Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis i kërkoi sot Greqisë të hartonte një listë reformash të plotë dhe të besueshme, në një intervistë për të përditshmen gjermane Bild.
"Qeveria greke duhet të ulet dhe të hartojë një listë reformash të plotë dhe të besueshme", konfirmoi ai.
"Kemi humbur shumë kohë. Tashmë, negociatat po vazhdojnë, por ne duhet të nxitojmë akoma më shumë", shtoi ai.
Qeveria e Aleksis Ciprasit që prej ardhjes në pushtet ka zhvilluar bisedime me kreditorët e vendit, FMN dhe BE në përpjekje për të marrë një këst prej 7,2 miliardë dollarësh nga kredia, pa hequr dorë nga angazhimet e saj sociale përballë zgjedhësve. Por, disa prej këtyre premtimeve bin ndesh me reformat e kërkuara nga kreditorët.
"Greqia duhet të bëjë akoma më shumë, veçanërisht në konsolidimin e financave publike, pensionet dhe tregun e punës", nënvizoi Dombrovskis.
"Greqia duhet tashmë të propozojë reforma dhe nuk mund vetëm të refuzojë ato që i propozohen", konfirmoi ai.
"Çdo ditë pa marrëveshje, situata e qytetarëve grek bëhet akoma më e vështirë dhe përsa i përket situatës financiare ka të gjitha arsyet për të reaguar sa më shpejt", theksoi zëvendëspresidenti i Komisionit./atsh/