Si motivohet shkarkimi i një gjenerali?
Me procedurë normale më parë duhet të ishte mbledhur Komisioni i Veçantë i Karrierës, i cili përbehet vetëm nga ushtarak me grade madhore, dhe në bazë të arritjeve rekomandon avancimin ose jo në gradë më të lartë. Në rast se nuk rekomandohet atëherë gjeneralët ashtu si, gjithë ushtaraket e tjerë, në baze të Ligjit të Gradave dhe Karrierës kur plotësojnë kohen maksimale të qëndrimit në një gradë dalin në rezerve. Në bazë të ligjit por edhe bazuar në eksperiencën 9 vjeçare, komisionet e karrierës për të gjitha gradat mblidhen brenda muajit qershor. Çuditërisht dekreti i lirimit u firmos para mbledhjes se Komisionit, pra asnjë nga gjeneralët e shkarkuar nga detyra nuk janë vlerësuar nga ky komision . Komisioni është mbledhur menjëherë mbase lirimit tonë. Ministri i Mbrojtjes nuk mund të propozojë lirimin kur s’ka një vlerësim e propozim nga Komisioni i Veçantë i Karrierës. Unë jam ushtarak karriere dhe kam kaluar në të gjitha institucionet e Forcave të Armatosura. Në analizën time kjo është shkelje e hapur dhe e pastër e procedurave te shprehura qartë në ligj. Po kështu në dekretin e Presidentit për daljen në lirim mungonte referimi i ligjit për gradat dhe karrierën në FA. Është thjesht një largim i bërë me nxitim për arsye që unë nuk jam në gjendje realisht të jap një arsye. Si të thuash është një enigmë.
Shkarkimi i 3 gjeneralëve bëhet një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme. Ju e lidhni me këtë ngjarje?
Sa i përket arsyes politike nuk mund ta pranoj. Jam ushtarak karriere, njoh ligjin, statusin e ushtarakut dhe e respektoj atë me korrektësi. Kam 31 vite si ushtarak i Forcave të Armatosura dhe 40 vite në ushtri. Jam shumë krenar për këtë, e që në drejtimin tim forcat ajrore, me një personel të shkëlqyer, që nga 2007 e deri në ditët e sotme kanë realizuar misionet e ngarkuar. Kemi menaxhuar me sukses situatat e emergjencave civile duke shpëtuar dhjetëra e qindra jetë njerëzish duke bashkëpunuar me drejtuesit vendor pa dallime se kë përfaqësojnë.
Mund të ndodhi që trupat e ushtrisë të përdoren gjatë procesit zgjedhor?
Është e papranueshme nga vetë statusi. Ushtaraket tanë tashme kanë përvoje të gjatë, pozitive e negative. Unë besoj se dinë të ruajnë asnjanësinë. Do të ishte e pa pranueshme që kontingjente ushtarake të zbatonin urdhra të pa ligjshëm. Përgjegjësia ligjore do jetë e rëndë për urdhërdhënësin e zbatuesit e urdhrave të pa ligjshëm.
Në çfarë procesi janë tanimë Forcat Ajrore Shqiptare?
