Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, ka zbardhur detaje të reja mbi grupin e strukturuar kriminal, që ekzekutoi pak ditë më parë shtetasin Devi Kasmi, në Tiranë. Policia zbuloi autorin e vrasjes së Kasmit, i cili ishte ish-polici i forcave speciale të Greqisë, Efthymiou Efthymious, 42-vjeç. Gazetari Rusta tha se greku kishte ardhur në Shqipëri pak ditë më parë dhe pas porosisë do të largohej në vendin e tij me shumën e parave.

Gazetari deklaroi se Report Tv ka siguruar të dhëna, që do të ndihmojnë policinë për të zbardhur të shkuarën kriminale të këtij shtetasi. Më tej, Rusta sqaroi faktin pse është zgjedhur një ekzekutor grek dhe jo shqiptar, për të cilën tha se këta të fundit janë goditur, ku rasti më i fundit ishte banda e Julian Sinanit.

“Ekzekutorët shqiptarë të precizonit të lartë janë goditur, si banda më e fundit e Julian Sinanit apo e një grupi tjetër të Tafilit. Greku nuk ishte pa eksperiencë. Report Tv ka siguruar të dhënat që në të ardhmen do të ndihmojnë poilicinë për të zbardhur aktivitetin kriminal të ish-policit grek. Burimet flasin që ai ka vetëm pak ditë që ka ardhur këtu dhe do largohej pas kësaj porosie”, deklaroi gazetari.

Sa i përket vrasjeve të ndodhura në vend dhe që vijojnë të jetë të pazbardhura, Arsen Rusta theksoi se do të jenë hetimet ata që do të tregojnë nëse kjo bandë kriminale ka lidhje me to.

“Vrasje ka të shumta, vrasje bankierësh, edhe gjyqtarësh, që kanë pikëpyetjet e tyre, por sa do të lidhen me këtë grup do ta tregojnë hetimet. Vetëm armatimet janë te 10-15 armë. Hetimi do kohën e vet, duhet gjurmët e gishtave, gjurmë të armëve”, shtoi Rusta.

VIDEO/Gazetari i Report TV Arsen Rusta shpjegon dinamikën e ngjarjes

Sa i takon drogës së gjetur nga policia, Rusta deklaroi se ishte rreth 110 kg kanabis, e cila përdorej nga anëtarët e bandës kriminale për t’u konsumuar ose për t’u trafikuar, duke vënë theksin te fakti se armët ishin të një cilësie shumë të lartë.  

“Kjo sasi droge i përkiste këtij grupi, 110 kg kanabis, që përdorej për t’u konsumuar apo për t’u trafikuar, por armët ishin të një cilësie të lartë”, sqaroi gazetari. 

d.c./shqiptarja.com