Gjendet në Londër 7 muaj pasi humbi gjurmët Nesti Pina. Lajmin e konfirmoi për ’Pa Gjurmë’ në Report TV Mikail Pina, i cili zbuloi dhe arsyen e vërtetë pse i vëllai ndërpreu kontaktet me familjen. Një aksident i rëndë për pak sa nuk i mori jetën 53-vjeçarit nga Roskoveci, i cili për 4 muaj me radhë qëndroi në koma në një spital në Londër. I vëllai sqaron se, sot Nesti është në gjendje të stabilizuar shëndetësore, por ende nuk e ka kaluar traumën dhe pasojat në trup që i ka lënë ky aksident.
’Ne nuk e kemi ditur deri sot, kur mësuam cfarë kishte ngjarë. Vëllai ka pësuar një aksident në Londër dhe ka qëndruar 4 muaj në gjendje kome, pasi u godit nga një makinë. Për momentin është mirë por pasojat i ka ende. Nuk i ka ardhur si duhet kujtesa, ka sërish humbje të saj. Ka qenë vetë ai, i cili dy muaj pasi doli nga koma, i ka kërkuar personelit që ta dërgonin tek një bashkëfshatar i yni dhe ashtu kemi mundur të lidhemi. Edhe për momentin që flasim duket që ka ende probleme fizike. Në njërën këmbë ka të vendosur hekura, pasi ka pësuar dëmtime në trup. Ka dalë nga spitali dhe aktualisht ndodhet në Londër, në shtëpinë e një shokut tonë.Për momentin është duke u ndjekur ende nga mjekët dhe do të shohim si do të shkojë gjendja e tij shëndetësore, më pastaj patjetër që do të kthehet në Shqipëri’-u shpreh i vëllai
Nesti Pina prej 4 vitesh jetonte në Britani, ndërsa ishte zhvendosur atje me dokumenta greke, pas divorcit me bashkëshorten pak vite më parë. Babai i dy fëmijëve i dha fund martesës pas afro 20 vitesh, ndërsa vetë u largua nga Greqia, duke u ndarë edhe me fëmijët e tij që tashmë jetojnë me nënën e tyre.
Gjetja e Nestit ka qetësuar disi zemrën e nënës Vangjeli, e cila nuk rreshti së bëri apel për ndihmë në ’Pa Gjurmë’. E ndërkohë që njëri nga vëllezërit u gjet një tjetër djalë rezulton i humbur në familjen Pina. 74-vjeçarja nënë e 5 djemve është ende në kërkim edhe të djalit tjetër, Sandër Pina, i zhdukur nga Greqia në vitin 1998.