Gjergj Fishta/Roli i vërtetë në
Kryengritjen e Qershorit 1924

Gjergj Fishta/Roli i vërtetë në<br />Kryengritjen e Qershorit 1924<br>
Shumica e historianëve të letërsisë, autorë monografishë e studiues kanë shprehë me shkrim mendimin se Fishta, më 1924, pas fitores së Legalitetit, iku në Itali. Mendim që jeton i gjallë nder shumë shkrime, por që nuk asht i vertetë.

Nder bisedat e paharrueshme me Pader Justin Rrotën e P. Marin Sirdanin më kujtohet: “Kolec, kur fitoi Zogu, e mori pushtetin, (1924) na thojshim: “Sa mirë, nuk ndodhi Pader Gjergji këtu, (në Shqipni), se do të kishte shfrye dufin e vet kunder Fishtës, se me te e ka pasë, jo aq me Pader Palin”. Mirëpo, kujtimet, sidomos ata të vjetrat, duhen dokumentue, perndyshe mbesin kujtime të largëta e nuk besohen kollaj, sidomos nder ne. Kështu, fitoi mendimi se Fishta iku nga Shqipnia. Në të vertetë, nga kleri, vetem P. Ambrozi iku, (ma saktë u largue) bile, me urdhen të Provincialit.

Po ilustrojmë mendimin e ikjes nga atdheu:

Prof. Vehbi Bala në monografinë e vet per Fishtën shkruen: “Pas thyerjes së Revolucionit të Qershorit dhe ardhjes në fuqi të regjimit të Zogut, Fishta u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Itali”. (f.19).

Fishtologu i sotëm shton: “Në këtë “lëvizje kombëtare”...Gjergj Fishta do të ishte deri në fund në krah të popullit dhe njëri nga protagonistët më kryesorë në një radhë me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin e të tjerë deputetë të Opozitës me orientim perëndimor, që u vunë në krye të asaj lëvizje kombëtare.

Kolegu i Fishtes, Pader Daniel Gjeçaj shprehej: “...edhe Fishta u largue nga vendi dhe ndeji i merguem në Itali, tue pritë  kohë ma të mira”.

Por, fishtologet, studiuesit e veprës së Gjergj Fishtës e kanë anashkaluar pjesëmarrjen e autorit të “Lahutës së Malcisë” në këtë “luftë civile” dhe pothuajse kanë heshtur, veç anerisht per “arratisjen” e tij nga Shqipëria  pas rikthimit të pushtetit të klikës së përmbysur”...

...Pavarësisht nga petku i klerikut që mbante veshur, dihet se Gjergj Fishta u muer gjallërisht me politikë. Revolucioni i Qershorit shenon kulmin e kësaj veprimtarie, ndoshta për faktin se gjatë përiudhës 1921-1924 ai ishte deputet...”... “ Gjergj Fishta nuk mori pjesë në qeverinë e dalë  nga “Revolucioni i Qershorit, e cila qëndroi 6 muaj për shkak të reaksionit të brendshëm (dhe atij të jashtëm)...”.

Edhe Pader Zef Pëllumbi, njohës i mirë i Fishtes shkruen: “Fishta, Imzot Mjeda, P. Pal Dodaj ia dolën me ikë e me shkue në Itali”.

“Fishta iku në Itali: nuk kishte ma besim as siguri në një regjim që kundershtonte kulturën”. (“Françeskanët e mëdhaj” f. 11).

Mbas ardhjes së Zogut përgjithësisht me forcat e hueja e vendosjes së pushtetit të tij, Zogu arrestoi e burgosi opozitarët kundershtarë. ( nder klerikët u arrestuen: Anton Harapi, Ndre Mjeda, Lazer Shantoja, Bernardin Palaj, Ciril Cani, At Karma, Zojzi. Ndersa Imzot Mjeda e P. Pal Dodaj u dëbuen jashtë atdheut). Në këte listë, që kemi ne, për të burgosunit, të hartueme në burg nga Shantoja, Fishta nuk gjindet. Dhe nuk kishte si të gjindej, se ai ishte në Romë, jo si i arratisun, por me sherbim provincialati.

“Qeveria jugosllave raportonte në Vatikan kunder klerit, se merret me veprimtari politike; Zogu akuzonte klerin se zhvillonte politikë antikombtare e ankohej në Vatikan se nxitë katolikët në revolucion, edhe delegati apostolik Koci raportonte pjesëmarrje aktive të klerit në politikë... Shto koncesionarët e vojit të gurit, konsullin italian Di Duraco, konsullin anglez...(shih edhe veprën time“L.Gurakuqi në optikë të re”).

Në fakt, Imzot Mjedën e P. Palin Zogu i internoi në Jug të Shqipnisë, pak kohë, pastaj i dëboi jashta vendi. Në Romë u bashkuen të tre, Imzot Mjeda e Pader Pali kerkuen me kthye në atdhe, Fishta ishte i ngarkuem me pregatitë pavionin shqiptar në ekspozitën e Vatikanit) dhe shtyu qendrimin në Romë. (tue pritë ditë ma të mira).