Forcat Ajrore janë transformuar plotësisht, kanë një strukturë të vogël dhe në përqasje me standardet e NATO-s. Krahas punës për modernizim paralel vijon dhe procesi i transformimit të teknikës e armatimit të vjetër që kemi pasur në përdorim. Forcat Ajrore kanë pasur një potencial shumë të madh avionësh, helikopterësh, si dhe sisteme radari, raketa të sistemit kundërajror e artileri kundërajrore. Këto sisteme me teknologji të vjetër nuk mund të përdoreshin më për përballimin e kërcënimeve e rreziqeve të reja. Ato nuk janë në përputhje me standardet e NATO-s, aq më tepër kur vendet e tjera kanë mjetet shumë moderne. Kështu në bazë të vendimeve politike ato me kohë kanë dalë jashtë strukturave të Ushtrisë, nuk janë më në inventarin e Forcës Ajrore, është bërë transformimi i tyre e kanë dalë për shitje. Deri tani sistemet kundërajrore janë transformuar plotësisht. Raketat SAM-2 pas një procesi të gjatë u çmontuan duke u hequr karburantet speciale me elementë kimikë kancerogjenë, që ishin brenda tyre, gjë që u bë nga një firmë e specializuar suedeze. Janë në proces avionët dhe helikopterët ku është bërë dhe klasifikimi i tyre. Disa ekzemplarë janë përcaktuar për t’u përdorur në muzetë e Forcave te Armatosura, Muzeun e Forcës Ajrore, ndërsa një pjesë tjetër janë shpallur për shitje pasi janë afruar njerëz të pasionuar si koleksionistë të cilët duan t’i blejnë. Ndërkohë oferta kanë ardhur dhe nga muze të ndryshëm të botës që janë të interesuar t’i kenë në arsenalin e tyre të ekspozimeve për këto tipa avionësh.
A mund ta quajmë këtë shkatërrim të Flotës Ajrore Shqiptare?
Forca Ajrore në bazë të koncepteve të reja po pajiset me helikopterë modern për transport trupash, kërkim shpëtimi, për transport mjekësor e më vonë edhe me helikopter të mbështetjes me zjarr. Megjithëse kemi pasur një përvojë të spikatur në përdorimin e avionëve MIG, për kushtet e sotme, bazuar në mundësitë financiare mund të them se ne nuk jemi në gjendje që në periudhë afat shkurtër të kemi avionë gjuajtës kapës. Madje nuk jemi në gjendej të mbajmë as një skuadrilje me avion modern, pasi kanë kosto shumë të madhe operacionale. Avionët MIG thuajse kanë dalë nga inventari dhe në ato vende që i mbajtën deri tani e investuan për t’i modernizuar. Kostoja e mbajtjes së një aviacioni luftarak ka qenë e madhe për vendin tonë. Në vitet ’80 për të ngritur në ajër MIG-ët shqiptarët u detyruan të mblidhnin rripat. U bënë shpenzime të mëdha që ndikuan në mirëqënien e popullit. Sot nuk është e njëjta situatë. Ne duhet të investojmë në ato drejtime që NATO e interesat kombëtare e kërkojnë, për përballimin e kërcënimit e rreziqet e reja. Në planet afat gjatë ne do jemi në gjendje të blejmë avionë të përshtatshëm për të përballuar situatat Renegate, e cila është një kërcenim reale, ku një avion ose mjete tjetër fluturues civil mund të përdoren si mjet për arritjen e qëllimeve ushtarake. Për përballimin e kësaj situate mund të shfrytëzojmë përvojën e vendeve të tjera të cilat kanë filluar ta bëjnë realitet këtë ide.
Çfarë bëhet me të ardhurat që fitohen nga shitja e aseteve të ushtrisë?
Kjo është një pasuri kombëtare e cila duhet të shkojë në favor të modernizimit të forcave të armatosura. Të ardhurat nga shitjet shkojë në buxhetin e shtetit. Por nuk është normale që një pjese e këtyre parave të mos vihen në dispozicion të rregullimit të jetës së ushtarakëve te rritjes se pagave, sigurimit të strehimit etj. Ka një Vendim të Këshillit të Ministrave që nga këto para ushtarakët mund të marrin kredi të buta e me afate të gjata shlyerje. Dhe kjo ka funksionuar nga viti 2003 deri në vitin 2008. Por që nga koha kur ministër u emërua Arben Imami ky vendim nuk është zbatuar më. Ndërkohë ka shumë ushtarakë që kanë nevoja të ngutshme për shtëpi apo zgjerim dhe nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë. Ndërkohë që kjo shtrëngesë nuk i motivon ata as në punë.
Çfarë nuk shkon në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes?
