Jeni ndër themeluesit e PD, si e vlerësoni ecurinë e demokracisë në Shqipëri?
Në fakt jam një ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore të vitit 1990, duke qenë me një grup shokësh bashkëstudentë bërthama frymëzuese e vepruese e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Është spekuluar historikisht me lidershipin e Lëvizjes studentore, me emrat, me protagonistët, saqë tekstet që janë bërë publike nga autorë të ndryshëm periferikë janë shumë larg së vërtetës. Tekstet për t'u referuar saktësisht janë "Probleme shqiptare" dhe "Përrallat e tranzicionit shqiptar" të Prof. Dr. Shinasi Ramës, aktualisht profesor klinik i politikës në NYU dhe Columbia, ShBA. Tekstet e tjera si "Piedestale pa statuja" apo shkrime periodike gazetash me rastin e përvjetorëve të Lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990 janë emocionale, irracionale dhe s'kanë të bëjnë me thelbin e lëvizjes. Pas përballjes treditore me diktaturën u themelua PD, sigurisht nga studentët dhe një grup pedagogësh që iu bashkëngjitën lëvizjes pasi u fitua me forcën e protestës pluralizmi politik.
Si ka ecur demokracia...?
Demokracia shqiptare ka pasur një ecuri kaotike, me një diagramë që të kujton grafikun e një të sëmuri me zemër, me kriza të ashpra, si ajo e vitit 1997, e me të tjera më të zbutura si të mbyturit e Otrantos, tragjedia e Gërdecit, 21 Janari 2011, etj. Kjo ka ndodhur sepse lidershipi politik i PD i mënjanoi idealet e mishëruara në programin minimal të PD të fillimeve të veta, por edhe njerëzit që e mishëruan atë program, hap pas hapi nga viti në vit deri sa rrëshqiti në një formacion gati-gati ushtarak pa uniformë dhe autoritar në vitin 1995 e prapa. Nga një parti e reformave të mëdha në vitet 1992-1995 ajo u kthye në një turmë populiste ku fliste vetëm lideri kryesor dhe onturazhi rreth tij përsëriste demagogjinë e liderit dhe imitonte gjestet e tij.
PD u themelua për realizimin e idealeve të dhjetorit, sa ia ka arritur këtij qëllimi?
Dy qëllimet kryesore të formuluara qartë nga Lëvizja Studentore kanë qenë:" Liri, demokraci" dhe "E duam Shqipërinë si gjithë Europa". Sot, pas 22 vjetësh kemi vetëm liri verbale për të biseduar nëpër rrethe miqsh ndërsa demokracia në terma politikë është deficitare. Sepse sistemi politik në Shqipëri është marrë peng ligjërisht nga elita politike e të gjitha krahëve, sipas rrotacionit që ka pasur në pushtet. Nga të gjitha partitë politike të formuara pas shpalljes së pluralizmit politik, publiku i gjërë ka në memorien e tij respektivisht formacioneve këto emra: Sali Berisha, Fatos Nano, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Vangjel Dule etj, të mos rreshtoj emrat e 126 kryetarëve politikë të përjetshëm, të cilët janë në armiqësi të hapur vetëm me ligjet biologjike. PD nisi si lëvizje, krijoi një program dhe statut që nuk e zbatoi kurrë, por nuk u kthye faktikisht asnjëherë në një parti politike moderne, për shkaqe që dihen nga vetë uzurpuesit e saj.
Nuk ka demokraci të brendshme në Shqipëri...?
Asnjë parti politike shqiptare nuk ka demokraci të brendshme dhe të jashtme. Duke qenë se partitë politike janë kollonat e sistemit politik demokratik dhe këto kollona janë totalitare, autoritariste, si mund të ketë demokraci politike në Shqipëri. Më komikja është, kur kryetarët e partive politike bëhen nëpunës të pushtetit, këshilltarë, drejtorë, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë. Megjithatë, idealet s'mund të arrihen të gjitha. Sepse po t'i besonim plotësisht Francis Fukujamës, "Demokracitë e vendeve të Lindjes janë demokraci pa demokratë"
Demokratët kanë 13 vjet që janë në pushtet. Mendoni se qëndrojnë ende në boshtin e djathtë të spektrit politik?
