Gjermeni në Report Tv: Krutanët po kalojnë një situatë të vështirë pas tërmetit! Ata që nuk gjejnë banesa me qira, do sillen në Tiranë

TIRANE- Deputetja socialiste Elgantina Gjermeni tha në studion e Report Tv se banorët e Krujës të prekur nga tërmeti, po kalojnë një situatë të vështirë jo vetëm për dëmet materiale por edhe psikologjike, pasi një pjesë e tyre kanë humbur të gjithë investimet e një jete pas të martës së 26 nëntorit. Ajo tha se Bashkia e Krujës po punon për t'i krijuar mundësinë qytetarëve që të gjejnë një banesë me qira, mundësi kjo e kushtëzuar edhe nga numri i kufizuar i banesave të lira. Gjermeni u shpreh se një pjesë e banorëve që tashmë jetojnë në çadra apo hotele që nuk do të munden të gjejnë një banesë me qira në Krujë, mund të sillen përkohësisht në Tiranë.

"Gjithçka që ndodhi pas tërmetit ishte një traumë kolektive. U gjetëm të papregatitur. Ishte një traumë por edhe tragjedi. Emeregjenca imediate po kalohet dhe njerëzit nuk kanë thjesht nevojë për atë strehën. Tashmë të gjithë kërkojnë një garanci një siguri për një banesë. Kanë probleme të tjera pasi thonë se kemi punuar gjithë jetën dhe e ardhmja e tyre lidhet me atë investim. Lidhur me bonusin e qirasë unë dua të them se Kruja u prek goxha nga tërmeti. Në Krujë kanë jetuar në palestra apo edhe në hotel. Deri tani janë 446 aplikime në Krujë. Thumana ka 300 aplikime, Fushë-Kruja 370 aplikime, Bubqi 55 aplikime, Nikla 3 aplikime. Një pjesë e tyre nuk pranojnë të largohen. Në këtë situatë por edhe në varësi të mundësive që ka çdo njësi administrative janë të kufizuara mundësitë për qira. Bashkia është e gatshme duke ofruar mundësi për të aplikuar por edhe duke iu ofruar ndihmë dhe mundësi që këshilli bashkiak të marrë vendime. Një pjesë e familjeve që nuk do gjejnë banesa me qira mund të vijnë përkohësisht në Tiranë për të shmangur qëndrimin në çadra apo hotele. Punonjësit e bashkisë bashkë me ekspertët po bëjnë verifikimin e banesave dhe kanë kërkuar nga qytetarët e Krujës që kanë banesa me qira t'i ofrojnë. Bashkia mund të shërbejë si një ndërmjetës për të lehtësuar këtë proces, që qytetarët të kenë mundësi të marrin një ambient me qira", tha Gjermeni.

Kruja është një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Report Tv zgjodhi të kalojë natën e ndërrimit të viteve në çadrat mes banorëve të këtij qyteti të cilët dëshirë të vetme në këtë ditë kishin sigurimin një banese. Grupet e punës vijojnë inspektimet në terren për të bërë vlerësimin e banesave të dëmtuar me kusht rikonstruksioni si dhe atyre që tashmë janë shpallur të pabanueshme. Nga shifrat e deritanishme rezulton se janë 1480 banesa të dëmtuara në total.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Vorë/ Një i plagosur me armë, shkak një konflikt mes dy personave

Vorë/ Një i plagosur me armë, shkak një konflikt mes dy personave