Ministria e Industrisë dhe Energjisë dhe Gjermania kanë nënshkruar një marrëveshje financimi prej 2 milion eurove, vlerë e cila do të përdoret për sektorin energjetik.
 
Marrëveshja është nënshkruar nga ministri, Damian Gjiknuri dhe ambasadori i Gjermanisë, Helmut Hoffman marrëveshje e cila do të shkojë në drejtim të zhvillimit të masterplanit të OSHEE-së dhe konsulencën e tyre.
 
Shuma është financim i një programi që synon të përmirësojë menaxhimin e kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, apo edhe të ofrojë konsulencën në marrjen e vendimeve të duhura për investimet në mbarë vendin.
 
Sipas ministrit Gjiknuri, bashkë me KfË-në, është duke u zhvilluar edhe masterplani i investimeve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
“KfË-ja është një nga partnerët kryesorë në sektorin elektroenergjetik. Ka një portofol jashtëzakonisht të rëndësishëm në investime, sidomos në infrastrukturën energjetike. Bashkëpunimi me Gjermaninë ka qenë shumë i mirë në këtë drejtim dhe do të vazhdojë i tillë, aq më tepër tashmë që sektori elektroenergjetik po kthehet në një sektor solid, me të dhëna financiare shumë solide, me një rimëkëmbje të dukshme. Kemi përmirësim të dukshëm të humbjeve, përmirësim të të ardhurave dhe sektori ka hapur një dritare të re bashkëpunimi me të gjithë institucionet financiare ndërkombëtare për shkak të kësaj mirëperformance” ka thënë Gjiknuri.
 
Ndërsa ambasadori i gjermanisë, tha se kjomarrëveshje vjen menjëherë pas përfundimit të projektit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
 
“Marrëveshja e sotme shënon vazhdimin e sukseseve tona të mëdha të bashkëpunimit gjermano-shqiptar në sektorin e energjisë. Pasi përfunduam me sukses linjën e transmetimit të tensionit të lartë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në pranverën e vitit 2016 do të përfundojmë edhe punimet për linjën e tensionit të lartë Shqipëri-Kosovë”.
 
Ky projekt duhet të garantojë që i gjithë sistemi i shpërndarjes të funksionojë. Do të realizohet kualifikimi i punonjësve të OSHEE për të marre vendime të duhura. Një objektiv tjetër është implementimi i sistemit të informacioneve. Këtë mbështetje financiare e realizuam mes bankës KFV dhe BB


Ja fjala e plotë e Gjiknurit dhe Hoffman

Deklarata e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri:
 
Patëm kënaqësinë që të nënshkruajmë një marrëveshje të re me Republikën Federale Gjermane, në këtë rast me mbështetjen e bankës KfW. Bëhet fjalë për një vlerë rreth 2 milion euro të cilat do të përdoren kryesisht në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, për ato elementë shumë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen e kompanisë së shpërndarjes. Janë të dedikuara për shërbime konsulence, për shërbime menaxhimi, për të cilat kompania ka aq shumë nevojë dhe që kanë të bëjnë me përmirësimin financiar të shoqërisë, aspektet teknike të shoqërisë dhe përmirësimin e shërbimit të klientit. Pra me atë që ne kemi thënë, një menaxhim tjetër korporativ të shoqërisë së shpërndarjes. Bashkë me KfW-në, jemi duke zhvilluar edhe masterplanin e investimeve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
 
KfW-ja është një nga partnerët kryesorë në sektorin elektroenergjetik. Ka një portofol jashtëzakonisht të rëndësishëm në investime, sidomos në infrastrukturën energjetike. Bashkëpunimi me Gjermaninë ka qenë shumë i mirë në këtë drejtim dhe do të vazhdojë i tillë, aq më tepër tashmë që sektori elektroenergjetik po kthehet në një sektor solid, me të dhëna financiare shumë solide, me një rimëkëmbje të dukshme. Kemi përmirësim të dukshëm të humbjeve, përmirësim të të ardhurave dhe sektori ka hapur një dritare të re bashkëpunimi me të gjithë institucionet financiare ndërkombëtare për shkak të kësaj mirëperformance.
 
