BERLIN – Një mbrëmje e vitit 1982, në Bonn, një deputet i ri i SPD-së, i zgjedhur dy vite më parë në Bundestag, doli nga një restorant italian ku kishte darkuar me disa kolegë. Kishin ngrënë dhe pirë goxha, ndaj vendosën të bënin një shëtitje. Ndoshta ishte alkooli, por kur mbërritën përpara hekurave të kancelarisë, parlamentari nuk u përmbajt dot. U hodh drejt kangjellave duke bërtitur: “Ich will hier rein!”, “Dua të futem këtu!”. Ambicie dhe parandjenjë në një gjest. Deputeti socialdemokrat quhej Gerhard Schröder dhe gjashtëmbëdhjetë vite më vonë, në tetor 1998, ai do të hynte në Bundeskanzleramt nga hyrja kryesore, i zgjedhur kancelar pasi kishte mposhtur madje edhe Helmut Kohl, babain e ribashkimit gjerman.

Në krye të një koalicioni me të Gjelbrit, të udhëhequr nga Joschka Fischer, avokati i ardhur nga Hanoveri do ta qeveriste Gjermaninë për shtatë vite, duke lidhur emrin e tij me reforma të rëndësishme që modernizuan vendin dhe i mundësuan të përballej me sukses me mijëvjeçarin e ri: ligji i ri për shtetësinë me futjen e jus soli, dalja nga energjia atomike dhe mbi të gjitha reforma më radikale e shtetit social që nga koha e princit Bismarck.

Madje, në vitin 1999 me misionin humanitar të NATO-s në Kosovë dhe në vitin 2001 me ndërhyrjen në Afganistan, ai vendosi aksionet e para ushtarake të Gjermanisë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, por pati forcën t’i thoshte jo George W. Bush dhe aventurës së tij të pamend në Irak.

Me pak fjalë, Gerhard Schröder ka qenë një kancelar i madh. Që më pas ai të jetë edhe ndërmjetësi i duhur për një negociatë me Rusinë për Ukrainën, siç shpreson Vladimir Putin, kjo është një histori tjetër.

Sot ai është një i përjashtuar në vendin e vet. I privuar nga stafi dhe zyra që i takojnë çdo ish-kreu qeverie, i margjinalizuar në SPD, e cila nuk arriti ta përjashtojë, tashmë më shumë i injoruar sesa i kritikuar nga miq e kundërshtarë, Schröder refuzoi qytetarinë e nderit të Hanoverit para se t’ia hiqnin, ndërsa u detyrua të kthente kartën e nderit të Borussia Dortmundit, skuadrës së zemrës që nga mosha 6-vjeçare.

Që burimi i problemeve të Schröder-it është marrëdhënia e tij e ngushtë me Vladimir Putinin, kjo dihet. Kur la kancelarinë, ai u bë lobisti kryesor dhe shumë i paguar i autokratit të Kremlinit, i cili e vendosi në krye të asamblesë së aksionerëve të Nord Stream 1 dhe 2, dy gazsjellësit që lidhin Rusinë me Gjermaninë nën Detin Baltik, por që sot janë jashtë funksionit.

“Ke frikë të punosh për ne?”, e pyeti Putini në një telefonatë më 9 dhjetor 2005, pak më shumë se dy javë pasi ai ia kishte dorëzuar zyrën e kancelarit Angela Merkel. Schröder nuk pati frikë dhe e pranoi ofertën.

Për të kuptuar arsyet, ndihmon një episod i ndodhur pak më shumë se një vit më parë, ditën e 60-vjetorit të tij në vitin 2004, kur biografi i tij, Reinhard Urschel, e pyeti çfarë do të bënte pas përfundimit të mandatit si kancelar: “Dua të bëj para”, u përgjigj Schröder. Dhe e mbajti fjalën, duke hyrë në shërbim të Putinit.

Por që nga ai moment, si Fausti i Johann Wolfgang von Goethe, ai përfundoi në duart e Mefistofelit rus. Ndryshimi me Faustin është se ish-kancelari nuk u pendua kurrë. Madje: “Të bëj mea culpa? Nuk është për mua”, tha ai në vitin 2022 në një intervistë të rrallë për The New York Times. Është e vërtetë që e quajti “gabim” luftën e Putinit në Ukrainë, por shtoi se “masakrat e Buçës duhet të hetohen” para se të caktohen përgjegjësitë.

