BERLIN- Ministri britanik i Punëve të Jashtme Philip Hammond përjashtoi sot në Berlin një pjesëmarrje të Londrës në sulmet ajrore në Siri, pas fjalimit të presidentit amerikan Barack Obama që u shpreh i gatshëm për të bombarduar pozicionet siriane të Shtetit Islamik.
"Britania e Madhe nuk do të marrë pjesë në sulmet ajrore në Siri", tha ai duke kujtuar kundërvënien ndaj një ndërhyrje ushtarake në Siri të shprehur me votim në parlamentin britanik vitin e kaluar.
"E kemi zhvilluar më parë këtë çështje në parlamentin tonë dhe nuk do të vendosim në diskutim pozicionimin e tij", tha ai por pa përjashtuar pjesëmarrjen në bombardimet në Irak.
Hammond u shpreh gjatë një konference për shtyp të përbashkët me homologun gjerman Frank Walter Steinmeier.
Shefi gjerman i diplomacisë theksoi nga ana e tij se Gjermania gjithashtu nuk do të marrë pjesë në asnjë sulm ajror, qoftë ky në Siri apo Irak.
"Nuk na e kanë kërkuar dhe nuk do e bëjmë", deklaroi Steinmeier duke theksuar se pozicionimi gjerman që tashmë është i njohur, respektohet nga aleatët ndërkombëtarë./ATSH/