Gentiana Sula: Dosja e Revoltës së Spaçit dëshmon se Shqipëria pati disidencë të vërtetë

Gentiana Sula: Dosja e Revoltës së Spaçit dëshmon se Shqipëria pati disidencë të vërtetë

Gentiana Sula, kryetarja e Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Fatos Lubonja

A pati disidencë të vërtetë në Shqipëri? Kjo është tema më e diskutuar pas rënies së diktaturës komuniste. Gentiana Sula, kryetarja e Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, pas ekspozimit për herë të parë të dosjes së Revoltës së Spaçit në ambientet e këtij institucioni, pohon për “Shqiptarja.com” se kjo revoltë është një shprehje e disidencës së vërtetë që synonte të kundërshtonte dhe rrëzonte regjimin komunist. Të burgosurit politikë në Spaç kanë shpërthyer në një revoltë të fuqishme më 21 maj të vitit 1973. Sigurimi i Shtetit e shtypi me gjak në mëngjesin e datës 23 maj 1973 këtë revoltë.

Për të kujtuar këtë ngjarje historike në prag të 45-vjetorit të revoltës së Spaçit, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, prezantoi disa prej dokumenteve arkivore të të ashtuquajturit objekt i rëndësisë së veçantë ORV, Reparti 303 i Riedukimit, Spaç. 

Një grup procesverbalesh kanë të shënuara emrat e katër krerëve kryesorë të revoltës, që ishin: Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj. Në këtë ekspozitë është edhe lista e 82 të dënuarve të tjerë që u ridënuan me vite të gjata burgu pas kësaj revolte. Dhuna arriti deri në atë pikë sa të burgosurve u bëhej presion nga sigurimi dhe hetuesia për të denoncuar bashkëvuajtësit e tyre detaj për detaj.

Këtë panoramë të ngjarjes na e japin një pjesë e dosjeve të ekspozuara, por mësojmë se në këtë dosje janë edhe pseudonimet e agjentëve të sigurimit që kanë spiunuar të burgosurit politikë për fjalët dhe qëndrimet e tyre para vendimit për t’i burgosur në Spaç. Një listë e plotë me pseudonime si “Planeti”, “Kaikja e Bukur”, “Shigjeta e Kaltër”, “Shpata”, e të tjera gjendet brenda kapakëve të dosjes ORV, Reparti 303 i Riedukimit, Spaç.

Në ekspozitë ishin vetëm pak dokumente nga ajo që përmban dosja e plotë, por “Materialet mbi Spaçin janë disa mijëra faqe dhe vihen në dispozicion të të interesuarve, studiues dhe kërkues shkencorë, ish-të përndjekur dhe familjarë të tyre, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë të tyre. Të interesuarit mund të plotësojnë formularët e kërkesës për informim, konform ligjit 45/2015 për t’i lexuar këto dokumente.”, thotë Gentiana Sula, kryetarja e Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Dokumentet e ekspozuara flasin jo vetëm për organizatorët kryesorë të kësaj revolte, por për dhjetëra ish-të dënuarit politik që morën pjesë si: Gjok Zefi, Pavllo Popa, Xhavit Lohja dhe Gjet Kadeli, Gëzim Çela, Vaskë Orgocka, Ylber Merdani dhe Novruz Golka, Nuri Stefa, etj. Në këto dokumente shkruhet se protesta nisi nga i burgosuri Pal Zefi, që refuzoi të dilte në punë. Policët e burgut tentuan për ta nxjerrë jashtë dhe kanë ndeshur në protestën e të dënuarve Pavllo Popa dhe Dashnor Kazazi, të cilët kanë goditur operativin e kampit, Fejzi Liço. Pas këtij incidenti, revolta u zgjerua.



Zgjerimi i revoltës me të dënuarit e tjerë, dhënia e alarmit dhe dalja e forcave të policisë jashtë ambienteve të kampit, ardhja e zëvendësministrit të Brendshëm Feçorr Shehut dhe ushtarakëve të tjerë të lartë që e shoqëronin, tentativat për negociata me krerët kryesorë të revoltës që kishin hartuar me shkrim kërkesat e karakterit politik, rrethimi i kampit të Spaçit nga forcat ushtarake e mëdha policore e bëri më tragjike situatën. Të burgosurit vazhduan provokimin e mëtejshëm, duke ngritur në formë proteste në një pikë të lartë të ndertës së kampit flamurin kombëtar pa yllin e komunizmit.

Revolta u pasua me ndërhyrjen e forcave sampiste dhe përleshje me të dënuarit. Pas gjithë kësaj vijuan arrestimet, hetuesia dhe gjyqi i improvizuar i krerëve të asaj revolte në Tiranë dhe në qytetin e Rrëshenit. Dhuna e shtetit komunist shkaktoi tragjedi të rënda. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më datë 25 maj 2018. Dje, gjatë çeljes së ekspozitës, Gentiana Sula ka pohuar se “Dosja e Revoltës së Spaçit përkundrejt debateve që mohojnë ekzistencën e disidencës gjatë diktaturës komuniste, përforcon të kundërtën.”  