Duhet ta filloj me vendimet që merren në mënyrë individuale nga kreu i dikasterit ose nga një grup shumë i ngushtë njerëzisht. Vendimet nuk merren mbi bazë procedurash normale, nuk diskutohen e vendosen në Shtabin e Përgjithshëm ose t’i rekomandohen Ministrit të Mbrojtjes nga Komiteti i Politikave, apo në mbledhjet e përbashkëta. Duke mos bërë konsultat përkatëse merren edhe vendime të gabuara si në rastin e investimeve, politikave të personelit , gradimeve dhe lirimeve, trajtimit te ushtarakeve etj. Për të realizuar një detyre ose hartuar projekte, nuk bazohen tek drejtorit përkatëse , por ngrihen grupe pune, borde ,me pjesëmarrës nga repartet e forcave të Armatosura, pra duke i hequr çdo ditë nga detyra e tyre. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm nuk ka ndarje të detyrave dhe përgjegjësive, ata që janë afër shefit gjithmonë përgjegjësin e kalojnë diku larg, jashtë ministrisë së mbrojtjes.
A ka fryrje në aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes?
Mund të them se janë ngritur shumë struktura të panevojshme brenda Ministrisë së Mbrojtjes. Tanimë kemi drejtorë pa vartës dhe struktura paralele. Kaq shumë struktura dhe njerëz që punojnë në Ministrinë e Mbrojtjes nuk ka pasur as në vitet ’80 ku vetë ushtria ishte disa herë më e madhe se kjo që kemi aktualisht. Por nëse pjesa ushtarake është përcaktuar në bazë të piramidës, problemi më i madh në këtë ministri janë civilët që hyjnë e dalin sipas preferencave të ministrave. Në këtë mënyrë kemi përplasje kompetencash e vonesa në vendimmarrje, shpenzim kohe e letre me shkresa pa fund. Vendimet merren vetëm nga këmbëngulja e atij mbi të cilin rëndon përgjegjësia. Fondi i pagave shkon drejt civilëve që drejtojnë drejtori fantazma e me nga një vartës. Në këtë mënyrë është shtuar numri i drejtoreve pa kompetenca e pa asnjë përvojë profesionale. Ndërkohë që civilët nuk merren në punë sipas Ligjit me anë të konkurseve. Ata emërohen në detyre e më pas shpallen konkurset që e bëjnë situatën krejt qesharake. Disa strukturave u ka kaluar koha. Po kështu, ka problem dhe me strukturat mbështetëse. Po marr si shembull Qendrën Kulturore të Ushtrisë, e cila është kthyer në një mekanizëm gjigant ku është punësuar një numër i madh njerëzish. Kështu janë krijuar vende për miqtë e militantët, pa dashur të fyej këtu ata që janë profesionistë të vërtete dhe me pasion kane vite që i shërbejnë Forcave te Armatosura. Megjithëse konstatohen dhe evidentohen problem nuk ka pasur deri tani asnjë iniciative për të përmirësuar situatën në të gjithë sektorin administrativ të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit te Përgjithshëm dhe repartet mbështetëse. Në mënyrë paradoksale shkurtohet personeli ushtarak dhe shtohet ai civil pa asnjë argument.
Objektin ushtarak Edi Rama e kërkoi për shkollë, nuk ia dhanë
“Ushtria trashëgoi mbi 800 prona, të ish-reparteve e pikave të hapjes, përhapur në gjithë territorin e vendit. Vetëm komanda e Forcave Ajrore ka të paktën 180 të tilla. Por shumë pak prej tyre janë tjetërsuar. Kjo është një pasuri që po degradon duke u lënë e pashfrytëzuar e në mëshirë të fatit. Ndërkohë nuk janë marrë nisma që këto objekte të vihen në interes të ushtarakëve të pastrehë apo në ndihmë të komuniteteve të tjera në nevojë. Këto ndërtesa jo vetëm po degradojnë por, po rrezikojnë dhe jetën e njerëzve pasi nga varfëria njerëz të ndryshëm mundohen të përfitojnë diçka duke hequr tulla apo duke marrë hekur nga këto godina. Dhe shumë prej tyre janë gati për t’u rrëzuar. Po marr një shembull konkret: objekti i ish-repartit kundërajror në Kodër-Kamëz që nga viti 2000 nuk është më në pronësi të ushtrisë. Në këta 13 vjet, megjithëse objekti është në një qendër të banuar nuk është transformuar e vijon të mbetet gërmadhë. Për atë objekt Bashkia e Tiranës, kur kryetar ishte Edi Rama, ka bërë një kërkesë që të mund ta kthente në shkollë. Vetëm për shkak të përplasjes së interesave ajo është lënë në një gjendje të shkatërruar. Ngrihen komisione pas komisioni por pa rezultat . Por si ky rast kam me dhjetëra e qindra, një pjesë e të cilave rreth e rrotull Tiranës. Ndërkohë ushtria shpenzon para dhe për ruajtjen e tyre apo dërgon trupa sa herë sinjalizohet se po ndërhyhet në godinë nga civilë që grabisin atë çka u leverdis. Por një situatë tjerët paraqitej kur bëhej fjalë për të tjetërsuar pronat në bregdet. Atëherë kishte shumë ndërhyrje, çaheshin telefonat e kërkoheshin procedura të përshpejtuara. Kishte një nxitim të paparë për t’i privatizuar ato ambiente. Unë vetë kam hedhur idenë dhe kam bërë propozime me shkrim që disa prona të Forcave Ajrore në bregdet fare mirë mund të qëndrojnë si shtëpi pushimi për ushtarakët. Por duket se leverdia është diku tjetër”.
Forcat ajrore në ditët e suksesit
“Dua të them se me shkarkimin që më është bërë në atë mënyrë, është shkelur mbi të gjitha dhe mirëkuptimi njerëzor. Dhe unë jam shkarkuar pikërisht në kohën kur Forcat Ajrore të cilat komandoja ishin në ditët më të mira. Projektet po merrnin jetë. Forcat Ajrore janë në fazën e modernizimit të plotë dhe kjo nënkupton pajisjen me radarë të vëzhgimit, ngritjen e qendrës operacionale, përgatitjen e kontrolloreve ajror, lidhjen e saj me sistemin e integruar të NATO-s. Ndërkohë është duke u realizuar kontrata për blerjen e 6 helikopterëve, 5 të tipit COUGAR dhe 1 EC145 për udhëtime VIP, nga të cilët 3 kanë mbërritur në Shqipëri dhe pritet mbërritja e kontingjentit tjetër. Një hap tjetër i rëndësishëm është bërë për trajnimin e piloteve ku janë hartuar e po zbatohen konceptet të reja dhe standardet e NATO-s. Janë përzgjedhur pilote më të mirë, kryesisht të rinj dhe është duke u zbatuar kontrata e lidhur me një kompani angleze për trajnimin e 12 pilotëve, ku 8 prej tyre që u përgatitën në Angli e kaluan me sukses trajnimi, po kështu dhe në France e vende të tjera. Kështu mund të them se është krijuar një bazë e mirë për të drejtuar helikopterë modern dhe për të bërë të mundur realizimin e misionit në kuadër te NATO-s, por dhe për misionet brenda vendit për përballimin e emergjencave civile që tashmë janë bërë të pranishme, pothuajse çdo vit. Janë hartuar e po zbatohen koncepte të reja për shërbimin SAR, për mirëmbajtjen e helikopterëve, për përballimin e situatave Renegate, për modernizimin e shërbimit meteorologjik, etj”, thotë gjeneralbrigade Dhori Spirollari.