Iu deshën disa muaj për të lënë postet në bordet e dy gazsjellësve dhe të Rosneft, gjiganti rus i naftës që e shpërblente me 600 mijë euro në vit, por ai gjithmonë refuzoi të distancohej nga Putini, aq më pak ta dënonte, duke e përshkruar si “njeriun e vetëm që mund t’i japë fund luftës” dhe duke shpjeguar se nuk donte të hiqte dorë nga mundësia për të qenë ndërmjetës, pasi “njëra palë ka besim tek unë”. Ajo palë është Rusia e mikut të tij Vladimir, i cili dje e konfirmoi këtë.

Për të kuptuar marrëdhënien e Schröder-it me Putinin, duhet gërmuar në biografinë e tij. Si kreu i Kremlinit, edhe ish-kancelari erdhi nga hiçi dhe u ngrit vetë. Të dy kanë origjinë shumë të varfër dhe kjo krijoi mes tyre një lidhje të thellë.

Schröder nuk e njohu kurrë të atin, një ushtar i Wehrmacht-it që vdiq në vitin 1944 në frontin lindor, kur ai ishte vetëm gjashtë muajsh. Nëna e tij punonte si pastruese dhe rriti e vetme pesë fëmijë. Ai studioi në shkolla nate — gjatë ditës punonte — përpara se të shkonte në universitet dhe të diplomohej për drejtësi me rezultatet më të larta.

U regjistrua në SPD në moshën 19-vjeçare, ku në vitin 1978 u bë drejtues i Jusos, organizata e fuqishme rinore. Krenaria dhe ndjenja e hakmarrjes sociale e shoqëruan gjatë gjithë jetës.

Kur në vitin 1986 u zgjodh kryeministër i Saksonisë së Poshtme, nëna e tij, që vazhdonte të punonte si shërbyese në shtëpinë e një çifti borgjezësh të pasur në Hanover, ua tregoi punëdhënësve të saj, por ata nuk e besuan. Të nesërmen në mëngjes, Schröder e shoqëroi të ëmën në punë me makinën zyrtare, trokiti në derë dhe, kur ia hapën, u prezantua: “Jam Gerhard Schröder, ministri-president i ri. Dhe kjo zonjë është nëna ime”.

Pikërisht në landin e Volkswagen-it dhe MAN-it, Schröder fitoi reputacionin e “shokut të pronarëve”, që e bëri gjithmonë të dyshimtë në sytë e partisë socialdemokrate. Atij nuk i interesoi kurrë, as para dhe as gjatë kancelarisë, duke ekspozuar hapur preferencën për puro kubane, kostume Brioni, kuzhinën italiane dhe artin bashkëkohor, për të cilin është koleksionist i pasionuar.

Kur në maj 1998 ishte kandidat për kancelar dhe unë e binda të vinte në Milano për një vizitë në Corriere della Sera, gjëja e parë që më pyeti ishte: “A është e vërtetë që presidenti juaj është Cesare Romiti, ish-shefi i Fiat-it? A mund ta takoj?”. I thashë po, pa verifikuar nëse ishte e mundur. Ai pranoi.

Në Milano pati kohë të takonte në mëngjes edhe Romano Prodi, atëherë kryetar qeverie, gjë që e zemëroi shumë kancelarin Kohl. Më pas erdhi në Via Solferino. Pas intervistës kolektive në Sallën Albertini, ku mori pjesë edhe Alberto Ronchey, e ftuam Schröder-in dhe bashkëpunëtorët e tij në një drekë te Savini, ku, përveç drejtorit Ferruccio De Bortoli dhe zëvendësdrejtorëve, mori pjesë edhe Romiti.

I kishim vendosur pranë njëri-tjetrit. Schröder foli gjithë kohën me të: ndihej njeri i industrisë automobilistike, pasi kishte qenë në bordin drejtues të Volkswagen-it, dhe kënaqej duke komunikuar si i barabartë me një menaxher të madh si Romiti.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, si Putini edhe Schröder i do gratë, por megjithëse ka pasur pesë bashkëshorte, ai e konsideron veten besnik. Mund të përkufizohet si “monogam serial”: “Kam njohur katër gra në jetën time dhe i kam martuar të gjitha”, më tha dikur në një intervistë pas martesës së katërt, me gazetaren Doris Köpf, me të cilën adoptoi — pikërisht falë Putinit — dy fëmijë rusë.

Bashkëshortja e pestë, So-Yeon Schröder-Kim, është një përkthyese koreano-jugore, 26 vite më e re, të cilën e njohu gjatë një udhëtimi pune në Azi. Besnik motos së tij, ai u martua me të në vitin 2018./ Corriere della Serra