Demokratët kur kanë qenë në pushtet nuk kanë qenë asnjëherë plotësisht në boshtin e djathtë të spektrit politik. Paritë politike shqiptare vuajnë të gjitha nga diabeti i socialdemokracisë verbale. Edhe PD në masë të madhe. Sepse në vitin 1991, në kundërshtim me programin e shpallur, miratoi në bashkëpunim me PPSH-në e Ramiz Alisë ligjin leninist 7501 "Për tokën". Jo vetëm e miratoi, por edhe në vitin 1992, kur kishte 2/3 e Kuvendit nuk e abrogoi këtë ligj antizhvillimor bolshevik, që e ka lënë vendin me dekada pas vendeve të tjera ish-komuniste. PD s'ka asgjë të përbashkët me spektrin e djathtë në kuptimin ideologjik. Qeveritë e PD gjithnjë kanë rritur pagat e nëpunësve militantë e pensionistëve që janë në shumicë votues të së majtës. Ende në varrezat e dëshmorëve prehen të qetë ish anëtarë të Byrosë politike komuniste që kanë vdekur në shtrat nga sëmundjet ose mosha. Ndërsa familjet e dëshmorëve(që nuk u dihet numri (28000 apo 2800) marrin pensione të veçanta, të përdjekurit politikë vdesin përditë të pashpërblyer as moralisht, as financiarisht.
Mendoni se jemi në krizë...?
Ekonomia e tregut është e përmbytur nga evazioni fiskal dhe informaliteti që udhëhiqet nga një oligarki politiko- financiare e të gjitha krahëve. Po ju jap disa shembuj: Në Shqipëri ekzistojnë rreth 400 000 ndërtime të paligjshme, që janë të poseduara nga të paktën 2 000 000 qytetarë e katundarë, të cilat presin ka 10 vjet që të legalizohen. Do thotë që gati 2/3 e qytetarë/ katundarëve do bëhen të ligjshëm nga një qeveri e "spektrit të djathtë" dhe do t'u dhurohet toka e ish-pronarit të dhunuar, ndërsa 1/3 e qytetarëve të tjerë që nuk e ka shkelur kurrë ligjin, do të paguajë taksat për të ligjëruar dhunuesit e pronës. Kjo është absurde. Të marrim tregun e energjisë elektrike. CEZ-i është kompania e vetme në treg (ish-KESH-i i privatizuar), kompani monopol që e shkel me këmbë konkurencën e lirë, apo Kolaudimi i makinave që keqdrejtohet nga një kompani monopol austriake. Por ligjet e konkurencës i ndalojnë monopolet në ekonomitë e tregut të lirë.
Çfarë ju lidh me Partinë Demokratike, pasi nuk ju kemi parë jo vetëm në aktivitete por dhe në asnjë post drejtues apo politik?
Me PD më lidhin miqtë e mi të Lëvizjes sudentore, mijëra anëtarë të saj që s'votojnë alternativat qeverisëse, por kundër të majtës së mishëruar në portretin e Gramoz Ruçit (ministri i fundit i Policisë sekrete komuniste) dhe të fëmijëve të bllokut komunist. Sa për pjesëmarrjen në aktivitete unë marr pjesë në çdo 8 Dhjetor e 12 Dhjetor, kur më ftojnë miqtë e mi demokratë. Sa për poste drejtuese në qeveri apo politike lidershipi i PD më ka bërë një nder historik: ma ka ruajtur dinjitetin para miqve të mi demokratë, duke mos më propozuar për të qenë në një krah me ish-hetues të diktaturës, ish-enveristë të shoqatës "Vullnetarët e Enverit" apo të ngjashmit e tyre.
Në lidershipin e PD tashmë s'ka asnjë ish-themelues, përjashtuar Berishën...?