Fishta ka ndejë në Romë nga 1 nandori i vjetit 1924 e deri 11 maj 1926. E pohon vete: “... tue u gjete ne Rome-ku kam ndeje prej 1 Nanduer 1924 deri me 11 Maj 1926...”. Shih edhe Dr. Petrit Kotrri, “Dy letra te pabotuara per albanologun e shquar austriak Jokl”

Në vjetin 1925 Fishta, Át Pal Dodaj dhe Ndoc Darragjati kanë qenë në Romë dhe kanë punue per ekspozitën e Misioneve Françeskane në botë për padilionin shqiptar dhe  puna e tyne me art u vlerësue e denjë dhe të treve iu dha dekorata e Vatikanit, “Medaglia al Merito” nga Papa Piu XI.

Shtoj: vjeti 1925 per katolikët qe vjeti i pelegrinazhit në Romë. Në fotografinë e bame me këte rast, mori pjesë, tue u fotografue me pelegrinët, edhe P. Gjergj Fishta.

Dhe vertetë, e deshmon korespondenca e tij e shkrueme në Romë gjatë këtij vjeti, e deshmon punimi “Perkujtesë” (Memoriale), shkrue po në Romë, me 1925. Edhe një indikacion nga Pader Pali: “Afer orës 10.00 të mëngjesit të dt. 28 janar 1925 arrijtem në Bari të Italisë të dëbuemit nga atdheu: Imzot Mjeda, e provinciali Pader Pali”. Pra, nuk permendet Fishta.                   .

Shkruhet “Pavarësisht nga petku i klerikut që mbante veshur, dihet se Gjergj Fisha u muer gjallërisht me politikë... ndoshta per faktin se gjatë periudhës 1921-1924 ai ishte deputet”.

Sqarojmë: Fishta ka qenë deputet 1921-1923. (“Nuk më pelqejnë ato parla, parla të parlamentarëve”, thonte”). Pra, u terhoq vetë nga jeta parlamentare e ia lëshoi vendin P. Ambroz Marlaskajt që u zgjodh deputet 1923-1924.

Organizimin e vet politik  në vjetët 1923-1924 kleri katolik nuk e quejti as organizatë, as parti politike, por Grupi (grupimi) “Ora e Maleve” e nuk zhvilloi veprimtari partiake, pra, politikë partiake, se nuk i lejohej, por politikë kombtare, se nuk e pengonte kush, se perfaqsonte idealet e vjetra “Fe e Atdhe”. Ilustrojmë: A nuk luftoi famullitari i Shkodres, Marin Barleti (Bardheti) kunder pushtuesit osman; po prelatët katolikë që organizuen kuvende e banë projekte lufte, po Doçi, që luftoi vetë me armë në dorë, apo famullitarët e malësive me 1911 me Dedë  Gjo Lulin në krye, Po Kaçorri në luftën per pavarësi, nënkryetari i qeverisë me 1912 ?! Kur kleri katolik mbrojti kufijtë e atdheut, alarmoi per rrezikun e Vermoshit e të Shën Naunit, nuk zhvilloi veprimtari partiake, por kombtare.

Kështu, edhe kur luftonte per drejtim prendimor, nuk u mor me “politikë”, por zhvilloi veprimtari politike kombtare. Grupi “Ora e maleve” kishte mendimin: “Me të huejt – luftë e armatosun, me anmikun e mbrendshem – lufte legale, jo me arme”! Grupi “Ora e Maleve” nuk ishte per rrëzimin e Zogut me luftë vëllavrasëse, me luftë civile, por me mjete legale. Edhe L. Gurakuqi, një perfaqsues i Grupit, nuk ishte per luftë civile, ndonëse, si shkruente poeti Mark Gurakuqi: “Ishte trim, por nuk i pelqente gjakderdhja”.

Fishta: “As Episkopati, as kleri shekullar, as françeskanët s’e kishin mendjen as me forcue, as me ligshtue asnjenen parti të parlamentit. Kishin qellim me zgjedhë thjeshtë prej katolikëve të nderuem, që të mbrojnë kishën e të drejtat e saj, qoftë si deputetët e Opozitës, qoftë të partisë opozitare, qoftë të partisë qeveritare... nëse mandej, rezultoi se të gjithë qenë opozitarë, kjo nuk u  var prej intencioneve të klerit, por prej faktit që dëputetët e partisë qeveritare ishin kunder atdheut e kunder kishës, sidomos persa i takon arsimit”. (shih “Memoriale” të Fishtës).

Imzot Lazer Mjeda: “Unë deklaroj thellësisht se kurr nuk kam nxitë asnjeri në kryengritje kunder qeverisë... Zogu e di që unë jam i pafajshem persa u takon nxitjeve per kryengritje, por ai kishte me dashtë që unë ta justifikoj veprimin e tij të padrejtë... Jam i pafajshem. Jam dënue padrejtësisht në mergim e nuk do të kerkoj kurr falje,  drejtësi. A ke çka ndien? Me të rrahë pa faj e me  të sherngue me ia puthë dorën!... Më ka dëbue prej atdheut per vetëmburrje tue tregue pushtetin e vet e per me ulë prestigjin episkopal para popullit shqiptar”.

(Nga një leterkëmbim që gjindet në Arkiv. Shif: K. Cefa, “Grupi “Ora e maleve” dhe publicistika e tij në themele të shtetit ligjor, të demokracisë së vertetë e të orientimit europian”, f.209). Me 1925, Koci mblodhi klerin dhe dha vendimin e Papes, qe kleri katolik te mos merret me politike. Firmosen te gjitha firmat e randesishme klerikale, pervec Fishtes se gjindej ne Rome. 

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë