Gazetaria e kronikës si shtojcë e medias së papërgjegjshme

Gazetaria e kronikës si shtojcë e medias së papërgjegjshme

Incest!

“Babai abuzonte me vajzën…” “Vëllai abuzonte me motrën…” “Nëna ishte me të meta mendore…”

Kriminelë!

“Fëmijët planifikuan vrasjen e babait…” “Kriminelë të lindur…” “Ekzekutimi i babait, gjyshja para 10 vitesh vrau vjehrrën…”

Policia që duam!

“Policia zbardh ngjarjen në kohë rekord…” “Policët, netë pa gjumë për ti shërbyer shoqërisë…”

Ngjarja e fundit në Durrës tejkaloi ndoshta të gjitha të tjerat e kronikës së zezë për nga niveli i papërgjegjshmërisë së pasqyrimit për publikun.

Duke mos pasur përkundër asnjë lloj pengese që mund të fëlliqte Qeverinë, ndonjë influent nga opozita, Taulant Ballën, Policinë e Shtetit… e për rrjedhojë të shpuar edhe nga punëdhënësit, gazetarët e kronikës rrëfyen një turravrap të harbuar për të bërë protagonistin dhe siguruar ndonjë thërrime ekskluziviteti.

Fusha e veprimit ishte aq e pastër, sa, për pasojë, imagjinata u shfrenua. Gazetarët, pa pritur konfirmimet zyrtare, gjeneruan mendjen duke bërë edhe policin, edhe kriminalistin, edhe kriminologun, edhe psikologun, edhe psikoanalistin, edhe avokatin e palës akuzuese, edhe prokurorin, edhe gjykatësin…

Një tytë grykëmadhe pistolete, që mbushte pjesën kryesore të cover-ave shoqërues të lajmeve të shkruara, ishte zgjedhur të vendosej pranë fotos së 18-vjeçares së akuzuar.

Dhe hallet e shqiptarëve përfunduan.

Shoqërisë shqiptare ju injektua shiringa e radhës me qetësues në tru. Problemet e tyre me kriminalitetin morën fund. Në Durrës nuk do të shkarkohen më tonelata me kokainë, që mbërrijnë nga veriu i Amerikës së Jugut. Grupet historike të krimit të organizuar, të lidhura me politikën, pësuan goditjen e vdekjes…

Përvit e më tepër gazetaria e kronikës së zezë rezulton e kredhur në këtë hulli të ndyrë, të pandershme që po çakërdis një popull të tërë.

Përvit e më tepër ajo po orientohet te mekanizmi i krimit si një tematikë që nuk i prish punë askujt, sidomos politikës dhe pushtetmbajtësve.

Ngjarjet kërcitëse të kronikës së zezë, nisur nga lajmet e thjeshta të gazetarisë së shkruar, shkuar te emisione të rëndësishme televizive, përvit e më tepër po trajtohen sipas të njëjtës skemë: Si e siguroi makinën e krimit, si gjeti informacionin se ku do të lëvizte viktima, ku e mori armën, si i zuri pritë, pse e zuri aty pritën, si e qëlloi, sa herë, sa predha e kapën, sa nuk e kapën, sa plumba kapën shitësin e pafat të misrave, ku e dogji makinën, me se e dogji, ka litra benzinë përdori, pse e dogji aty, pse mungonte arma, sa gëzhoja u gjetën, sa gjurmë gishtash dhe jargë që mund të zhvillojnë ADN-në, sa pika gjak kishte ne vendngjarje, çfarë ngjyre kishte gjaku, pse gjaku ishte i zi… etj, etj.

Po çfarë impakti ka në shoqërinë tonë përcjellja në këtë logjikë e lajmeve të kronikës, përcjellja e aksionit se si realizohet, si mbulohet dhe zbulohet një krim?

Përse shoqësisë sonë mund ti lipsen skenarë të tillë? Për çfarë i duhen këto leksione? Po i largojmë vëmendjen nga hallet e vërteta? Po e përgatisim për prodhim dedektivësh me shumicë, apo, në rastin më të keq, po u mësojmë shqiptarëve se si të kryejë dhe fshehin një krim në mënyrë perfekte?

Nga ana tjetër, përse gazetaria e kronikës nuk merret me thelbin e fenomenit, nuk fokusohet te problemet e vërteta të kriminalitetit që na rrethon, te arsyet përse e kemi kriminalitetin kaq të lartë dhe të pangjashëm, së pari krahasuar me nivelin e tij në shtetet fqinje?

Përse pakkush e ngre zërin ndaj faktit ulëritës të ndarjes së pushtetit mes politikës dhe krimit? Përse gazetarët e kronikës, në shumicën absolute të tyre, nuk ndjekin lajme, si për shembull vjedhja e databazës së TIMS, si pjesë e gardhit mbrojtës që politika po përpiqet të ndërtojë përreth SPAK?

Pse gazetaria e kronikës së zezë nuk tenton të kërkojë llogari, të hedhë ide dhe provokojë zgjidhje për përmirësimin e situatës kriminale?

Krhyer te ngjarja e fundit, mund të thuhet se nxitimi sjell edhe risqe edhe pasoja për profesionalizmin. Vetëm kjo shpjegon faktin që gazetarët e kronikës shumë shpejt nisën ta konceptonin një vajzë 18 vjeçe, saktësisht një fëmijë, si kriminele të lindur dhe si vrasëse me paramendim.