Intervista
Për Revoltën e Spaçit është folur edhe më parë, duke parë dokumentet gjatë përgatitjes së Dosjes së Revoltës së Spaçit, çfarë keni konstatuar që nuk është thënë më parë?

-Kjo është një ngjarje për të cilën është folur gjatë, ku u dënuan intelektualë, njerëz të besimit, klerikë e shumë të tjerë, të cilët pasi vunë re shtypjen e diktaturës organizuan dhe mundësuan një revoltë. Kjo revoltë nga dokumentet nuk del se bëhet për shkaqe ekonomike, por na del si një lëvizje e plotë politike. Zhvillimi i saj kishte nisur me aksionet politike që kishin filluar dhe me parullat që kishin hedhur kundër regjimit, dhe këto të dhëna jepen nga këndvështrimi i sigurimit. Pra ka dëshmi të tilla, e një nga këto është kampi i punës 303, se aty kuptohet kjo kosto e madhe njerëzore që ka arritur të shfrytëzojë komunizmi për të ngritur aeroporte, miniera, e të tjera. Ne kemi edhe inventarin e plotë të materialeve, dhe ekspozita do të qëndrojë një javë. Kështu që kush ka interes do të njihet me materialet që nuk janë ekspozuar dhe munden që të bëjnë aplikimin për t’i parë apo studiuar. Pra ajo që më bën të ndjejë keqardhje është se thuhet që nuk ka pasur disidencë Shqipëria gjatë diktaturës. Revolta e Spaçit përforcon të kundërtën, tregon përmasat e kryengritjes dhe qëllimin e vërtetë politik. Kjo revoltë u pasua me rezistencën e atyre protagonistëve që e çojnë deri në fund revoltën e tyre dhe sakrifikohen, duke mbajtur si prioritar qëllimin e tyre. Është disidencë e vërtetë.

Për revoltën e Spaçit janë shkruar disa libra, letërsi e kujtime. Ka diçka që e përmbys historinë në këto procesverbale?
-Me aq sa pashë përforcohet përmasa e kësaj revolte dhe qëllimi i vërtetë i saj, dhe protagonizmi, ku aty unë shoh disidencën e vërtetë, se thuhet shpesh që nuk ka pasur disidencë në Shqipëri. Ky është ekspozimi i parë, janë deklasifikuar, janë ekspozuar disa dokumente. Por duhet thënë se ka shumë vështirësi për t’i gjetur. Ka raste që nuk gjenden kollaj dhe do të ishte e lehtë të thoshin si gjetëm, por puna është t’i kërkosh e si e ku t’i kërkosh. Institucioni ynë prioritet ka kërkesat e institucioneve shtetërore, të cilat kanë sjellë mbi 280 kërkesa. Por ka vështirësi sepse dosjet janë ende të shpërndara në institucione të tjera dhe ka edhe në rrethe. Problemi më i madh është se arkivat nuk janë përpunuar në total, rreth një mijë e ca regjistra janë të padixhitalizuara. Nuk janë dixhitalizuar të gjitha. Nuk ka indekse të plota. Kjo punë bëhet duke u futur në çdo fletë e duke krijuar indekse të vogla dhe të lodh. Kështu vepruam edhe për Spaçin, u futëm në çdo fletë dhe krijuam dosjen, dhe i futemi deri në fund në kërkimin arkivor, por ka shumë më tepër se kaq, sepse e dimë që ka fletë në Arkivin Ushtarak, në Arkivin Qendror të Shtetit, në arkivat nëpër rrethe. Nuk lidhet mozaiku nga të gjitha institucionet ku janë të strehuara dosjet. Kjo punë nis me kërkimet për ato që kanë më shumë prioritet, siç është kjo e Revoltës së Spaçit. Këtu nuk janë gjërat e qëruara dhe të seleksionuara. Duhet të qërosh, të kërkosh, të zgjedhësh. Mendo janë 2.3 kilometra arkivë.

Dihet që në burgje janë bërë edhe tortura, në këtë dosje ka të dhëna për torturat që janë bërë kryesisht në Spaç?
-Si kemi verifikuar akoma.

Është debatuar kohët e fundit se autoriteti nuk zotëron dosjet sekrete?
-Janë. Një e pesta e fondit të arkivës tek Autoriteti i Dosjeve janë të fondit sekret.

Çfarë përmban fondi sekret?
-Bashkëpunëtorët, agjenturat që kanë të bëjnë me pjesën e infiltrimit, por duhen hapur të gjitha këto grupe dosjesh që të krijohet mozaiku. Ja për shembull Dosja e Spaçit është edhe në Ministrinë e Brendshme, edhe në Arkivin e Shtetit, por duhet parë edhe në rrethin ku ka qenë kjo ngjarje. Pra duhet të shihen të gjitha arkivat për të ardhur në një linjë, të bashkohen të dhënat.


Gentiana Sula

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb