Gërvalla thirrje ndërkombëtarëve: Dënoni gjuhën armiqësore dhe agresive të Vuçiçit ndaj Kosovës

Gërvalla thirrje ndërkombëtarëve: Dënoni gjuhën armiqësore dhe agresive të Vuçiçit ndaj Kosovës

Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar, që të dënojë, ato që i ka cilësuar si “qasje, sjellje dhe gjuhë agresive e armiqësore” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, karshi Kosovës.

Ky reagim i Gërvallës vjen lidhur me adresimin që Vuçiç bëri një ditë më parë, kur ai doli me disa kërkesa.

Ai kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.

Gërvalla tha se me këto kërkesa, Vuçiç tregoi se “nuk e ka ndër mend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare”.

Ajo fajësoi Vuçiçin se qëndron parapa vendimit të serbëve në Kosovë për të bojkotuar zgjedhjet lokale në veri, për largimin e serbëve nga institucionet në veri, nga Policia e Kosovës, gjyqësori si dhe për “shtytjen, organizimin dhe financimin e grupeve të ndryshme për të marrë pjesë në barrikadimin e rrugëve dhe akteve të tjera të dhunshme, përmes presionit të strukturave ilegale dhe grupeve kriminale”.

“Tani, duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm që personat, të cilët me urdhër të tij janë përfshirë në vepra penale, krime dhe akte të dhunshme në Kosovë tashmë nuk mund të luajnë asnjë rol në jetën publike dhe institucionale të Kosovës, kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme, pa treguar madje së paku arsyet e largimit dhe bojkotimit të institucioneve”, shkroi Gërvalla në Facebook.

Kryediplomatja e Kosovës e fajësoi udhëheqësin serb se po synon pengimin e normalizimit të raporteve mes dy shteteve, por edhe sipas saj mbajtjen gjallë të tensioneve në rajon, dhe shtoi se këto synime janë “sinkroni të plotë me interesat e Rusisë”.

Gjatë konferencës më 13 shtator, Vuçiç kërkoi që “të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut”, duke paralajmëruar se shteti i tij do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.

Adresimi i Vuçiçit u mbajt pas akuzave që ua ka bërë në vazhdimësi autoriteteve të Kosovës për “sulme ndaj serbëve” në veri të vendit, duke marrë shkas vendimet e fundit në atë pjesë.

Qeveria e Kosovës vlerëson se me veprimet e veta vetëm po synon të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin e shtetit.

Autoritetet kosovare kanë mbyllur së fundmi disa institucioneve paralele serbe në veri, duke thënë se kanë cenuar kushtetutshmërinë e Kosovës, më pas disa degë të Bankës së Serbisë, me arsyetimin se kanë vepruar pa leje, dhe ka ndaluar dinarin serb për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Paratë e marra nga institucionet financiare serbe në veri të Kosovës gjatë aksionit policor më 20 maj 2024.

Faktori ndërkombëtar e ka kritikuar Kosovën për ato që i ka konsideruar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara në veri të vendit.

Kosova dhe Serbia dialogojnë prej vitit 2011 në Bruksel, nën ndërmjetësim të BE-së, kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar./ Rel

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka pasur sukses 'Tempulli' në kapjen e shpërndarësve të drogave në shkolla?



×

Lajmi i fundit

Ben Andoni: PD më shumë po mendon t’i pëlqejë Berishës sesa publikut

Ben Andoni: PD më shumë po mendon t’i pëlqejë Berishës sesa publikut