Sot 110 vite shtet shqiptar/ Rama: Gëzuar të gjithëve! Meta: Patriotizmi të jetë pishtari për ta mbrojtur vendin nga rreziqet! Berisha uron nga 'Tik Tok'

Shqipëria feston sot 110-vite nga krijimi i shtetit. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.

Vlora ishte epiqendra e festimeve, por festa nuk mungoi as në Tiranë e SHBA. Krerët më të lartë të shtetit, nga Shqipëria dhe Kosova festuan 110-vjetorin e pavarësisë në Vlorë, ku u mbajt edhe ceremonia e ngritjes së flamurit.  

Urimet për këtë ditë të shënuar ishin të shumta. Kreu i qeverisë Edi Rama zgjodhi të urojë me një foto me Dua Lipën. Sali Berisha zgjodhi Tik-Tokun për t’i uruar shqiptarët. Edhe këtë ditë feste, nuk harroi akuzat për kundërshtarët politikë. Edi Ramën e quajti regjim që përzë shqiptarët.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili shkroi se patriotizmi dhe sakrificat për flamurin kombëtar duhet të jenë pishtar për të mbrojtjen e Shqipërisë nga rreziqet e reja. Urimet nuk munguan as nga të huajt, të cilët u shprehën krenarë për partneritetin me Shqipërinë dhe se do të vazhdojnë të na mbështesin drejt rrugëtimit europian.

Festimet do mbyllen me koncertin e Dua Lipës në sheshin 'Skëndërbej'. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë organizojnë javën festive, me evente që do të shtrihen në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe do të kulmojnë me koncertin madhështor “110 vjet Forca të Armatosura-Së bashku për Paqen”, në datën 3 dhjetor 2022. Në festimet e një jave eventet dhe atmosfera e festave kombëtare do të na emocionojë të gjithëve. Të ardhurat e realizuara nga aktivitet dhe konceretet do të shkojnë në mbështetje të familjeve me fëmijë të lënduar nga lufta në Ukrainë.

Pak histori

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar. Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

Report Tv dhe Shqiptarja.com iu urojnë të gjithë shqiptarëve gëzuar Festën e Flamurit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:30
FOTO/ Krerët e institucioneve bashkë për drekë, Rama pranë Kurtit! Përballë tyre qëndron Osmani

1669653145_64001669644374xaapng349.png

Krerët e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë janë bërë bashkë me rastin e festave të nëntorit. Në një fotografi të publikuar nga Ilir Kërçeli, shef i stafit të kryekuvendarit Glauk Konjufca, shihet se pas ceremonisë dhe homazheve në Vlorë shkuan për të ngrënë drekë.

Në një tavolinë ishin pranë kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij Albin Kurti. Po ashtu përballë me ta ishte edhe presidentja Vjosa Osmani ndërsa në kafe ishin Lindita Nikolla, Glauk Konjufca, Blendi Klosi, Albin Kurti dhe Bajram Begaj. 

Ora 17:14
Basha përkujton Adem Jasharin: Lavdi përjetë Dëshmorëve të Kombit

1669659983_3173496706902604658025197916353117845239120n.jpg

Ish kryetari i PD-së, Lulzim Basha përkujtoi heroin Adem Jashari në ditën 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

“Kombi shqiptar bashkohet me 28 Nëntor në festë dhe në nderim të sakrificës shumëshekullore të shqiptarëve për Liri dhe Pavarësi.

28 Nëntori është edhe ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, para sakrificës së të cilit dhe të familjes Jashari përkulemi sot me nderim dhe mirënjohje të thellë kombëtare.

Lavdi përjetë Adem Jasharit!

Lavdi përjetë Dëshmorëve të Kombit!”- shkroi Basha.

Ora 16:24
Rama përkujton heroin Adem Jasharin: Lindi më 28 nëntor dhe vdiq për të jetuar përgjithmonë, si legjenda e gjallë e flamurit

1669549242_1.jpeg

Kryeministri Rama ka përkujtuar sot, në ditën e 110 vjetorit të pavarësisë së vendit, themeluesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroin Adem Jasharin. Me një shkrim në facebook, Rama tregon mbi historinë e Adem Jasharit, e cila do të mbetet gjithnjë e gjallë si legjendë e Shqipërisë dhe Kosovës.