Konstatimi juaj është absolut, e si pasojë pjesërisht i vërtetë. Ish-themelues, përveç Berishës janë Genc Ruli dhe Arben Imami, Mark Marku dhe Mesila Doda etj. Është e vërtetë që s'janë të gjithë ish themeluesit. Azem Hajdari s'ka pasur konsumim politik, por është pushkatuar pa gjyq nga segmente politike të llojit majtis-enverist, Arben Broci po ashtu u vra nga policia e Gramoz Rucit, Shinasi Rama u largua kur e parashikoi se si po tradhëtohej Lëvizja Studentore nga uzurpatorët e ndoqi karrierën akademike në shkencat politike në SHBA. Ndërsa disa të tjerë janë vetëlarguar e riafruar sipas interesit pragmatist të pushtetit. Sa i përket frymës autoritariste në PD, ajo frymë ka dalë që në nisje e në mënyrë sistematike nga mushkëritë e të gjithë pjestarëve të lidershipit të PD. Të gjitha partitë shqiptare vuajnë nga totalitarizmi dhe autoritarizmi, siç e përmenda më lart.
Në përvjetorin e krijimit të PD, ju ishin një nga personat më afër kryeministrit Berisha, teksa ai pati një gjendje të fikti. Çfarë ndjesie provuat teksa shihnit të 'shembej' një ndër liderët kryesorë të dhjetorit '90?
Kisha ndiesinë se do të jepte një mesazh tjetër nga ai që i mbeti pa u lexuar. Ishte një fjalim i gjatë dhe i stërlodhdhëm, jo vetëm për atë që e lexonte, por edhe për ata që s'po e dëgjonin. Nuk parandjeja se do të "shembej", sepse nuk do ta linim ne të binte atë rast, siç nuk e kemi lënë të rrënohej në vitin 1997. Ne, studentët e Dhjetorit kemi ecur gjithmonë në rrugën tonë dhe Berisha ka qenë me ne kur ka ardhur në rrugën tonë. Sa herë që ka hipur në pushtet i janë afruar bashkëudhëtarë të tjerë apo ka zgjedhur disa shërbëtorë të bindur ndaj pushtetit në shkëmbim të privilegjeve që të jep qenia në qeverisje.
Eshtë krijuar një parti e re politike, FRD, e cila rëndom quhet partia e Topit. Ju do të kontribuoni në këtë parti..?
Formalisht është parti e "re", e shpallur dhe ende e pamiratuar nga gjykata në bazë të ligjit. Nuk e di a do jetë biologjikisht dhe ideologjikiht e re, në kuptimin thelbësor të kësaj fjale. Nuk më pëlqen që quhet "Fryma", sepse ka konotacion revolucionar dhe leninist si bie fjala, "Garda e Re". Do kisha dëshirë që të bëhej parti e vërtetë moderne e spektrit të djathtë, meqenëse ky segment i politikës është bosh. Më jep një shije të keqe togfjalëshi "Partia e Topit", partia e një njeriu dhe nuk di sepse më kujtohen vargjet e Majakovskit: "Kur themi Lenini, nënkuptojmë Partia/kur themi Partia, nënkuptojmë Lenini". Nëse është formacion politik që identifikohet me një njeri, dhe anëtarët e tjerë punojnë dhe fshehin fytyrat e tyre, apo marrin tiparet e liderit mesianik që po e presim prej shekujsh(muajsh) të vijë nga presidenca apo ekrani i TV-ve, atëherë ky organizëm frymor mund të ketë jetë të gjatë biologjike, por jo politike. Megjithatë, le të presim çfarë do të shfaqet pas frymës, pra programi, strukturat, njerëzit e besueshëm për mbështetësit, që do ta mbajnë frymën gjallë. I vetmi person që më lidh më atë formacion deri më tani është Gazmend Oketa, një nga studentët e grevës së urisë së shkurtit 1991, qytetar i denjë dhe konstruktor i zoti, por pa eksperiencën e mjaftueshme në labirinthin pa 'fill Ariane' të politikës shqiptare dhe ballkanike..
Aleanca me të majtët e LSI ka krijuar kosto politike apo ka referuar arritje në qeverisje në këto katër vite?
Sigurisht që ka krijuar kosto të madhe politike. Në zgjedhjet e ardhshme PD do të marrë shumë më pak vota për shkak të aleancës së skajshme pragmatiste me LSI, e cila me vetëm katër deputetë ka përfituar rreth 20% të pushtetit në të gjitha nivelet. Ka një perceptim publik që LSI ka ndërruar me veprimet e zyrtarëve të saj emrin në Lëvizja Socialiste për Korrupsion. Me videoskandalet e opinionin e të gjithë qytetarëve, por dhe me sjelljen e të gjithë zyrtarëve të LSI që kërkojnë ryshfete e para pa iu trembur syri, zhgënjimi i votuesve demokratë do ta shmangë votën te partitë e tjera të ashtuquajtura të djathta të spektrit politik.
