Gjergj Frashëri: 16 vjet jo konventës,
16 vjet katastrofa arkeologjike

Gjergj Frashëri: 16 vjet jo konventës,<br />16 vjet katastrofa arkeologjike
TIRANE - Një ditë para konferencës që do të zhvillohet në Sarandë në kuadrin e takimit vjetor të Këshillit Europian të Arkeologjisë (EAC), arkeologu Gjergj Frashëri na njeh me problemet që do të trajtohen. Debatet dhe analizat do të vijnë si rrjedhojë e katastrofave që kanë ndodhur në zonat arkeologjike të Shqipërisë.

Një konferencë e tillë organizohet për herë të parë në Shqipëri dhe do të zhvillohet nga datat 21-23 mars në Sarandë dhe Butrint. Pjesëmarrëse e një konference të tillë bëhet për herë të parë edhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ASHA, anëtare në këtë Këshill që prej vitit 2011.

Sipas Frashërit aktiviteti është planifikuar të zhvillohet në tri ditë në ambientet e Hotel “Butrinti”, Sarandë, si dhe në Teatrin e Butrintit (Parku Kombëtar Butrint). Seminari do të përfshijë temat mbi trashëgiminë, arkeologjinë dhe menaxhimin e tyre.

Arkeologu Gjergj Frashëri i pranishëm me kumtesën e tij në këtë konferencë thotë se “Prezantimet në këtë seminar do të mbahen nga specialistë vendas dhe të huaj, të cilët do të paraqesin një panoramë të eksperiencës shqiptare në fushën e konservimit dhe menaxhimit të trashëgimisë arkeologjike.

Në intervistën për “Shqiptarja.com”, arkeologu dhe studiuesi Gjergj Frashëri flet për shkaqet e katastrofave arkeologjike në vendin tonë, për të cilat dëshmon se erdhën: së pari, si rrjedhojë e indiferencës së shtetit tonë në vitin 1992 për mospjesëmarrjen në Këshillin Europian të Arkeologjisë, ku morën pjesë të gjitha vendet e Europës Lindore dhe së dyti, prej ligjit 751 që u ndau tokat pa u bërë standartizimet përkatëse ligjore privatëve në zonat arkeologjike.

INDIFERENCA E QEVERISË NË ‘92-SHIN

Arkeologu Gjergj Frashëri është pjesë e grupit të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik të Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (ASHA) në Sarandë. Butrinti i shumëpërfolur vitet e fundit për rrezikun që i kanoset nga ndërtimet pa leje është një nga thesaret më të mëdha arkeologjike të vendit. Çështja e tij dhe problemet e arkeologjisë shqiptare në rrezik shtrohen për herë të parë në Shqipëri, duke u mbështetur në një konventë evropiane, siç është Konventa e Maltës.

Natyrisht që problemet e trashëgimisë janë përfshirë e do të përfshihen nga debate dhe replika të kësaj natyre me qeverinë. Vetë arkeologu i njohur Gjegj Frashëri pohon se “Konferenca Europiane e Këshillit të Arkeologjisë vjen për herë të parë dhe me 16 vjet vonesë për faj të indiferencës së qeverisë së re demokratike në ‘92-shin, dhe vetëm në 2008-n shteti shqiptar vendosi t’i bashkohej organizatës botërore për Shpëtimin e Arkeologjisë dhe në 2011-n u pranua si anëtare e kësaj organizate.

Sipas Frashërit hyrja në këtë organizatë “16 vjet vonesë, do të thotë edhe 16 vjet katastrofë arkeologjike në Shqipëri”. Frashëri rrëfen se çfarë është konventa e shpëtimit arkeologjik që njihet si konventa e Maltës dhe se ku do të fokusohen debatet e një konference të Arkeologjisë së Shpëtimit që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.
 
Zoti Frashëri, çfarë do të bëhet në konferencën e Organizatës Europiane për Shpëtimin e Arkeologjisë?
Ne jemi bërë anëtar me Këshillit Europian të Arkeologjisë (EAC) në 2008-n. Kjo konferencë bëhet për herë të parë në Shqipëri. Në vendet e tjera bëhet njëherë në vit. E shprehur me një gjuhë tjetër, kjo organizatë quhet arkeologjia e europiane  e shpëtimit.

Që prej Konventës së Londrës në vitin 1969 dhe rishikimit të saj me ratifikimin e Konventës së Maltës në vitin 1992. Tashmë arkeologjia me ratifikimin e kësaj konvente nuk është më ajo klasikja, por është futur në sistemin e organizate europiane për shpëtimin e saj.

Kjo organizatë është marrë me problemet e ndërtimit në zonat arkeologjike. Për herë të parë në vendet europiane u mblodhën në 1969-n, në Londër dhe hartuan konventën e Londrës, në një rishikim të mëvonshëm në Valeta të Maltës, u ratifikua ajo që quhet si Konventa e Maltës.

