Ben Andoni: PD më shumë po mendon t’i pëlqejë Berishës sesa publikut

Ben Andoni: PD më shumë po mendon t’i pëlqejë Berishës sesa publikut

Zgjedhjet e vitit 2025 do të jenë me gjasa të fundit sa i përket karrierës politike për liderin e Partisë Demokratike. Sali Berisha po përballet me një padi nga SPAK-u nën akuzën për korrupsion pasiv, ku i duhet të merret pak kohë më vonë edhe me një çështje gjyqësore.

Nisur nga masa e arrestit, hamendësohet se gjyqi do kërkojë kohë. Ndërkohë mosha e tij biologjike, strukturat e reja te opozita, zhvillimet brenda PD-së, e mbi të gjitha interesat e grupeve nuk do ja mundësojnë dot angazhimin e duhur. 

E para, sepse çështja para Drejtësisë është shumë e koklavitur dhe ndërkohë nuk kanë marrë jetë dosje të tjera si “21 Janari”, ashtu si ato që lidhen me kohën e drejtimit të tij. E dyta, sepse në çfarëdo situate, qoftë humbje apo fitore, realisht Berishën nuk e duan realisht.

Gjithkush do interesin e tij dhe kjo është koha që përshtatet me servilizmin ndaj tij. Emrat janë përballë. Këtë e ndjen indirekt nga protagonizmi i shumë njerëzve të PD-së, në këtë rast drejtuesve të qarqeve që për interesa nuk kanë as një kut moral; ashtu si kauza e mbështetjes nga karta zyrtare ndërkombëtare, ku emri i Berishës përshfaq probleme.

Vetë lideri historik i Partisë Demokratike e di mirë këtë situatë, njeh shumë mirë thelbin e militantit të PD-së, ashtu si protagonizmin e një pjese të tyre. Ndaj i luan si kukulla. E di se edhe imitimi, që i bëjnë deri tek gjestet, është fryt i mungesës së individualiteteve, pikërisht atë që ai nuk do e linte asnjëherë të lulëzonte. Kjo e ka zbehur mënyrën e përshtatjes dhe gjetjen e formave të drejtuesve të PD-së për t’u përfshirë si duhet më shumë në publik.

Ky i fundit, i asfiksuar nga aferat e frikshme të pushtetarëve të sotëm; korrupsionin e njerëzve të lidhur me pushtetin e socialistëve deri në masë të paimagjinueshme; i lodhur nga e njëjta retorikë në opozitë; i neveritur nga paktet PD-PS nuk mund ta konceptojë dot më udhën e drejtë dhe alternativën. Ndërkohë energjia më e madhe e njerëzve dhe e besnikëve rreth e rrotull PD-së është sesi të artikulojnë ndaj SPAK-ut, ku masa e akuzave të ngritura prej tyre ende nuk e kënaq dot panginjen e publikut të përgjithshëm për të parë njerëz pas hekurave.

Ka të ngjarë, se një masë e madhe që do kënaqet në të ardhmen për dënimin e Berishës, do jetë pikërisht prej këtyre kinse militantëve. Kurse ata që kanë përfituar do e ndërrojnë shpejt fletën. 8 Janari është ende gjallë dhe “dashuria e madhe” për PD-në, kurse fryma që kërkon publiku është ende një puhizë e lehtë, ngaqë zhgënjimi më i madh janë vetë drejtuesit për bazën sakrifikuese të PD-së.

Gënjyer prej liderve të tyre, marrë nëpër këmbë nga njerëz që janë pasuruar pafund, pa shpresë prej riciklimit të po të njëjtëve, ata thjesht rrinë e vështrojnë…dhe mbushin numrat. Postulati demokratik për liderët e këqinj se krijojnë thjesht ndjekës, porse të mirë krijojnë liderë të së ardhmes është forma më e mirë për të kuptuar se PD-ja mendon ngushtë për interesa dhe jo shpresën, që publiku e mban prej vitesh për ndryshimin e mezipritshëm. Për Berishën do mendojnë dhe pak muaj në këto zgjedhje dhe ai vetë e di mirë, ndërsa pakkush te PD-ja i intereson publiku, përderisa të jetë në lista. 

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka pasur sukses 'Tempulli' në kapjen e shpërndarësve të drogave në shkolla?



×

Lajmi i fundit

Si të ulni tensionin e lartë me metoda natyrale

Si të ulni tensionin e lartë me metoda natyrale