“ADEM JASHARI erdhi në këtë botë mu në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe iku nga kjo botë pasi e la trupin pa jetë si një monument të shtrirë në mesin e shtëpisë ku mbante flamurin kombëtar. Historia e vdekjes që i dha përjetësinë atij e trungut të prerë të familjes së tij, i tejkalon kufijtë e të besueshmes dhe i ngjan më shumë një versioni të legjendës së Gjergj Elez Alisë, ku plagët në trup janë më shumë se nëntë e janë vetë trupat e njerëzve të gjakut të heroit, copëtuar nga plumbat e një bajlozi të stërmadh sa një ushtri e tërë armike që mësyu mizorisht mbi shtëpinë ku zhvillohet rrëfimi mitologjik. Sikur ajo shtëpi e sharruar nga zjarri armik të mos ishte ende aty, sikur familjarët e vrarë të Adem Jasharit të mos ishin banorë të asaj shtëpie, që figurojnë një më një, në gjendjen civile të komunës Prekaz dhe sikur vetë Adem Jashari të mos ishte një njeri i gjallë deri në 7 marsin e vitit 1998, i cili figuron edhe si klient në regjistrin e hotelit “Arbëria” në Tiranë, do të ishte realisht e pamundur t’i besohej vërtetësisë së historisë mitike të komandantit legjendar të luftës së Kosovës. Madje edhe vetë Besarta, shtojzovallja e mbijetuar e asaj masakre të pabesueshme, do të dukej si rrëfimtarja e përhumbur e një përralle, nëse familja Jashari nuk do të kishte qenë aty, mes një komuniteti të tërë shqiptarësh të zakonshëm prej të cilit u nda, e gjitha, menjëherë, në terrin mes dy ditëve të zakonshme mbi pllajën baritore të Prekazit. Madje madje edhe ajo pllajë, e kthyer sot në një varrezë unikale dëshmorësh me një trung të vetëm familjar, nëse nuk do ishte aty, pjesë reale e gjeografisë së Kosovës, do të dukej si pejsazhi i krijuar nga peneli i imagjinatës për të qenë skena magjike e zhvillimit të gojëdhanës së lashtë, për një kreshnik me emrin Adem Jashari e familjen e tij. Mirëpo jo, e gjitha është thjesht e vërtetë, e vërteta e pabesueshme e kulmimit epik të Luftës së fundit Çlirimtare në mes të Europës, bash krejt në fund të shekullit XX, ku një popull i mohuar në të drejtën e tij për liri nga një diktaturë e urrejtjes etnike dhe i poshtëruar prej harresës së gjatë të botës demokratike, ngriti krye kundër urrejtjes e harresës dhe triumfoi kundër të gjitha paragjykimeve e parashikimeve.

Adem Jashari lindi në 28 nëntor dhe vdiq për të jetuar përgjithmonë, si legjenda e gjallë e flamurit më të bukur në botë.

(er 2020)”- shkruan Rama.

Foto e publikuar nga Rama.
Ora 14:24
110 vjet pavarësi, Kryegjyshi Botëror homazhe në varrin e Sami Frashërit në Stamboll, vendos flamurin kombëtar

 

Me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë, Kryegjyshi Botëror Edmond Brahimaj vizitoi dje vend prehjen në Stamboll të Patriotit të madh të Rilindjes sonë Kombëtare, njërit prej udhëheqësve kryesore të lidhjes Shqiptare të Prizrenit  Sami Frashëri .

Kryegjyshi duke kujtuar luftën e patriotëve të mëdhenj të Rilindjes kombëtare për Liri e pavarësi bëri një lutje për kombin dhe vendin tonë që shqiptarët të ecin në rrugën e të parëve tanë dhe të punojnë siç e deshën ata Shqipërinë.

Në fund të lutjes Kryegjyshi mbuloi dhe vendosi flamurin kombëtar në vend prehjen e Sami Frashërit.

Ora 14:20
Alibeaj zgjedh vargjet e poezisë së Fishtës për të uruar festën e pavarësisë: Porsi fleta e Ejllit t'Zotit, po rrehë flamuri i Shqypnis

1669296274_Alibeaj675x450.jpeg

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, me një poezi të At Gjergj Fishtës në postuar në rrjetin e tij social ‘facebook’, ka uruar 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Poezia e At Gjergj Fishtës e postuar në facebook-un e Alibeajt si urim për festën e pavarësisë:

Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit

Po rrehë Flamuri i Shqypnis,

E thrret t’ bijt e Kastrijotit

Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!

Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!

