Gjergj Vlashi, 85 vjeç mes teatrit
letërsisë dhe përkthimeve

Gjergj Vlashi, 85 vjeç mes teatrit<br />letërsisë dhe përkthimeve
TIRANE - Regjisori, shkrimtari dhe përkthyesi Gjergj Vlashi mbushi 85 vjeç. I nderuar me titujt e lartë “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës” Gjergj Vlashi është mjaft i njohur si themelues i Varietesë dhe regjisor i Estradës së Durrësit në vitin 1960, ndërsa ka botuar rreth 40 vepra në letërsi origjinale, përkthime dhe komedi.

Njohës i disa gjuhëve të huaja Gjergj Vlashi ka sjellë në gjuhën shqipe një varg botimesh me përkthime nga autorë të njohur si Franz Kafka, Jose Saramago, Agata Kristi, Dino Buxati, shkrimtarë rusë, italianë, austriakë, spanjollë, portugezë dhe hispanoamerikanë te shekullit të XX-të, etj. Librat e tij janë botuar edhe në Kosovë dhe në Itali.

Regjisori i shquar i varietesë, që jeton mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Spanjës dhe Durrësit, qytetit të tij të lindjes, në një intervistë, tregon për krijimtarinë, raportet mes regjisurës, përkthimit dhe letërsisë, si dhe për jetën e tij personale.
 
70 vjet krijimtari  mes skenës letersisë dhe perkthimit. A ka  një “ndarje me thikë” të periudhave në keto tre fusha, sa të gjera aq edhe të lidhura me njera tjetrën?
-Nuk besoj, megjithëse ka pasë periudha kur ka mbizotëruar ndonjëra prej tyre. P.sh. Skena ka mbizotëruar, sepse kam qenë regjisor profesionist për  më shumë se dyzet vjet, në fillim me amatorët e pastaj me estradën profesioniste.
 
Cila ka qenë puna e parë krijuese?
-Për cilën e keni fjalën, për skenën, letersinë apo perkthimin?
Nejse, po përgjigjem shkurt për tri gjinitë. Në skenë kam dalë ku isha nxënës i shkollës fillore. Në letersi kanë qenë vjershat e para. Ato i zhduka dhe bëra mire se do kisha qenë poet i dobët. Këtë ua këshilloj edhe disa poetëve...
Përkthimi im i parë ka qenë tregimi  “Rrëfimet e një gruaje” e Mopasanit. Atë e dërgova tek gazeta e atëhershme “Bashkimi i kombit”, ku u botua me  pseudonimin Gje-Vla në vitin e largët 1944.
 
Për ata që ju ndjekin nga afër duket sikur kohët e fundit i  jeni kthyer përkthimit. A i keni keputur ndonjëherë lidhjet me të dhe sa  ju kanë ndihmuar gjuhët e huaja?
Vrojtimi juaj është pjesërisht i vërtetë. Jam marrë  për një farë kohe me përkthime, sidomos nga spanjishtja, se kam botuar nja antologji të tregimit spanjol te shekullit të njëzete. Ndërkohë, kam gati një përmbledhje të re tregimesh, gjithnjë të shekullit të njëzetë. Nuk i kam shkepùtur lidhjet me perkthimin dhe më pelqen që herë pas here t´i kthehem asaj pune. Kam një dëshirë: Do të më pëlqente të përktheja e të botoja “DITARET” e Kafkës, po deri tashti nuk e kam gjetur botuesin. Të shohim më vonë.
Gjuhët e huaja më kanë ndihmuar, se ato janë një pasuri e vertetë.
 
Në fakt publiku shqiptar ju njeh  më shumë per kontributin  tuaj si regjisor, megjithse ka vite që i  jeni larguar skenës. A ka pasur “divorc” mes jush?
-Unë them, jo, por edhe në pastë ndodhur ai ka qenë një “divorc” i butë, i arsyeshëm, duke iu nënshtruar ligjeve të jetës e të moshës. Vjen një kohë që edhe punës tënde më të dashur duhet t‘i thuash: Mjaft! Kjo fjalë ka vlerë jo vetëm në art, po edhe në fusha të tjera të jetës. Shkurt: Bën mirë të largohesh para se të të largojnë. Lipset të shtoj se, mund të japësh ndihmesën tënde në gjini të tjera, sidomos në letersi e në përkthime. Jo vetëm kaq, po mund të ndihmosh edhe duke shkruar  pjesë humoristike, madje librete për estradën, siç bëra unë para disa vitesh, që punova me estradën e Vlorës, si libretist, dhe për këtë nuk jam penduar.
 
Çfarë ka ndryshuar në teatrin e sotëm të estradës, qoftë per të mirë apo për të keq?
-Kanë ndryshuar shumë gjera. Për të mirë, duhet të them se është krijuar Teatri i Komedisë. Kjo është një gjë pozitive. 
Në ditët tona estrada ka kaluar nga skena në televizion. Kjo është një veçori e kohës. Edhe estrada i është nënshtruar një “tranzicioni” apo transformimi thuajse të plotë. Disa estrada praktikisht janë shkrirë, disa mezi mbahen në këmbë, po ndonjera vijon ende të “mbijetojë”. A thua kjo don të thotë se estrada e ka përfunduar funksionin e vet? Unë mendoj të kundërtën, por me kusht, që ajo të transformohet duke iu përshtatur kohës në të cilën jetojmë. Ky transformim nuk do të vijë nga jashtë, po atë do ta kryejnë artistët shqiptarë me lojën e tyre, me shkrimet dhe me format e larmishme.
 
