Gara për në Hënë nuk është më një sfidë mes superfuqive, por mes super të pasurve të epokës digjitale: kush do ta bëjë të mundur kolonizimin e satelitit natyror të Tokës? Elon Musk apo Jeff Bezos?

Për ego dhe pasuri po aq të pakufishme, një planet i vetëm nuk mjafton, shkruan La Repubblica. Dhe ja që themeluesi i Tesla dhe ai i Amazon prej kohësh i projektojnë ëndrrat e tyre të madhështisë drejt hapësirës. Por nëse në të kaluarën konkurrenca mes të dyve kufizohej te anijet që bëjnë vajtje-ardhje me Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, i cili rrotullohet rreth Tokës në 400 km lartësi, tani ata do të përballen për një objektiv shumë më ambicioz: të rikthejnë qeniet njerëzore në Hënë për herë të parë që nga viti 1972.

Kthesa ndodhi javën e kaluar, kur Elon Musk njoftoi një ndryshim rrënjësor të strategjisë për kompaninë e tij. Që nga krijimi i saj në vitin 2002, Musk kishte bërë të qartë se objektivi ishte kolonizimi i Marsit. Dhe kujtdo që i sugjeronte të përqendrohej te Hëna, ai i përgjigjej: "Hëna është vetëm një shpërqendrim".

Më 9 shkurt, Musk njoftoi në rrjetin e tij social ndryshimin e kursit: "SpaceX ka zhvendosur vëmendjen te ndërtimi i një qyteti të vetëqëndrueshëm në Hënë, pasi mund ta realizojmë brenda më pak se 10 vjetësh, ndërsa në Mars do të duheshin më shumë se 20 vjet".

Po atë ditë, Jeff Bezos postoi një foto enigmatike të një breshke, pa asnjë tekst. Breshka është kafsha që shfaqet në stemën e Blue Origin, kompania hapësinore e Bezos. Përveç kësaj, ajo është protagonistja e fabulës së Ezopit që mund një lepur më të shpejtë, por tepër të sigurt në vetvete. Dhe pak ditë më vonë, pronari i Amazon pezulloi programin e tij të turizmit hapësinor për t’i lejuar Blue Origin të përqendrohej te Hëna.

Por mes dy sfidantëve, kush është më përpara në garën për në Hënë? Dhe çfarë roli luan NASA, e cila brenda pak javësh pritet të nisë misionin Artemis III, me një ekuipazh njerëzor në bord që do të fluturojë rreth Hënës për t’u kthyer më pas në Tokë pas 10 ditësh? "Agjencia hapësinore amerikane do t’u drejtohet të dy furnitorëve për të siguruar raketa ", përgjigjet Roberto Battiston, fizikant në Universitetin e Trentos dhe prej pak javësh president i Komitetit Europian për Shkencat Hapësinore. "Planet e NASA-s për kolonizimin e Hënës bazohen në një kombinim prej dy raketash", shpjegon ai. "Njëra që transporton vetëm astronautë, si ajo që pritet të ngrihet në ditët në vijim. Dhe një raketë e madhe ngarkese, e aftë të çojë në Hënë tonelata pajisjesh, për ta bërë të mundur jetën njerëzore në një mjedis armiqësor. SpaceX ka raketën Starship, e rikuperueshme pas çdo lëshimi, që të paktën në teori mund të transportojë 100 tonë. Deri tani, edhe pse nuk ka arritur kurrë të fluturojë me ngarkesë të plotë, mbetej e vetmja në treg. Pastaj, nga hija doli Bezos me Blue Origin, që disponon teknologjinë e nevojshme, pasi ishte e para që arriti të rikthejë në tokë fazën e parë të një rakete në vitin 2015".

Ky rizbulim i Hënës fsheh dinamika ekonomike dhe teknologjike shumë tokësore. "Musk dhe Bezos drejtojnë dy perandori, të ardhmen e të cilave duhet ta garantojnë", vëren Battiston. "Amazon, për shembull, nuk mund të mos ketë një rrjet të vetin satelitësh të avancuar. Dhe në fakt po zhvillon raketa për këtë qëllim. Por ndërkohë, pak ditë më parë, raketa europiane Ariane 64 në fluturimin e saj inaugurues vendosi në orbitë 32 satelitë të Bezos. Në anën tjetër, nuk besoj se Tesla do të vazhdojë të fokusohet vetëm te makinat elektrike, sepse ka shumë konkurrencë në atë fushë. Së shpejti mund të ndërtojë më pak makina dhe më shumë robotë. Për Tokën apo për hapësirën".