A ngadhnyesë a t’ gjith deshmorë!

Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,

Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,

Atje lufta ndezet zhari,

Atje anmiku vehet m’ t’ leta.

 

Ora 12:34
Flutura Açka prek me urimin për 110 vjetorin e Pavarësisë, poston foto me të birin që nuk jeton më

Deputetja demokrate Flutura Açka ka uruar shqiptarët për 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë! Açka ka prekur me postimin e saj teksa ka ndarë një foto me të birin, i cili është ndarë nga jeta.

“Gëzuar ditën e Pavarësisë! Ju urojmë sipas mënyrën sonë, të dashur Miq! Sekush feston sipas mënyrën së tij! Javë të mbarë! Ju lutem, m’i kurseni ngushëllimet”, shkruan Açka.

Ora 12:20
VIDEO/ Ambasadorja e Suedisë: Shqipëri, Gëzuar ditën e Pavarësisë

Ambasadorja e Suedisë Elsa Hastad ka uruar 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Ora 11:00
Policia e shtetit uron 110 vjetorin e pavarësisë nëpërmjet një videoje: Efektivët mbartin përgjegjësinë e të qenit barrikadë ndaj krimit

 

Policia e Shtetit ka uruar 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Nëpërmjet një videoje të postuar, në nder të kësaj dite të shënuar, në njoftimin e policisë thuhet se efektivët mbartin përgjegjësinë e të qenit barrikadë ndaj elementëve kriminalë.

“Punonjësit e Policisë së Shtetit, betuar për Flamurin Kombëtar dhe në shërbim në çdo skaj të Shqipërisë, janë garantë të denjë dhe qytetarët të cilët mbartin përgjegjësinë e të qenit barrikadë ndaj krimit. Efektivët e familjes së madhe të Policisë së Shtetit, me të cilët qytetarët shkëmbejnë çdo ditë besim, përkushtim, respekt dhe përgjegjshmëri, Ju urojnë gëzuar festën e pavarësisë dhe festën e flamurit. Atdheu ynë është e mira jonë e përbashkët, është pasuria jonë e çmuar dhe përgjegjësia jonë ndaj brezave të ardhshëm, ndaj jemi 24/7, në çdo skaj të vendit, të gatshëm për t’ju shtrirë dorën e bashkëpunimit, për sigurinë tuaj, për të mirën e Shqipërisë”-thuhet në njoftimin e policisë.

Ora 10:37
110 vjetori i Ditës së Pavarësisë, Berisha uron miqtë e tij në ‘Tik Tok’: Sot jemi të lirë por Rama po i përzë të rinjtë

 

110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Sali Berisha zgjodhi ta urojë në ‘Tik Tok’ me miqtë e tij të rinj në këtë aplikacion.

“Të dashur miqtë e mi të Tik Tok-ut, me këtë mesazh dëshiroj t’ju uroj nga zemra Gëzuar Ditën e Flamurit! Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë!  Të shpreh nderimin tim më të thellë, për Ismail Qemalin dhe për të gjithë ata burra dhe gra që sakrifikuan me jetë, me penë dhe ne të gjitha format bënë të mundur pavarësinë e këtij vendi”, i nis urimin e tij Berisha.

Ai thotë se Pavarësia e Shqipërisë është festa e të gjitha festave të shqiptarëve.

“Pa pavarësinë e Shqipërisë, ne do të ishim vidhisur në honet apo mjegullnajat e Ballkanit. Lavdi Zotit, sot ne jemi të lirë! Në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo që ndodhemi”, vijon Berisha.

Por ish-Kryeministri i ka disa akuzua për Ramën dhe qeverinë edhe në këtë urim.

“Por sot, ne kemi një problem shumë të madh, këtë regjim i cili, me politikat që ndjek, me antireformat që realizon, me plaçkitjen që i bën pasurisë kombëtare dhe fondeve publike, po përze shqiptarët!  Po përze rininë e kombit, sa asnjë regjim tjetër në histori. Ndaj dhe kjo ditë është një thirrje për çdo të ri të këtij vendi, për çdo shqiptar të marrë përgjegjësitë e tij në mënyrë që Shqipërinë, këtë tokë të begatë, këtë vend të bekuar ta shndërrojmë në kopshtin më të bukur të ëndrrave tona në shtëpinë e së ardhmes sonë. Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti ju bekoftë ju! Faleminderit shumë”, shkruan ndër të tjera Berisha.

