Vatikani kërkoi sot respektimin e kufijve të Ukrainës dhe mbështeti sovranitetin territorial, në një pozicionim të ashpër kundër separatizmit apo aneksimit të territoreve, pa përmendur qeverinë ruse në konfliktin që vazhdon.
Sipas një komunikate të Vatikanit, kryediplomati i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, kryepeshkopi Silvano Tomasi, nënvizoi nevojën urgjente për të respektuar të drejtën ndërkombëtare përsa i përket sovranitetit territorial të Ukrainës.
"Duhet të ketë stabilitet kombëtar dhe rajonal", theksoi sot Tomasi para Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Gjenevë.
Selia e Shenjtë përmendi marrëveshjet e Minskut të 12 shkurtit dhe masat e marra për të mundësuar respektimin e armëpushimit.
"Të gjitha palëve u është kërkuar të aplikojnë vendimet e marra për një marrëveshje të përbashkët. Selia e Shentë kërkon lirimin e të gjitha pengjeve dhe personave të ndaluar në mënyrë të paligjshme dhe uron që ndihmat humanitare të mbërrijnë në destinacion pa hasur pengesa", vijon komunikata
Organizata katolike "Caritas" theksoi këtë javë se konflikti kishte shkaktuar tashmë eksodin e një milionë banorëve, veçanërisht Rusi dhe Bjellorusi.
Sipas "Caritas", pesë milionë persona kanë nevojë për një ndihmë humanitare./atsh/