Unë dua të falënderoj edhe njëherë qeverinë gjermane, Ambasadorin, i cili vazhdimisht i ka ndjekur nga pranë zhvillimet në sektorin elektroenergjetik. I siguroj që këto para do të përdoren për të përmirësuar Operatorin e Shpërndarjes, që klientët shqiptarë të kenë shërbime më të mira, ulje të humbjeve në mënyrë drastike dhe menaxhimi i kësaj korporate të kapë standardet që kërkohen, standardet e një kompanie bashkëkohore.
 
 
Deklarata e ambasadorit gjerman z. Hellmut Hoffman:
 
Ju faleminderit shumë zoti ministër,
 
Zonja dhe zotërinj, me nënshkrimin e sotëm kemi bërë një hap të mëtejshëm përpara për furnizimin e vazhdueshëm e të besueshëm me energji elektrike në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka dëshmuar në këtë mënyrë se është duke ndërmarrë përpjekje të mëdha reformash për të garantuar qëndrueshmërinë financiare të sektorit energjetik dhe integrimin e Shqipërisë në Komunitetin Evropian të energjisë.
 
Më lejoni zoti ministër të ju falenderoj shprehimisht për angazhimin tuaj dhe të qeverisë shqiptare, pikërisht për të sjellë rendin dhe efiçencën në sektorin energjetik këtu në Shqipëri dhe dëshiroj të ju inkurajoj të vazhdoni më tej kështu.
 
Marrëveshja e sotme shënon vazhdimin e sukseseve tona të mëdha të bashkëpunimit gjermano-shqiptar në sektorin e energjisë. Pasi përfunduam me sukses linjën e transmetimit të tensionit të lartë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në pranverën e vitit 2016 do të përfundojmë edhe punimet për linjën e tensionit të lartë Shqipëri-Kosovë.
 
Në fillim të vitit 2014 kemi nisur krahas të tjerave edhe ndërtimin e linjës 110 kv në Jug të Shqipërisë, e cila mendohet të jetë në funksion të plotë në Janarin e ardhshëm. Dy nënstacionet përkatëse qëndrore të kësaj linje në Orikum dhe Himarë do të jenë gati pas 18 muajsh. 
 
Qindra mijëra shqiptarë do të mund të furnizohen pas kësaj në mënyrë të besueshme e të vazhdueshme me energji elektrike. Kësisoj, edhe sipërmarrjet, shkollat, spitalet dhe institucionet do të mund të punojnë më mirë dhe me më efektivitet. Ndërtimi i këtyre linjave energjetike dhe rinovimi i nënstacioneve janë një bashkëpunim i shkëlqyer gjermano-shqiptar.
 
Më lejoni të vij tek marrëveshja që sapo nënshkruam sot pasi pasi suksesi dhe rentabiliteti i këtyre linjave ka për rëndësi vendimtare dhe thelbësore funksionimin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të tyren.
 
Pikërisht këtë synon kjo masë shoqëruese e projektit të nënshkruar sot, për të cilën Gjermania ka vënë në dispozicion 2 milion euro, shifër që e përmendi edhe ministri pak më parë. Ky projekt do duhet të garantojë që i tërë sistemi i shpërndarjes së energjisë të menaxhohet në mënyrë të përgjegjshme dhe duke mbuluar kostot.
 
Për këtë qëllim do të realizohet kualifikimi i përgjithshëm i punonjësve të OSHEE-së, të cilët do të mbështeten edhe me konsulencë për të marrë vendimet e duhura për investime në mbarë vendin. Kjo në përputhje me kërkesat e unionit evropian të transmetimit të energjisë.
 
Një objektiv tjetër është edhe implementimi i sistemit të menaxhimit të informacioneve, i cili do ti mundësonte OSHEE-së të kishte në çdo moment panoramën e plotë të situatës aktuale të infrastrukturës së saj në përgjithësi.
 
Këtë mbështetje financiare për menaxhimin e OSHEE-së e realizojmë përmes bankës për zhvillim KfW dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore. Më mbetet vetëm të falenderoj përzemërsisht për bashkëpunimin konstruktiv dhe mbështetjen administrative, fillimisht Ministrinë e Energjisë, bashkëpunëtorët tuaj pra z.ministër, sëbashku me zonjën Duka dhe zonjën Qirjazi nga Drejtoria e Menaxhimit të Ndihmës së huaj. Një falenderim edhe për donatorin partner që është Banka Botërore, për mbështetjen e përbashkët në menaxhimin e OSHEE-së.
 
Sigurisht, në mbyllje ju uroj dhe shumë suksese në realizimin e kësaj mase. 


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)