Ora 10:14
110 vjetori i pavarësisë, Osmani homazhe në varrin e Adem Jasharit: Hero i dinjitetit tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur homazhe tek varri i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjes së komandantit.

“I vendosur, guximtar e luftarak. Ky është komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Në shënimin e ditës së lindjes, u përulëm para varrit të tij dhe familjarëve, të cilët u bën fli për lirinë tonë.  Ai hyri një herë në histori për të mbetur përherë dhe për t’u kujtuar veçanërisht më 28 nëntor, krahas Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Një ditë dhe tri data historike. Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë! Ai është i gjallë”, ka shkruar Osmani për homazhet e saj në Prekaz.

Gjatë vizitës së saj, ajo ka qenë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, ministri i Mbrojtjes, Ahmed Mehaj dhe anëtarë të kabinetit të saj.

Ndërkohë gjatë mëngjesit të sotëm, edhe deputetë të tjerë të lëvizjes Vetëvendosje kanë kryer homazhe para bustit të heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu në Prishtinë.

Ora 09:40
Veliaj uron 110-vjetorin e Pavarësisë me fjalët e Ismail Qemalit: Le të punojmë për ta përparuar Atdheun

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ka uruar shqiptarëve 110-vjetorin e Pavarësisë. Ai ka përzgjedhur një shprehje nga Ismail Qemali.

“110 VJET PAVARËSI - GËZUAR DITËN E FLAMURIT. “… tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për ta përparuar e për ta qytetëruar, si i ka hije, Atdhenë tonë të Lirë…” - Ismail Qemali”, shkruan Veliaj.

Ora 09:37
Konkursi i pikturës ‘Shqipëria ime 2022’  Ministrja Kushi uron Festat e 28-29 Nëntorit përmes punimeve fituese

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka zgjedhur t’i urojë ndryshe festat në nëntorit. Kushi ka publikuar disa prej punimeve fituese nga konkursi i pikturave "Shqipëria ime 2022". Ministrja thotë se artistët e vegjël përmes këtyre pikturave i kanë bërë promovim Shqipërisë përgjatë muajit nëntor, ndërsa njofton se së shpejti ato do të vendosen në një ekspozitë.

“Urimin më të përzemërt për Festat e 28-29 Nëntorit dua ta përcjell përmes fituesve të konkursit të pikturës "Shqipëria Ime 2022". Këta artistë të vegjël të talentuar i kanë bërë gjatë këtij muaji promovimin më të veçantë Shqipërisë sonë të bukur, duke përcjellë vlerat më të larta të atdhedashurisë, krenarisë kombëtare, figurave dhe simboleve tona më të dashura, si dhe ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e popullit tonë.

Këto janë çmimet sipas vlerësimit të publikut (përmes pëlqimeve reale) për tre albumet e publikuara sipas grupmoshave të klasave 1-5, 6-9 dhe 10-12.

Së shpejti, këto piktura dhe të gjitha pikturat e tjera finaliste në të treja albumet do t'i gjeni në një ekspozitë të veçantë që do ta shpallim në ditët në vijim, ku do të organizojmë edhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve me pjesëmarrjen e të gjithë finalistëve. Ju falënderoj të gjithëve me zemër dhe ju uroj gëzuar festat", shkruan Kushi.

Ora 09:34
110 vjetori i pavarësisë, Basha: 28 nëntori na bashkon plot krenari dhe mirënjohje për veprën e pavdekshme të heronjve

Ish kryedemokrati Lulzim Basha ka uruar shqiptarët për 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë në Vlorë. Nëpërmjet një postimi në facebook, Basha shkruan se 28 nëntori i bashkon shqiptarët në mirënjohjen për heronjtë dhe dëshmorët e kombit.

“Gëzuar 28 Nëntorin, ditën e madhe që na bashkon plot krenari dhe mirënjohje të thellë për veprën e pavdekshme të heronjve dhe dëshmorëve të Kombit. Sakrifica e tyre në altarin e lirisë kombëtare, mban ndezur në zemrën e çdo shqiptari flakën e besimit tek e nesërmja.  Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!”- shkruan Basha në urimin e tij.

Ora 09:28
110 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, Peleshi: Flamuri shqiptar do ngrihet në çdo arritje ndërkombëtare

Ministri i Mbrojtjes ka ndarë një urim për 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Peleshji uron të gjithë shqiptarët ndërsa shkruan se ky 110 vjetor sot na bashkon më shumë, në një kohë kur liria dhe paqja janë bërë më të shtrenjta për shkak të luftës në Ukrainë.

