portalin JOQ.
Menjëherë, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi dhe Njësia Policore Detare kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë konstatuar mjetin lundrues gomone me drejtues shtetasin F. D. Në përfundim të procedurave administrative, ndaj drejtuesit të mjetit u vendos masa administrative 500.000 lekë të rinj.
Gjithashtu, u bë dhe bllokimi i mjetit lundrues. Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit dhe perimetrin e sigurisë për pushuesit që bëjnë plazh në zonat e përcaktuara.
Mjeti i sekuestruar në Dhërmi
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar ashpër pas rastit të evidentuar në Dhërmi, ku një mjet lundrues hyri në perimetrin e sigurisë së pushuesve, duke rrezikuar jetën e qytetarëve në plazh.
Përmes një reagimi publik, Lamallari theksoi se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj personave që shkelin rregullat e sigurisë në vijën bregdetare dhe cenojnë qetësinë e pushuesve gjatë sezonit turistik.
“Për ‘trimat’ si ky në Dhërmi, që sfidojnë perimetrin e sigurisë në plazhe dhe rrezikojnë jetën e pushuesve, nuk do të ketë asnjë tolerim. Ta gëzosh gjobën 5 milionë lekë të vjetra dhe provoje përsëri të bësh aventura të tilla”, u shpreh ministri.
Sipas tij, strukturat e Policisë së Shtetit do të jenë në monitorim të pandërprerë të të gjithë vijës bregdetare, nga veriu në jug të vendit, për të parandaluar shkeljet dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve.
Lamallari bëri të ditur se Njësia e Posaçme Detare e Policisë së Shtetit do të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme nga Velipoja deri në Ksamil, me fokus identifikimin dhe ndëshkimin e çdo mjeti lundrues që futet në hapësirat e ndaluara apo krijon rrezik për qytetarët në plazhe.
Ministri e sheh rastin më të fundit në Dhërmi si një tjetër sinjal të forcimit të masave të sigurisë gjatë sezonit veror, ku autoritetet kanë paralajmëruar kontrolle të shtuara në det dhe ndëshkime të forta për çdo shkelje të rregullave të lundrimit.
Komente










Fenë ia paskeni lujt! Ta hajnë sa krahu hajvanët se nuk po marrin vesh.
Përgjigju