Në çerek shekullin e kaluar keni qenë mjaft aktiv në shtypin letrar, veçanërisht si shkrimtar i mirëfilltë dhe njëherësh si përkthyes. Ndërkohë keni dorëshkrime, që presin të botohen. Ky intensitet në krijimtari mos lidhet me daljen tuaj në pension?
Lidhet, si nuk lidhet. Megjithëse, per një artist, fjala pension është antipatike, por lipset të pranojme se edhe per krijuesit vjen periudha e menopauzës. Është e vërtetë se kam në sirtar disa dorëshkrime që presin të botohen. Ato nuk janë “ëndrra në sirtar”, po vepra të vërteta letrare, (të paktën mua, kështu më duken). Shpresoj  t’i botoj sa jam gjallë, se po u botuan pas vdekjes sime, nuk e di, a thua do ta marr vesh...
 
Me 4 korrik bota letrare përkujtoi “fenomenin” Kafka. Në një nga komentet e shtypit po citoj këtë fjali: “Në gjuhën shqipe përpjekja e parë serjoze për të sjellë veprën e Kafkës është bërë nga regjisori e përkthyesi  Gjergj  Vlashi e disa perpjekje nga emra të tjerë, po ende nuk e kemi të plotë vepren e tij”.

Ju miklon ky konstatim?
Patjetër. Së pari, ju falenderoj per citimin dhe më lejoni ta plotësoj me një citim tjeter të një shkrimtari. Ai thotë: “U perkthyen një tufë tregimesh të Kafkës me një gjuhë të bukur nga GJ. V.”!
 
Me që jemi  brënda atmosferës së përkujtimit të shkrimarit të madh, sa ka ndikuar Kafka në krijimtarinë tuaj?
Nuk besoj se ka ndikuar, se i jam ruajtur kësaj gjëje.
Kafka, bashkë me Prustin dhe Xhoisin, janë tre shhkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të kaluar, dhe do të ishte gabim i madh të ecje në gjurmët e tyre. Kështu që e përsëris. Nuk ka ndikuar, se ndikimi do të kishte qenë një karikaturë e vertetë.
 
Që nga romani i parë, “Njeriu i netëve të vjeshtës” kanë kaluar gati njëzet vjet. Gati po aq  janë librat e tjerë, që mbajnë  firmën tuaj. Cila është vepra që ju ka lodhur më shumë?
Nuk e di si të them... Një shkrimtar i shquar ka thënë: “Më mirë lodhu ti, se sa të lodhet lexuesi”. 
Unë jam perpjekur t’i permbahem kesaj këshille. Nuk e di sa e kam arritur.
 
Gjatë këtyre viteve keni udhëtuar shumë. Përfytyrimi juaj i hershëm për botën përputhet me imazhin e vertetë të saj?
-Në disa gjëra, po, në disa, jo dhe aq.
Po e ilustroj me një shembull. Shumica jonë mendonte se Spanja është vendi i luftrave me dema apo i flamengos. Jo se kjo është e gabuar, por Spanja është një vend më i gjërë, me një kulturë e art të madh, me piktorë gjenialë, shkrimtarë nobelistë e të tjerë.
 
Në Durrës ku jetoni pa nderprerje, që nga lindja, ju çmojnë për kulturën e gjerë e cilësi të tjera. Dikush thotë se e keni lënë brenda ditës duhanin. Një tjeter thotë se  keni bërë një marrëvesthje me mjekun tuaj të familjes: ai ju ka ulur gjysmën e ilaçeve me kusht që të dyfishoni ecjen e përditshme?
 -Ka  teprime... Psh, duhanin nuk e kam lënë brenda ditës, po të nesërmen.
 
Ju bashkë me zonjën Shpresë, gruan tuaj, jeni i pranishëm në shumë aktivitete. Këtë e kërkon detyrimi familjar apo qytetar? Ka ndonjë sekret për të qenë i kudondodhur?
-Jo. Mjafton të mbash mend datën e orën, dhe të shkosh për të respektuar dikwnd, ose për të marrë pjesë në një ngjarje apo përvjetor. E thjeshtë, apo jo?
 
Djemtë tuaj Zefi e Floriani, në mënyra të ndryshme kanë ndjekur rrugën e artit, po ashtu edhe nipat. Ndjeheni i plotësuar edhe me  punën e tyre?
Shumë i plotësuar. Kam vetem një dëshirë: që të ma kalojnë!
 
Sapo festuat 85 vjetorin. Çfarë do të kishit bërë ndryshe në këto vite?
-Shumëçka. Nja 85 gjëra, besoj ...
 
Falemnderit per intervistën! Ju uroj jetë të gjatë e krijimtari sukseshme!

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti (VIDEO)

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti (VIDEO)