“Dita e flamurit këtë vit ka më shumë emocion, më shumë vlerë. Ky 110 vjetor i pavarësisë na përbashkon më fort. Liria dhe paqja për ne shqiptarët dhe për mbarë njerëzimin, është bërë më e shtrenjtë.

Agresioni rus ka tronditur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregullat duke e sjellë sigurinë në qendër të vëmendjes shoqërore.  Simboli i vetëdijes kombëtare është Flamuri kombëtar. Ai është ylli orientues i shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e kudo ku jetojnë me dinjitet e identitet kombëtar.

Me këtë Flamur, sot në NATO e nesër në BE, ne do të prezantojmë Shqipërinë moderne. Ky flamur do të ngrihet në çdo arritje ndërkombëtare, në kulturë, art, sport, shkencë e teknologji.

Forca e këtij Flamuri e bëri Luiza Gegën të vraponte më shpejt e të dilte e para në Europë e duhet të na bëjë edhe ne të kapërcejmë mbi kohën e të dalim në krye. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit tonë kuqezi”, shkruan Peleshi.

Ora 09:18
110-vjetori i Pavarësisë, Ministrja e Jashtme: Shqipëria sot kontribuese e denjë në sfidat që prekin mbarë botën

 

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka uruar të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit Ministrja Xhaçka theksoi se ky është një moment krenarie për gjithë shqiptarët, por edhe një moment për të reflektuar mbi arritjet dhe punën që duhet çuar përpara.

“Sot Shqipëria është një realitet krejt ndryshe. Vendi ynë, kombi ynë është rreshtuar në anën e duhur të historisë ashtu si 110 vjet më parë kur shqiptarët triumfuan në luftën e tyre për pavarësi. Sot, Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka hapur negociatat me BE-në, qëndron e ulur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe po kontribuon në disa prej çështjeve më të rëndësishme me të cilat bota po përballet”, u shpreh ajo në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale.

Ora 09:16
110 vjetori i pavarësisë, Nikolla: Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe qëndron denjësisht në krah të SHBA dhe BE

1668879826_20220224104945kyiv696x431.jpg

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Sot, 28 Nëntor, 110 vjet Shqipëri e pavarur! Shqipërinë e pavarur e themeluan patriotët shqiptarë, të udhëhequr nga Ismail Qemali. Formimi i shtetit shqiptar ishte rezultat i luftërave të popullit shqiptar për t’u shkëputur nga perandoria osmane.

Ishin këto luftëra e këto përpjekje që, me mbështetjen e Fuqive të Mëdha të kohës, mundësuan njohjen, përcaktuan statusin politik, kuadrin juridik dhe kufijtë shtetërorë të Shqipërisë së pavarur.

Historia nuk është vetëm rrëfim e arkiva, por edhe një shkollë atdhedashurie, përkushtimi e kontributesh për t’i shërbyer kombit, në misionin dhe qëllimet që shtron koha. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, në një fazë të re të rrugëtimit evropian, dhe qëndron  denjësisht në krah të partnerëve strategjikë, SHBA dhe BE.

Më 6 dhjetor Tirana do të jetë kryeqyteti politik i Evropës, ku udhëheqësit e së cilës do të diskutojnë sfidat e integrimit, zhvillimit, sigurisë dhe paqes!”, shkruan në mesazhin e saj Kryetarja e Kuvendit.

Ora 08:33
110 vjetori i pavarësisë, Rama: Ditë e bekuar e kombit tonë, gëzuar të gjithëve

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një urim për 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Krahas urimit, Rama ka ndarë edhe një foto me këngëtaren Dua Lipa e cila mori dje shtetësinë shqiptare, ndërsa i fton të gjithë të marrin pjesë në koncertin e Duas në sheshin ‘Skëndërbej’.

“Mirëmëngjesi dhe me qytetaren më të re të Shqipërisë, ju uroj të gjithëve gëzuar përvjetorin e 110 të Flamurit të Pavarësisë, këtë ditë të bekuar të kombit tonë që sot do të mbyllet me Duan në Sheshin Skënderbej”, shkruan Rama.

