Aktivistja shqiptaro-amarikane, Evi Kokalari, e cila synon të sfidojë Sali Berishën në zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike, ka shigjetuar sërish Flamur Nokën, për të cilin thotë se ka intelektin e një gjinkalle.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, aktivistja reagon ndaj pretendimeve sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, i cili ka deklaruar se “opozita është nën sulm nga të majtët” dhe se të majtët po përdorin figura si Kokalari “për të luftuar opozitën”.
Kokalari shkruan Berisha dhe satelitët e tij në PD, përfshirë Nokën, nuk mund të quhen opozitë, por pengmarrësit komunistë të opozitës, të cilën e kanë shfrytëzuar për interesa personale.
Me gjasë Kokalari pritet të mos pranohet si kandidate për shkak se nuk bën pjesë në listat e anëtarësisë së PD-së, një qëndrim i mbajtur edhe nga Flamur Noka në një studio televizive.
Postimi i plotë i Evi Kokalarit:
Flamur Nokën e pyetën mbrëmë pse mediat e majta po u japin platformë kandidatëve që garojnë kundër Berishës.
Noka u përgjigj se opozita është nën sulm nga të majtët dhe se po përdorin figura si unë për të luftuar opozitën.
Meqenëse tashmë e dimë që Flamur Noka ka intelektin e një gjinkalle, më lejoni t’ia shpjegoj publikisht:
Nëse këto media “të majta” po sulmojnë opozitën e Berishës, atëherë kjo nënkupton që Berisha është i djathtë — gjë që nuk është.
Nëse ky grup po sulmon “opozitën” e Berishës, atëherë kjo do të thotë që ju jeni opozita — por opozita nuk jeni.
Ju jeni ata që e keni marrë peng opozitën.
Opozita jemi ne, që po luftojmë pengmarrësit komunistë të një partie që duhet të ishte thellësisht anti-komuniste — dhe që ju e keni shfrytëzuar për interesa personale.
Mediat nuk po luftojnë opozitën — ato thjesht po reflektojnë realitetin.
Pyetja që lind është e thjeshtë:
Si ka mundësi që vetëm Syri TV nuk ka raportuar as minimalisht për kandidaturën time?
Komente