Po të majtët...?
Ndërsa të majtët do të votojnë në bllok, veteranë dhe freshistë, ish-sigurimsa dhe ish-komunistë sepse i kanë në postera fytyrat tërheqëse të tyre: Edi Ramën modern dhe avanguardist ortodoks dhe Gramoz Ruçin tradicionalist enverist, tepelenas-salariot që ende pas 25 vjetësh banor i Tiranë e shqipton fjalën trotuar në "tortuar". Arritjet në qeverisje janë të diskutueshme, sidomos në mandatin e dytë, si për shkak të krizës së gjithanshme të eurozonës, ashtu edhe për shkak të mungesës së profesionistëve të LSI në administratë e të babëzisë së tyre të pangopur për t'u pasuruar përmes pushtetit.
Mendoni se kjo qeverisje mund të bindë qytetarët shqiptarë dhe për një mandat të tretë në krye të vendit?
Pushteti i gjatë jo vetëm e konsumon, por edhe e korrupton vetveten. Sa më gjatë të qeverisësh aq më shumë zvogëlohet bindja e qytetarëve në vazhdimësinë e qeverisjes. Po të shihen rezultatet e zgjedhjeve në Greqi, Serbi dhe Francë, rezultate të ndikuara fortësisht nga kriza ekonomike, mund të bëhet një prognozë e përafërt për zgjedhjet e vitit 2013: PD dhe PS do të zbresin në përqindje krahasuar me 2009, ndërsa partitë e tjera do të rriten. Por asnjëra nga dy partitë kryesore nuk do të arrijë të formojë vetë qeverinë. Ekziston edhe një mundësi që të dy partitë kryesore të formojnë një qeveri koalicioni të motivuara nga integrimi në BE, dhe ky do të ishte fundi i lojës së tyre, apo i pazarit final kriptokomunist ballkanik. Sepse PD-PS s'kanë ndryshim ideologjik, janë parti formalisht socialdemokrate.
Mendoni se opozita e drejtuar nga Rama ka shanse për të ardhur në krye të vendit në zgjedhjet e vitit 2013?
Dikush do ta marrë pushtetin, sipas ligjit të rrotacionit. Ndërkombëtarëve u intereson në të gjitha vendet e Lindjes më tepër stabiliteti se sa demokracia. Stabiliteti u duhet atyre, ndërsa neve na duhet demokracia e zhvillimi. Do ishte jashtë çdo përfytyrimi që opozita e sotme me Ramën në krye të formonte aleanca me partitë e ashtuquajtura të djathta shqiptare, sepse do të skuqej edhe njëherë vetë faqja e turpit nga një pragmatizëm i tillë. Gjë që, në kushtet normale të absurdit politik shqiptar ka shumë mundësi të ndodhë.
Ka një debat për zgjedhjen e Presidentit, mendoni se emrat e përmendur në tregun politik mund të plotësojnë kushtet për zgjedhjen e një kryetarit shtetit simbol të unitetit të popullit?
Ky debat më duket krejt i kotë dhe joproduktiv, kur Kushtetuta e ndërruar me marrëveshje në vitin 2008 e ka të qartë se si mund të zgjidhet presidenti në mënyrë kushtetuese. Diada politike PD-PS që bëri ndryshimet kushtetuese i ka të plota votat për ta rikthyer Kushtetutën në normalitet ose të ndryshojë formën e zgjdhjes së presidentit duke e kaluar në referendum popullor, pra me zgjedhje direkte të tij. I vetmi emër i përmendur që e meriton për t'u zgjedhur me konsensus është Fatos Lubonja: kalorës i fjalës e i ndërgjegjes së lirë, ish-i burgosur politik, analist e njeri me dinjitet dhe i pakorruptueshëm, që ka vizione moderne europiane për shoqërinë e shtetin. Por ka shumë gjasa që ai të mos propozohet nga faktorët politikë, sepse s'është i ngjashëm me ta dhe politika e oligarkisë financiare do nënshkruante dënimin me vdekje në në rast se do ta pranonte një kandidat të tillë.
(jm/im/shqiptarja.com)