Ora 08:25
110 vjetori i pavarësisë, Meta: Patriotizmi duhet të jetë pishtari që na ndriçon për të mbrojtur Shqipërinë nga rreziqet e reja

Kryetari i partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar festën e 28 nëntorit në kuadër të 110 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Nëpërmjet një postimi në facebook, shkruan se patriotizmi dhe sakrificat për flamurin kombëtar duhet të jenë pishtar për të mbrojtjen e Shqipërisë nga rreziqet e reja.

“Sot në Ditën e Flamurit Kombëtar, përulemi me nderim para veprës së ndritur të Ismail Qemalit dhe Etërve të Pavarësisë, që 110 vjet më parë themeluan shtetin modern duke patur për ideal të shenjtë vetëm Atdheun dhe fatet e Tij. Patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhen të jenë në çdo kohë pishtari që na ndriçon mendjet dhe udhën e duhur ku duhet të ecim për të mbrojtur Shqipërinë nga çdo rrezik i ri dhe për ta bërë këtë tokë të bekuar sa më të begatë, ku sot e mot të gjithë shqiptarët dhe fëmijët e tyre të jetojnë me dinjitet dhe krenari. Lavdi përjetë 28 Nëntorit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit!”-shkruan Meta.

SI.E./G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 29/11/2022 01:53

    Gezuar te gjitheve! Sot vendosem t'a festojme me nje gatim shqiptar,me byrek,por dhe neser do t'a festojme me nje darke te mire e embelsira.Gezuar festat dhe te bashkuar qofshim perhere!

    Përgjigju
  • Nips i Gjergj Kastriotit: 28/11/2022 19:29

    RROFTE SHQIPNIA PA TURQ.

    Përgjigju
  • ana: 28/11/2022 14:08

    amasadoria e vendit tone e cila na nderon kudo performon

    Përgjigju
  • ilir: 28/11/2022 13:40

    respekte pa fund qe zgjodhi vendin tone kete dite

    Përgjigju
  • petrit: 28/11/2022 13:40

    Gezuar shqipni gezuar o e embla shqipni

    Përgjigju
  • Juli: 28/11/2022 13:15

    Gezuar pavaresine shqiptareve kudo qe ndodhen!

    Përgjigju
  • Doni: 28/11/2022 12:53

    Ju dy copat e mishit mos flisni fare se ju vetem keq i keni ber kti vendi jeni armiket e shqipris

    Përgjigju
  • tosi: 28/11/2022 12:45

    po dhe ne tik tok na shfaqet ai nongrad pensjonist qe do te vjedhi shqiperin

    Përgjigju
  • titi: 28/11/2022 12:40

    urime duas tani eshte nje shqipetare e ndershme

    Përgjigju
  • Armand: 28/11/2022 12:40

    Menyr me te mire per te festuar pavarsine nuk mund te kishte

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 28/11/2022 11:39

    NGJARJE MË E MADHE KOMBETARE E PANDODHUR DERI TANI U REALIZUA:MBLEDHJA E PËRMBASHKËT E DY PARLAMENTEVE SHQIPTARE KOSOVE-SHQIPËRI. PROVUAM LARTESI TE PAPARË EMOCIONALE. NE KËTË KUVEND MUNGONIN DY BURRA SA TË MENÇUR AQ ATDHETARË QË ME VEPRËN E TYRE VULOSËN ARDHËMËRINË E KOßOVËS PRESIDENTI IBRAHIM RUGOVA DHE KOMANDANTI LEGJENDAR ADEM JASHARI.

    Përgjigju
  • Regi: 28/11/2022 11:20

    Festofshim e shum festa te tjera kaq te lumtur!

    Përgjigju
  • Gero: 28/11/2022 11:19

    Dit e vecant per je shqiptaret! Te duam fort shqipria jon!

    Përgjigju
  • Vasili: 28/11/2022 10:28

    Dite feste thone!na hiqen si patriot qe keta politikanet tan hajduta nuk lan gje pa vjedh popullit e vendit tyre,Ilir hajduti ben shqiponjen,e ka henger turpin me buk,turp edhe per spakun,drejtësia e korruptuar,politikan ,te gjitha institucionet te korruptuar,ja pra pse nuk behet shqiperia

    Përgjigju
  • Fshati: 28/11/2022 08:50

    110 vjet shtet, 110 vjet korrupsion e masakra kunder popullit shqipetar, dhe asnje i denuar para drejtesise. Dite feste per eliten e korrupruar. Dite emigrimi si gjithemone per popullin e thjeshte.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Economic Times': Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për të vizituar në 2025

'Economic Times': Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për të vizituar në 2025