Pra duke pasur parasysh edhe problemet në vendin tonë, kjo konferencë ka shumë probleme për të trajtuar?
Po sepse problemet në vendin tonë janë të mëdha. Në vitin 1990 kur mbaroi Lufta e Ftohtë nisën problemet për arkeologjinë, nga një anë prej njohjes së pronës private dhe nga ana tjetër prej qëndrimeve politike. Në gjithë Europën Lindore nisën me vrull investimet kulturore dhe ndërtimet.

Parandalimi i ndërtimeve nuk u bë në Shqipëri, sepse nuk u ngritën struktura efikase shtetërore në vitin 1992, ku u ratifikua edhe Konventa e Maltës. Gjatë këtyre viteve deri në vitin ‘92 kur të gjitha vendet e Europës Lindore ngritën strukturat për mbrojtjen e arkeologjisë, vendi ynë nuk mori pjesë.

U bë e ditur prej EAC-it, por nuk pati interes, dhe për 16 vjet vonesë, kur u vendos në shkurt të 2008-s, që në MTKRS të ngrihej zyra e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, ishte shumë vonë. Tashmë dihet që Konventa e Maltës përmes zyrës së Shpëtimit të Arkeologjisë do të sjellë përplasje të individit, të pronarëve me ruajtjen e trashëgimisë.

Për çfarë përplasje bëhet fjalë konkretisht?
Ishte një dështim shumë i madh procesi që në korrik të ‘91-shit me ligjin 751 u dha tokat privatëve. Dhënia e tokave privatëve nuk u ndoq me procedura të tjera ligjore nga shteti, ku të mos lejohej të ndërtoheshin banesa private në tokë arkeologjike, por të kushtëzohej nga ligjet dhe procedurat që vënë kushte paraprake për ndalimin e këtyre ndërtimeve.

Shteti duhet të përcaktonte strukturat ligjore aty nuk lejohen ndërtime pranë zonave arkeologjike. Zonat arkeologjike janë pasuri e gjithë popullit, por kryesorja është se janë edhe të shtetit që duhet t’i mbrojë dhe ruajë ato. Pasuria e gjithë popullit mbrohet me ligj nga shteti.

Pra, ka një ligj ku në Konventën e Maltës përcaktohet se ligji e detyron atë që ka prona në toka arkeologjike që bëjë hesapet mirë para ndërtimeve. Kjo konventë përcakton që investitori që duhet të bëjë ndërtime duhet të paguajë të gjitha shpenzimet për kërkimet arkeologjike, për evidentimin e tyre, dokumentimin e arshivimin e zbulimeve dhe pastaj të vendoset se a do të ndërtohet e si do të ndërtohet.

Për fat të keq ndërtimet janë bërë, sepse Arkeologjia e Shpëtimit në vendin tonë u themelua 16 vjet me vonesë. 16 vjet me vonesë u bë masakrimi i arkeologjisë. Këshilli Europian i di mirë të gjitha që kanë ndodhur në sitin arkeologjik të Butrintit.

Çfarë diskutimesh do të ketë në plan të parë konferenca?
Konferenca është kurioze të studiojë se çfarë përvoje ka Shqipëria në lidhje Konventën e Maltës. Sigurisht më parë do të bëhet vlerësimi i situatës reale dhe pastaj do të ndihmojnë. Në kumtesën time unë do të sjellë përvojën se do të eci puna me shpëtimin e arkeologjisë, duke u mbështetur në Konventën e Maltës.

Puna ime te ASHA nis nga përvoja ime në praktikë dhe sukseset me gërmimet. Për problemet do të ketë diskutime të forta. Do të vihen në dukje dëmet dhe të meta e vonesës së hyrjes së Shqipërisë në Këshillin Europian të Arkeologjisë (EAC)

REAGON FORUMI PËR TRASHËGIMINË
Ja pse ne duhet të jemi patjetër në konferencën e Butrintit

Qindra prej problemeve që ka pasur arkeologjia në vendin tonë i ka ngritur pareshtur në media Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, duke protestuar për katastrofat. Dje, me rastin e Konferencës së (EAC) në Butrint, njëri prej anëtarëve të këtij forumi, Auron Tare, është shprehur se “përfaqësuesit e qeverisë nuk kanë ftuar asnjë anëtar të forumit, megjithëse kemi arkeologë në mesin tonë.

Nuk kanë ftuar as njerëz nga fusha e trashëgimisë. Pyeta në Komisionin e Kulturës, por asnjë deputet i këtij komisioni nga ana e opozitës nuk ka marrë asnjë ftesë. Mendoj se ky injorim i zërave kritikë ndaj qeverisë mbi çështjet e trashëgimisë sonë tregon se qeveria kërkon të fsheh atë që po ndodh në fushën e trashëgimisë”, tha Tare, ndërsa ka shprehur mendimin e tij se “një përfaqësues i forumit duhet të shkoj me patjetër në këtë takim, duke sjell edhe shqetësimet tona”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.03.2013

Redaski Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë