Zbardhet lista me 21 kandidatët që kanë hyrë në garë për drejtimin e drejtorive vendore në Policinë e Shtetit. Kandidatët kanë dorëzuar dokumentacionin për të konkurruar për postet e drejtorëve të policisë në qarqet Durrës, Fier, Kukës dhe Lezhë, aty u për momentin drejtuesit janë komanduar, për shkak të largimeve më herët dhe ndryshimeve të bëra papritur.
Durrësi mbeti me drejtues të komanduar pas largimit të Vilson Balës në janar dhe komandimit në vend të tij të Afrim Tafës. Edhe ky i fundit u shkarkua nga detyra në fillim të majit pas aksidentit tragjik ku vdiqën 2 fëmijë në ish-Kënetë. Fieri është me drejtues të komanduar pas lënies së vendit bosh nga vetë Skënder Hita që u emërua në krye të bluve. Kukësi është me komandim prej verës së shkuar, pas largimit të Gentian Berberit dhe emërimit në Shkodër, pas shkarkimit të Fatmir Lleshajt për skandalin e ndërimeve pa leje në Theth. Ndërkohë, drejtori e Policisë së Lezhës është me drejtues të komanduar, pas largimit të Islor Islamit, ku i u gjetën ambiente me lojëra fati.
Për shkak të ligjit të Policisë së Shtetit, drejtuesit emërohen me konkurs dhe për këtë drejtori i përgjithshëm i bluve, Skendër Hita, nuk mund të kryej emërime pa garë në drejtoritë ku ka të komanduar.
Në listën e emrave që synojnë të marrin drejtimin e qarqeve përfshihen drejtues dhe funksionarë aktualë të policisë, por edhe emra me eksperiencë në struktura të ndryshme të rendit dhe hetimit. Pas verifikimit të dokumentacionit dhe fazave të tjera të konkurrimit, pritet të përzgjidhen emrat që do të drejtojnë katër qarqet, në një moment kur Policia e Shtetit po kalon në një tjetër proces ristrukturimi dhe vlerësimi të drejtuesve vendorë.
Mes 21 kandidatëve që shfaqin interes deri më tani, bien në sy disa emra të rëndësishëm brenda kupolës, mes të cilëve ish-drejtori i Policisë Dibër, Artion Duka, i larguar me dorëheqje pak muaj më parë. Ish-drejtori i Vlorës, Ermal Muça, ish-drejtori i Shkodrës, Ervin Hodaj, ish-drejtori i Korçës, Gjovalin Loka. Në garë është edhe drejtori i Kufirit dhe Migracionit të Tiranës, Edvin Ndreu, apo edhe drejtuesi aktual i Policisë së Fierit, Erion Ahmeti.
Ndërkohë, garë është hapur edhe për 11 komisariate në vend, në disa prej të cilëve në të gjithë vendin shefat janë të komanduar po për shkak të largimeve, dorëheqjes dhe në rastin e Sarandës, ish-shefi Gëzim Bashllari, i arrestuar mbi dyshimet e korrupsionit për ndërtim pa leje. Deri më tani, interes kanë shfaqur 76 emra, shefa krimesh, sektorësh, apo seksionesh në drejtori të ndryshme, për Komisariatin nr. 6, Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë, i Elbasanit, Lushnjës, Divjakës, Shijakut, Devollit, Matit, Kurbinit, Sarandës dhe Dibrës.
Kjo garë për drejtues qarqesh dhe komisariatesh në Policinë e Shtetit besohet të jetë e fundit që kryhet brenda bluve, praktik e ndjekur që prej korrikut 2024 kur u ndryshua ligji dhe drejtuesit dhe shefat u bë të zgjidheshin me konkurs. Megjithatë, gati 2 vjet më pas, Partia Socialiste në pushtet ka parë problematika, dhe përmes deputetit Bujar Rexha, ka bërë një projektligj të ri që heq garën për të gjitha nivelet drejtuese, përveç atij të drejtuesit madhor. Projektligji i ri pritet të kalojë në komisione parlamentare dhe më pas të marrë votën në Kuvend, brenda këtij sesioni parlamentar.
Komente











