Në një projektligj të ri për Sistemin Shëndetësor Shqiptar, është parashikuar që duke nisur nga 1 janar 2020, do të nisë auditimi klinik në institucionet e kujdesit shëndetësor.
Sipas relacionit, auditimi klinik duhet të realizohet pasi është një proces i rëndësishëm për vlerësimin e cilësisë së shërbimit në institucionet e kujdesit shëndetësor.
Auditimi klinik është auditimi i praktikës mjekësore sipas protokolleve klinike të kujdesit shëndetësor, të miratuara nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, bazuar në fakte.
Auditimi në kujdesin shëndetësor është analiza sistematike e përdorur nga profesionistët e shëndetësisë për të vlerësuar dhe përmirësuar kujdesin e pacientëve, duke përfshirë procedurat e përdorura për diagnostikimin dhe trajtimin ndaj pacientit.
Sipas relacionit, ky auditim do të shërbejë për të siguruar një nivel të lartë shërbimi në të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor, bazuar në protokolle dhe standarde të miratuara. Kjo është një eksperiencë edhe e vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Ndonëse projektligji pritet të nisë diskutimin së shpejti dhe të miratohet në gjashtë muajt e parë të 2019, afati për nisjen e auditimeve klinike shtyhet në 2020, me qëllim që strukturave shëndetësore t’u lihet koha e mjaftueshme për t’u njohur me detyrimin për kryerjen e këtij procesi.
Neni 12, përcakton ndryshimin e nenit 25, si më poshtë vijon:
1. Auditimi klinik realizohet me kërkesë të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, me qëllim evidentimin, zbatimin e protokolleve dhe vlerësimin e procedurave të ndjekura nga institucioni i kujdesit shëndetësor.
2. Çdo institucion i kujdesit shëndetësor, publik ose privat, duhet të ketë protokolle të miratuara nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë.
3. Auditimi klinik kryhet nga auditues vendas ose të huaj, të njohur nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë. Mënyra e njohjes së audituesve klinikë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ministria përgjegjëse për shëndetësinë shpall çdo vit listën e audituesve të njohur prej saj.
4. Mënyra e kryerjes së procesit të auditimit klinik dhe tarifat e pagesës sëaudituesve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Përzgjedhja e audituesve klinikë nga lista e audituesve, për kryerjen e procesit të auditimit klinik, bëhet nga struktura përkatëse e përcaktuar nga ministri përgjegjës për shëndetësinë./ Monitor