Anëtari i FRPD, Oresti Berberi, ka hedhur akuza të forta ndaj Sali Berishës dhe kupolës drejtuese të PD-së, pas përjashtimit nga gara për kreun e kësaj partie të Ervin Salianjit.
Komentet Berberi i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku tha se në PD një grup të paaftësh u mbyllin dyert njerëzve që sipas tij kanë fituar përballë Edi Ramës.
“Ishte mëse e pritshme ajo që ndodhi me Salianjin, por ajo që më erdhi habi nuk ishte refuzimi i kandidimit, por mbyllja e dyerve, ishte një inskenim i bërë nga vetë ata. Iku Lul Brava dhe erdhi doktor kyçi. Ata njerëz që nuk ditën të mbronin votat përballë Edi Ramës, po ata njerëz, një grumbull të paaftësh dhe një grup njerëzish që vetëm humbin dhe nuk dinë sesi fitohet përballë Ramës, i mbyllin dyert njerëzve që kanë fituar përballë Ramës. Humbësit i mbyllin derën fituesve. Berisha përjashtoi gjysmën e strukturës që i doli kundër”, tha Berberi.
Nga ana tjetër, për analistin Fatmir Merkoçi, PD ka humbur ideologjinë e saj dhe nuk është më një parti e qendrës së djathtë.
Sipas Merkoçit, brenda PD-së nuk ka zgjedhje, por votë të komanduar. Ai shtoi se askush në PD nuk e ka ngritur zërin ndaj dëmeve që i janë bërë kësaj force politike dhe kjo sipas tij, ka bërë që situata të shkojë në këtë gjendje.
“PD ka humbur dita ditës ideologjinë. Gjëja e dytë që humbi, është se humbi të djathtën dhe doli në parti të qendrës. Në partitë e qendrës mund të dalin edhe të vetëm kandidatët në garë. Të gjitha partitë te ne janë parti qendre. Në të gjitha partitë nuk përmenden emrat e partive, por të kryetarëve. Unë e kam thënë, në PD ka një votë të komanduar. Kjo është si puna e atij lumit, që kur i pret burimin, ai lum fillon edhe shteron. Do çuditesha nëse në PD të gjithë ata që pretendojnë ndryshe, do kishin ngritur zërin apo do kishin bërë veprime të ndryshme nga çfarë janë bërë deri më sot”, tha mes të tjerash Merkoçi.
Komente










