Alesia Balliu akuzon Sali Berishën se po pengon garën brenda Partisë Demokratike nga frika e konkurrencës, ndërsa e cilëson drejtimin e tij si një proces që po dëmton jo vetëm demokratët, por edhe gjithë vendin dhe mbi të gjitha po i jep Edi Ramës garancinë e fitores në zgjedhjet e rradhës.

E ftuar në emisionin “Studio Live” në Report TV,  ish-kandidatja për kryetare të Partisë Demokratike, e përjashtuar nga gara më 1 maj, mbështeti gjithashtu padinë e ngritur në gjykatë nga Mereme Sela, duke e cilësuar një hap të drejtë, kërkesën e saj për pezullimin e procesit të brendshëm dhe shpalljen e pavlefshme të kandidaturës së Sali Berishës. 

Sipas saj, kjo kërkesë është në funksion të një gare të ndershme ndërkohë që Berisha frikësohet prej saj ndaj sulmon dhe shpif ndaj zërave ndryshe brenda PD-së. 

 

“Nëse gjykatat nuk janë të komanduara nga Rama, duhet të japin një vendim të drejtë që është pro demokratëve dhe anëtarëve që kanë votuar për statutin e PD-së në kuvendin e 2021. Kërkesa e Mereme Selës është shumë e drejtë. Duhej çuar çështja në gjykatë. E respektoj vendimin e saj. Nuk po kërkojmë favore, po kërkonim garën dhe jo ofiqin, po kërkonim meritokracinë dhe tu jepnim demokratëve një alternativë që PD të jetë e fortë, pro ndërkmbëtarëve dhe pro drejtësisë. Sali Berisha nuk ka asnjë shpresë për të sjellë PD në pushtet. Shikoni si po e drejton sot PD-në, ashtu nuk duan shqiptarët një të ardhme të tillë. Duke shpifur për anëtarë të PD-së që kanë bërë kauza, sepse ke frikë nga gara dhe mendimi ndryshe, Sali Berisha është frikacak" tha ajo.

Sipas saj, PD ka nevojë për një riformatim të thellë dhe një vizion të ri, që t’i përkasë demokratëve dhe jo një individi apo familjeje, ndërsa thekson se duke e mbajtur PD-në nën kontroll dhe duke e trajtuar si pronë private, ai po shuan shpresën e shqiptarëve.

"PD ka nevojë për një vizion të ri, për riformatim dhe mos të përdoret si mburojë për shkak të problemeve tëa tij me drejtësinë. Ka nevojë që kjo parti të mos përdoret për interesat personale të tij dhe familjes së tij, ka nevojë t’i përkasë demokratëve. Sot Sali Berisha është tradhëtar i kombit shqiptar. Ai s’ka tradhëtuar vetëm demokratët por edhe interesat kombëtare. Ai vë para çdo gjëje interesin e tij personal. Dëmi që sot Berisha po bën nuk ua bën vetëm demokratëve, por të gjithë shqiptarëve. Duke mbajtur me dhunë PD-në , duke e trajtuar si pronë private, po shuan shpresën e të gjithë shqiptarëve dhe po i jep garancinë Edi Ramës që të fitojë zgjedhjet e rradhës” tha Balliu.

Balliu përsëriti akuzat se familja Berisha po pasurohet në kurriz të PD-së dhe se Berisha po e përdor atë në betejat me ndërkombëtarët. Ajo iu përgjigj direkt akuzave të Berishës për lidhje me Partinë Socialiste

“Më akuzon mua dhe Salianjin  për lidhje me PS, kur miqtë oligarkë të Ramës janë edhe miq të Shkëlzen Berishës. Sot Sali Berisha duhet tu përgjigjet dy pyetjeve: përse është 300.000 vota minus nga viti 2021 dhe pse nuk respekton statutin e propozuar nga ai vetë? Përse Berisha ka frikë nga gara? Përse nuk lejon mendimin ndryshe? Ai ka një retorikë boshe dhe shpif në mungesë të argumentit. Çdo demokrat duhet ta kuptojë sot se me Sali Berishën nuk fitohet” tha ajo.

Balliu kishte një përgjigje edhe për Flamur Nokën të cilit i vuri nofkën 'Bobi i Saliut' ose siç e quajti ajo 'idioti i dobishëm i Berishës'.

“Më kujton zëdhënësin e Sadamit ose i quajtur ndryshe ‘Ali komiku’, kur trupat amerikanë po hynin në Bagdat, Aliu dilte në konferenca për shtyp dhe thoshte që Iraku po fiton. Njëjtë është edhe Noka që vetëm shpif. Sot do ta cilësoja si ‘Bobi i Saliut’, sepse e vetmja gjë që po bën është që po dëmton PD. Noka është idioti i dobishëm i Berishës, një njeri që s’ka bërë garë, një njeri që ka frikë të shkojë edhe në Kukës” tha ajo.