Si po ristrukturohen Rinasi, Gjadri e Kuçova
Gjeneral Brigade Dhori Spirollari sqaron se ç’po bëhet me tre bazat e mëdha ajrore të ushtrisë: “Janë hartuar projekte për modernizimin e bazës së Kuçovës dhe të Rinasit ku tek i fundit projekti mbështet përdorimin e përbashkët të aeroportit për qëllime civil dhe ushtarake dhe kjo është e mbështetur dhe ne Ligjin për dhënien me koncesion. Ndërkohë dhe Gjadri është futur në planin e përhapjes, pasi e kishin hequr me pa të drejtë. Projekti për bazën e Gjadrit ka të bëjë me përdorimin e kësaj infrastrukture për emergjencat civile, për aeroklubet dhe për uljet emergjente të aviacionit civil. Një Gjadër është ngritur muzeu i Forcave Ajrore , ku mund të gjesh të gjitha tipat e avionëve që ka pasur në përdorim ushtria shqiptare, pra avionë MIG, helikopterë MI-4, raketa SAM-2, topa kundërajrorë etj. Ky muze do të jetë i hapur për t’u vizituar nga publiku duke ju shtuar trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit. Në Forcat Ajrore janë hartuar dhe po zbatohen disa projekte në përputhje me konceptin “smart”, pra një investim ku produktin mund ta gëzosh në disa drejtime. Kështu shërbimi i kërkim shpëtimit do te jetë përgjegjësi e Forcës Ajrore, kurse aviacioni civil për shërbimin që merr do të paguaj një pjesë të kostos, projekti është konceptuar dhe po zbatohet si një sistem i përbashkët ushtarako-civil, duke shfrytëzuar resurset si të avionit civil ashtu dhe të atij ushtarak. Ky projekt është hartuar në mënyrë të përbashkët me specialistë vendas dhe ata të NATO-s. Një zhvillim tjetër brenda kuadrit të Forcave Ajrore është dhe realizimi i mirëmbajtjes së helikopterëve civile dhe ushtarak në Shqipëri. Janë tre kompani të huaja që po investojnë në Rinas për këtë projekt, për mirëmbajtjen e helikopterëve të Rendit, Shëndetësisë e ata të Forcave Ajrore. Kjo do të thotë që të rritet dhe niveli i gatishmërisë se mjete mbi 70 % , të ulet kostoja e të punësohen dhe personeli shqiptar. Shqipëria trashëgon një numër të konsiderueshëm aerodromesh fushore, ato janë pronë e Forcave Ajrore. Mbështetur në përvojën ndërkombëtare, ka marrë jetë dhe krijimi i shoqatës së kadetëve te Ajrit, të cilën e përuruam ditën e aviacionit, në 24 prill në Kuçovë. Ky projekt do te jete baza e përgatitjes së piloteve të rinj, të edukoj brezin e ri si dhe te sjelli dhe shumë turistë të brezit të ri në Shqipëri. Por është e domosdoshme të ruhet kjo pasuri që kemi trashëgimin që nga vitet 1930, fushat e uljës të shpërndara në gjithë territorin. E theksoj këtë mbasi ka tendence që t’i braktisim këto pasuri duke i tjetërsuar”.
Jetëshkrimi i gjeneralit
Në vitet 1973-’77 Dhori Spirollari vazhdoi shkollën ushtarake “Skënderbej” dhe në vitin 1982 diplomohet oficer nga Shkolla e Bashkuar. Emërohet komandant toge e baterie. Më pas kalon pedagog në Shkollën e Lartë të Oficerëve. Në vitin 1990 emërohet shefi i katedrës së Mbrojtjes Kundërajrore. Vazhdon Akademinë e Mbrojtjes në vitet ’91-’93. Emërohet në Divizionin e Kukësit, e Komandant Grupit Kunderajror në Pukë. Rikthehet si pedagog në Akademinë Ushtarake. Kalon shef i stërvitje në forcat ajrore. Më1997-2000 kryen detyrën e Shefit të Shtabit të Forcave Ajrore. Në vitet 2000-2002 vazhdon Akademinë Gjermane të Drejtimit e kthehet me detyrën e Shefit të Shtabit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Emërohet Drejtor Personeli në Shtabin e Përgjithshme. Në 2007 kalon si zv.komandant i forcave ajrore dhe më pas komandant i saj.
(Marrë nga Shekulli)
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)