“S’ka garë reale përballë Sali Berishës.” Kështu e sheh situatën në Partinë Demokratike ish-deputeti Lefter Maliqi, duke argumentuar se Berisha mund të jetë i pakonkurueshëm por PD duhet të hapet përndryshe, rrezikon të humbasë betejën zgjedhore e 2017-ës pa hyrë mirë në lojë.

Në një intervistë për emisionin ‘Studio Live’ në Report TV, Maliqi tha se PD duhet të riorganizohet urgjent, që nga strukturat më të larta deri te baza, përndryshe humbja në zgjedhjet lokale do të jetë e thellë.

“Kushdo që të jetë kandidat, vetëm nëse Berisha ka vullnetin e vet për të hapur rrugë, 90% e votave shkojnë për Berishën. Unë e di që Berisha do të jetë kryetar i PD-së dhe do të ikë pasi të përmbushë misionin për ta çuar në fitore dhe për të ikur si fitimtar nga PD. PD pas datës 23 duhet të hapet urgjent, të riorganizohet urgjent që nga Këshilli Kombëtar, Kryesia e re, sekretariati, nënkryetarët e me rradhë.  Kjo i shërben një bashkimi të madh, sepse nëse PD do të jetë me të njëjtat struktura dhe me këta drejtues politikë, humbja do të jetë e thellë në zgjedhjet lokale’ tha ai.

Në analizën e tij, ai e konsideroi pozitiv rikthimin e PD-së në komisionet për Reformën Territoriale dhe Zgjedhore, duke thënë se bojkotet e mëparshme vetëm e forcuan qeverinë dhe ia zgjatën jetën asaj

Maliqi zbuloi edhe një tjetër plan konkret: do të garojë për Bashkinë e Kuçovës në zgjedhjet vendore të 2027-ës. Dhe këtë herë, thotë se është gati të sakrifikojë gjithçka për këtë betejë.

“Në zgjedhjet vendore do të konkuroj në Bashkinë e Kuçovës. Kam folur edhe me Z.Meta dhe me Z.Berisha dhe u kam thënë që interesi im është për t’iu shërbyer atyre njerëzve opozitarë dhe socialistëve të zhgënjyer. Do ta lija mandatin e deputetit për të konkuruar për Kryetar Bashkie  Nuk besoj se ka kandidat tjetër për të marrë Kuçovën. Berisha e ka pranuar që lista e mbyllur ishte vrastare për demokracinë. Nëse deputetët e listës së mbyllur duan të konkurojnë njëri në Berat e tjetri në Kuçovë, unë e hap krahun nëse ata mendojnë për opozitën e PD. Në rast të kundërt, unë jam në një mision për të kthyer Bashkinë e grabitur tek banorët e për ta bërë Kuçovën shembull të ndryshimit. Votën e lirë do ta mbroj edhe me jetë. Për të, do të sakrifikoj çdo gjë” tha ai. 

Maliqi fajësoi jo vetëm PS-në për humbjen e PD-së në zgjedhjet e kaluara, por edhe drejtimin e dobët politik në zonë, duke përmendur indirekt edhe përplasjet me drejtues të PD-së në Berat si Eno Bozdo, të cilin e cilësoi si të dobët.

“Mua më kanë quajtur ‘mish të huaj’ sepse vija nga Partia e Lirisë. Sali Berishën në Kuçovë e prita unë bashkë me demokratët. I kam bërë një pritje surprizë madhështore që nuk është bërë asnjëherë.  Unë gjithmonë e kam pritur Berishën kështu. Mu turr PD dhe PS dhe më penguan. Nga përplasja fërkoi duart PS-ja dhe mori mandatin e tretë. Nëse unë do të punoja fort me strukturat e PD-së dhe opozitës së bashkuar në Kuçovë,…. Ata lanë shumë zona zbuluar. Kishte shumë kandidatë të mirë por u lanë zbuluar. U turrën të gjithë në Kuçovë ndërsa kandidatët për deputetë nuk dolën në terren. PS ishte turrur në të gjitha njësitë, ndërsa ne lamë qendra votimi pa mbuluar, që do të thotë ishte puna e dobët e drejtuesit politik të PD-së dhe nuk kishte një bashkim të fortë mes kandidatëve” deklaroi Maliqi.


Sa i përket aleancave për zgjedhjet vendore të 2027-ës, Maliqi ishte i bindur se Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk ndahen.

“Unë uroj që Meta të dalë sa më shpejt nga paraburgimi. Ai është i arrestuar politik. Ne kemi bërë një mbledhje kryesie 4 muaj më parë dhe Meta ka konfirmuar që ‘do të jemi në koalicion me PD’. Gjendja në Partinë e Lirisë nuk është ashtu siç do të ishte po të ishte Meta në drejtim të saj” tha Maliqi.  


Në fund të intervistës, Maliqi dha edhe një paralajmërim më të fortë. Protesta e 17 prillit, sipas tij, do të jetë më e përshkallëzuar se të gjitha të tjerat. Madje, ndryshe nga deputetët që ‘fituan mandatin me duart në xhep e kanë frikë zgjedhjet’ ai është gati për masa ekstreme, deri në grevë urie.

“Revolta është e qytetarëve. Besoj që protesta do të jetë më e përshkallëzuar se protestat e tjera. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të heqin dorë nga dhuna dhe gazi lotsjellës. Unë jam për ekstreme deri në grevë urie. Nëse duan, unë jam gati të futem në grevë urie për interesat e opozitarëve që kanë 13 vjet që po shkatërrohen. Sali Berisha mund të dojë grevë urie, masa ekstreme por unë jam skeptik për një pjesë të deputetëve të PD-së dhe të opozitës së bashkuar që nuk janë të gatshëm për grevë urie, sepse një pjesë e tyre e morën mandatin me duart në xhepa. Nuk ua mban.  Nuk duan zgjedhje të parakohshme, nuk duan qeveri teknike se nuk dalin më deputetë”  tha ai.