Një nxitim që provohet edhe me faktin se pothuaj askush nuk i kushtoi rëndësi faktit të marrjes së saj nën përkujdesje, nga psikologë e avokatë, për shkak të moshës dhe të ruajtjes së shëndetit të saj mendor.

Përkundër, gazetarët e hodhën atë tej si leckë duke e damkosur si vrasësen gjakftohtë të të atit dhe këtë e bënë pa pasur një version të konfirmuar dhe provuar nga hetimi zyrtar.

Për rrjedhojë ata u bënë bashkëpunëtorë në hakmarrje. Roli i tyre si opinion informues e vrau përfundimisht vajzën. Kreu të njëjtin krim për të cilin atë e akuzojnë.

Mbërritur këtu, a nuk do të qe më mirë sikur gazetarët e kronikës ta kishin parë vajzën edhe si viktimën e një shoqërie ekstremisht të kriminuar?

Në këtë pikë pyetjet ngrihen: A kemi dështuar si shoqëri të marrim në mbrojtje dhe të edukojmë këtë fëmijë? Ku e lamë të rritej? A ndërhymë dhe sa ndërhymë që ajo të rritej si gjithë fëmijët e tjerë? Pse e lamë të mbushte 18 vjet duke parë të atin se si i gjakoste të ëmën, ndonjëherë për tu hakmarrë për bezdinë që i shkaktonte fluturimi i një mize?

Tjetër, sërish do të ishte më mirë që gazetaria e kronikës të mos i shihte veprimet e policisë si heroike. Krimet në familje gjithmonë kanë qenë lehtësisht të zbulueshme. Në rastin e fundit, nuk ka nevojë për elozhe, pasi Policia nuk bëri më tepër se sa e lejojnë të bëjë.

Elozhet duhen ruajtur për kohën kur Policia nuk do ta ketë të vështirë të zbardhë veprën penale të ndonjë personazhi në majën e krimit cilësor, nisur nga vrasja përcëlluese e Vis Martinajt.

Më tej, gazetaria e kronikës duhet të ndiqte dhe analizonte edhe veprimet e policisë me vajzën 18-vjeçare. Sepse rezulton se atë fëmijë e kanë shpërfytyruar dhe shpartalluar mendërisht edhe veprimet e Policisë.

Ndër shqiptarë po qarkullojnë pamje filmike që tregojnë vajzën 18-vjeçare, me lopatë në dorë, duke hapur varrin e të atit, ndërkohë që policët filmojnë me celular. Një veprim makabër, që vajzës mund ti ketë sjellë pasoja për gjithë jetën, që nuk pranon asnjë argument justifikues, qoftë atë të një eksperimenti të autorizuar hetimor.  

Për rrjedhojë në këtë rast mund të thuhet që, fillimisht veprimet e policisë dhe më tej qorravrapi për ekskluzivitet i kronikës së zezë, e shkatërruan krejtësisht këtë familje nga Durrësi.

Vajza dhe djemtë, apriori dhe për gjithë jetën, do të epitetohen si fëmijët që vranë babain, në një kohë që drejtësia ende nuk ka nxjerë një version përfundimtar të ngjarjes, në një kohë që implikimi, i shumicës së pjesëtarëve të familjes, mund të ketë ardhur vetëm pas vrasjes dhe mund të ketë lidhje me akuzën “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Sigurisht që në këtë situatë, me plot gojën mund të thuhet se, prej vitesh, gazetaria e kronikës së zezë është duke ecur në drejtim të paditur.

Si e tillë ajo nuk dallon asnjë presje nga pjesa tjetër e gazetarisë shqiptare, e kontrolluar nga pronarët në diell e në hije të mediave, që të gjithë pjesë e pushtetit, ose në garë për të kapur ndonjë llomkë, koskë, apo kakërdhi që jepet, hidhet apo bie prej tij.

Pra, me bindje mund të thuhet, se ajo është tashmë pjesë e një gazetarie që jo vetëm nuk i shërben shoqërisë sonë, përkundër e dëmton atë duke i shiringuar në tru skenarët pambarim se si bëhet një krim dhe jo ata se si të ngremë zërin dhe diktojmë shërimin prej kriminalitetit.

Ajo ka rënë pre e investimit të politikës në kontrollin e mediave, është duke u kthyer në shtojcë të propagandës qeveritare që ka vetëm një synim: të nxjerrë e shpëtojë nga kthetrat e drejtësisë dhe të së vërtetës autorët e katandisjes së Shqipërisë në një nga vendet më të korruptuara të mbarë Botës.

Janë duke u bërë bashkëautorë të shkatërrimit të çdo lloj shprese se ky vend mund të bëhet, të shkatërrimit të sistemit të edukimit dhe arsimimit, të krijimit të shembujve të gabuar për rininë, të infektimit të rinisë me idhuj që i çojnë drejt fitimit të shpejtë dhe ndërtimit të pamerituar të jetës... bashkëfajtorë dhe pjesëmarrës në funeralin e vlerave të shoqërisë sonë.

Ky opinion është marrë nga profili i autorit në rrjetin social "Facebook"

K.M/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb