Gara në PD, çfarë nuk po shohim

Gara në PD, çfarë nuk po shohim

Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj, Lulzim Basha dhe Edith Harxhi

Kjo çliron një pjesë të demokratëve që nuk kanë qenë dakord me disa vendime të drejtuesve, por që kanë heshtur për të mos u dukur “mish i huaj” brenda forcës së tyre politike.

Kjo liri e shprehjes dhe pjesëmarrja e demokratëve në takime, fut në një nivel të ri diskutimi këtë parti, që mund të jetë shumë i rëndësishëm për një reformim tërësor në të ardhmen.

Narrativa e “tradhëtive” apo e “komploteve” thjesht do zbehë garën, ndaj vet Basha duhet të jetë ftuesi kryesor i gjithë strukturave që të respektojnë rivalët.

Por, a po debatohen gjërat e duhura, për të cilat opozita ka vërtet nevojë që t’i shtrojë për diskutim?

Pikësëpari, ende nuk po saktësohet se sa djathtas apo në qendër do të tolerojë kjo parti aleancat në të ardhmen? Cilat do të jenë vijat e kuqe për bashkëpunim me parti të tjera apo individë? “Do hapim partinë”, thonë të katër garuesit për kreun e Partisë Demokratike. Rivalët e Bashës, madje, e kanë këtë slogan si një motiv ku shohin edhe zënien ngushtë të tij, që më 25 prill u duk larg ftesës  ndaj “të zemëruarve” të PD-së. Mirëpo, kjo “hapje” do të jetë një derë e madhe për të gjithë të larguarit pa dallim? Po sikur një pjesë e tyre të ketë qenë pjesë e ndihmës për ardhjen dhe mbajtjen e Ramës në pushtet? Po sikur të ketë qenë një i dyshuar apo i dënuar për korrupsion gjatë qeverisjes së demokratëve? Po sikur personi i ftuar të jetë kundër konceptit që ka e djathta për besimin, për pronën dhe për familjen?

Kandidatët duhet të artikulojnë qartë se si do të hapet partia dhe nëse do të ketë apo jo rregulla të këtyre rikthimeve, pasi riafrimet duhet që të mos vënë në vështirësi militanët që e kanë mbështetur pa kushte Partinë Demokratike. Më e rëndësishme do të ishte që kandidatët të ishin të qartë nëse do të ketë apo jo një front të përbashkët popullor, apo nëse do ketë vija të kuqe për bashkëpunëtorët e kësaj qeverie.

Nga ana tjetër, sfida për fituesin e ardhshëm në PD është përballja me Edi Ramën. Në këtë përballje ka padyshim pyetje të rëndësishme. E para, dhe ndër më të rëndësishmet, është ndarja e qartë e qëndrimeve-  do shkojnë drejt një udhe të kompromisit me të fortët dhe me çdo segment që u garanton ardhjen në pushtet me çdo kusht, apo do kërkojnë zgjimin e shqiptarëve për të mos u përkulur përballë një qeverie që manipulimin po mundohet ta kthejë në ligj, në një marrëdhënie zyrtare dhe në një kulturë komunikimi?

Nëse është e para, PD nuk do të sillte asgjë të re, nuk do kishte asnjë garanci për mbështetje popullore dhe marrja e një pushteti të tillë do të thoshte thjesht një ndryshim i emrit të qeverisë aktuale, duke i lënë shqiptarët në të njëjtat shina. Ndërkaq, rruga e dytë, (dhe, sipas meje, rruga e vetme për një opozitë që kërkon mbështetje popullore dhe rikthim të demokracisë në funksion të zbatimit të ligjit dhe llogaridhënies) ka nevojë për përgjigje të forta dhe të qarta për pyetjen: a kanë ata që kandidojnë, përfshi dhe zotin Basha, një strategji që të zgjojnë  shqiptarët, nëse vërtet besojnë se të ndershmit dhe ata që duan zbatimin e ligjit, janë shumicë?

Beteja e deritashme nuk ka dhënë shpjegime lidhur me mënyrën se si e shohin PD-në e sotme, si e shohin “Non gratën” ndaj Berishës dhe alternativat konkrete për ringrijte. Ndërkaq, vetë Basha, në deklaratat e tij, ka vijuar të njëjtin qëndrim si pas zgjedhjeve, madje duke përdorur edhe slogane të tilla, si: “Rama nuk dëshiron që ta vijojë betejën e 25 Prillit me mua në krye të PD-së”. Pyetja vjen natyrshëm: e nëse Rama dëshiron që ta vijojë këtë betejë me Bashën në krye të PD-së, a e bën kjo betejën e Bashës më të pranueshme apo të besueshme për opozitën?

Debati është një shans i madh që kjo parti të thotë me zë të lartë atë që nuk është thënë në forume, të flitet për dështime personash e strukturash në PD.

Çdokush që do drejtojë do të kishte fatin që përmes leximit të “analizës” që po kryen kjo fushatë kandidatësh, të ngrejë edhe disa nga platformat që demokratët qëndrestarë të mos ndihen të fyer e të anashkaluar nga asnjë hapje dere për të rinj, e që të mos ndihen të paqartë për çdo aleancë që fituesi do ta konsiderojë të moralshme për të ardhmen politike.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë