PUSHTIMI I PARË” për mirditën dhe zonat rreth saj.
Mark gjomarku
Enver Hoxha i mbështetur nga emisarët e PKJ pati si preokupim të parë jo luftën, por fitoren e pushtetit. Konflikti social.
Në fazën e parë gjatë Luftës Antifashiste në vitet 1941-1944, konflikti dhe rivaliteti për pushtet i forcave enveriste është i orientuar kryesisht në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut. Kështu Enveri me ndihmën e PKJ “duke bashkëpunuar” me “Ballin Kombëtar” dhe “Legalistët” i fut këto dy parti në “kurthin e kolaboracionizmit”. Ndërsa duke fituar rolin e lidershipit të luftës, fillon dhe vendosjen e pushtetit sllavo-komunist në vend (këshillat nacionalçlirimtarë).
Deri në verë të vitit 1943 gjatë luftës, marrëdhëniet mes partizanëve dhe shqiptarëve të tjerë antifashistë, jo vetëm nuk ishin armiqësore, por shpesh dhe bashkëpunuese në luftën kundër fashizmit. Kjo dukuri ishte evidente që në fillim në marrëdhëniet mes forcave partizane dhe atyre të nacionalistëve si: Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Myslim Peza, Dali Ndreu, Baba Faja Martaneshi, Haxhi Lleshi, Mestan Ujaniku etj. Taktika e Partisë Komuniste ishte: Të shndërronte gjithë përpjekjet antifashiste të këtyre nacionalistëve dhe të shumë të tjerëve në një lëvizje të udhëhequr nga PKSH.
Ky proces ndodhi që në fund të vitit 1941 e deri në vitin 1943, kur çetat territoriale filluan të transformoheshin në çeta partizane. Pra çetat, përveç komandantëve të tyre në shumicën dërrmuese, patën dhe komisarët që ishin emisarët e PKSH, dhe që kujdeseshin veçanërisht për fitoren pas luftës të pushtetit nga PKSH dhe vetëm nga ajo. Në fund të këtij procesi Partia Komuniste e arriti qëllimin e saj duke bërë për vete në një kohë mjaft të shkurtër komandantët dhe çetat e tyre si: Myslim Pezën në Tiranë, Mestan Ujanikun në Skrapar, Haxhi Lleshin në Dibër, Baba Fajën në Mat e Bizë etj., por nuk arriti të futë në vartësi çetat antifashiste-patriotike të Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit të Lumës, Abaz Ermenjit në Skrapar etj. Kështu deri në vjeshtën e vitit 1943 forcat partizane përbënin forcën kryesore antifashiste në Shqipëri, ndërsa forcat e tjera antifashiste mbetën vetëm fragmente të shkëputura dhe të destinuara të zhdukeshin plotësisht deri në çlirimin e Shqipërisë (29 Nëntor 1944).
Ky fenomen pasqyrohet qartë dhe në dokumente historike, veçanërisht në qarkoret dhe porositë që u jepte Komiteti Qendror i PKSH dhe Enver Hoxha, njësive luftarake partizane. Në një letër që Enver Hoxha u dërgon gjithë Komiteteve Qarkore pas Marrëveshjes së Mukjes, duket qartë tendenca e tij për të dalë edhe kundër delegatëve të PKSH që firmosën marrëveshjen, pa kushte dhe me tendencë për të futur gjithçka në dorën e tij.
“Të dashur shokë,
Lajmëroheni se ju asht dërgue nga Tirana nji trakt për t’u shpërnda, i firmosur prej Komitetit për çlirimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të Këshillit Nacional-Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në kundërshtim me vijën NÇl dhe dizaprovohet nga Komiteti Qendror i PKSH. Prandaj nqs nuk e keni shpërnda, çirreni dhe të mos flitet ma ... Në rast se trakti është shpërnda, qoftë nga ju, qoftë nga Balli, atëherë nënvleftësojeni, thoni se puna është me luftue me të vërtetë kundra okupatorit dhe për nji Shqipni Demokratike dhe jo për të firmosur letra që Balli deri tani i ka kundërshtuar haptas me veprat e tij ... Insistoni në popull që Balli ka sabotuar luftën tonë ... duhet të demaskoni Ballin me qëllim që ta shkëputni nga populli, jo me luftë të hapët, por në formë apeli.
Duhet shokë të kuptoni se Balli po mobilizohet për kolltuk, për të na luftue neve – duhet pra, të kemi kujdes të forcojmë radhët tona dhe të mobilizojmë popullin rreth nesh ... të mos lëmë që reaksioni ... të na marrë frenat nga duart ... Kini kujdes të mobilizoni këshillat e miqtë. Agjitacioni jonë duhet ta mbulojë 10 herë atë të Ballit ... Kini kujdes të rregulloni grupet edukative, ... të forconi këshillat, forconi organizatën në Ushtrinë NÇl (pa organizatë të Partisë nuk ka çeta, s’ka luftë NÇl)...
8/08/1943 Të fala shoqnore
Për Komitetin Qendror të Partisë
Shpati”
Preokupimi i vetëm i Enver Hoxhës ishte pra fitorja e pushtetit nga ana e tij nëpërmjet PKSH dhe jo lufta, pasi fatet e saj përcaktoheshin nga veprimet e Aleatëve: Në Lindje BRSS, ndërsa në Perëndim SHBA dhe Anglia etj.
“Të dashur shokë ... po ju vëmë në dijeni të gjendjes dhe të masave që duhet të merrni, e sidomos në lidhje me situatën e brendshme.
Ofensiva e madhe sovjetike e kryer në një stil të gjerë dhe të ri dhe në një front prej më tepër se njëmijë kilometër, shkon pra tuj çlirue qytete dhe krahina të gjëra. Përpara tankeve, avionëve dhe përpara strategjisë gjeniale të shokut tonë të madh Stalin, banda e Hitlerit dhe strategjia e tij gjoja e pathyeshme e gjermanëve pësoi thyerjen e turpshme dhe Ushtria e Kuqe lavdiplotë e udhëhequr prej Partisë Bolshevike po pregatit çlirimin e shpejtë të Bashkimit Sovjetik dhe të popujve të tjerë ...
Gjendja n’Itali pati një zhvillim shumë të shpejtë mbas hapjes së Frontit të Dytë të Perëndimit, n’Italinë Jugore. Italua u dorëzua pa kondita...
Mesa duket, që nga kjo kohë Enver Hoxha, veçmas drejtuesve të tjerë, ka qenë shumë i kujdesshëm për të ardhmen e pushtetit sesa fatet e luftës, pasi pas goditjes së gjermanëve nga “Ushtria e Kuqe” në Kursk, shënohet në fakt dhe “perëndimi” i ushtrisë hitleriane dhe fitorja e sigurt e “Aleatëve”. Gjithashtu në dokumentet arkivore, duket qartë se Shqipëria ishte projektuar të ishte pjesë e sistemit komunist sovjetik të Evropës Lindore, ku përfaqësuesi dhe emisari i këtij projekti në Shqipëri ishte fiksuar Enver Hoxha që kur u themelua PKSH (1941).
Në të gjithë dokumentet që kemi parë, nuk mundëm të gjenim një dokument ku të shprehej interesimi i Enverit për situatën luftarake mes forcave tona dhe atyre armike-fashiste, humbjet apo fitoret në front, gjendja e forcave tona dhe e dislokimit të forcave armike etj., etj., por gjithmonë preokupimi i tij për largimin e Ballit dhe të forcave të tjera nacionaliste nga froni i luftës kundër fashizmit, ishte preokupimi kryesor i tij. Një letër që Enveri i dërgon Gjin Markut dhe Kahreman Yllit më 26.09.1943, është një nga dokumentet në të cilët shprehet fryma dhe qëllimi i tij gjatë luftës, por edhe acarimi i marrëdhënies së tij me Gjin Markun, tendenca për të futur nën kontroll gjithë veprimtarinë e drejtuesve kryesorë të luftës dhe “vënien nën zap” të tyre etj.
“... Shokëve Gjin Marku dhe Kahreman Ylli – Berat
... Për sa i përket mbajtjes në korent nga ana e juaj Komitetin Qendror, është bërë një sëmundje e keqe, që ka një vit e ca që po vazhdon. Nuk është puna të na lini dy-tre muaj pa lajme ... është e tepërt t’ju përsërisim edhe një herë se në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojë puna, por ju sigurojmë se kjo do të jetë hera e fundit që kemi toleruar një gjë të tillë dhe në përsëritje do të marrim masa, të cilat nuk do të jenë në nderin e juaj si komunistë dhe si udhëheqës ... Me keqardhje konstatojmë se në një raport prej tetë faqesh të bëra nga dy shokë përgjegjësa dhe drejtues të punës në gjithë Qarkun e Beratit, raport drejtuar Komitetit Qendror të Partisë, nuk gjejmë asnjë radhë për gjendjen organizative të Partisë ... puna e Beratit është një mister i madh për ne.
Duke qenë në një situatë të tillë, Komiteti Qendror i Partisë nuk din si ta ndihmojë atë terren, nuk din si ta drejtojë këtë organizatë. N.q.se punën e Partisë e merrni me kaq pak seriozitet dhe të mbani në korent K. Qendror e quani të tepërt, aherë ndryshon krejt puna ... nuk është një gabim i rastit ... Në qytetin tuaj ekzistojnë dy pushtete, njëri ai i Ballit dhe T’oni. Gjë që s’duhet të ekzistojë. Nuk mund të tolerojmë që Balli të ngrejë pushtetin e vet krahas me tonin, nuk duhet të lejoni dualitet në këtë gjë. Prandaj duhet ta luftoni patjetër këtë pushtet dhe të njihet vetëm t’oni, të luftohet me çdo mënyrë, me propagandë, me mitingje duke folur haptazi në konferenca të gjëra se ç’është Balli dhe njerëzit e tij me radhë ... që prej Abaz Ermenjit deri te Fazlli Frashëri.
Bashkim nuk ka me Ballin ... Shokë, vendosja e pushtetit nuk është një shaka dhe në rast se ne nuk do të dimë të veprojmë si duhet që në ditët e para, të jemi të sigurtë se do të gjejmë pengesa të mëdha për më vonë. Këshillat duhet të jenë pushtet i vetëm ... Mos kujtoni se tash Berati është i çliruar dhe na lejohet që të bëjmë dhe ndonji lëshim. Lëshimet më tepër se asnjëherë janë një dëm i madh për ne. Komanda ushtarake të veprojë kurdoherë duke e goditur armikun dhe duke vënë gjithmonë forcën e vet për të ndihmuar stabilitetin e pushtetit dhe forcimin e tij. Sot më tepër se kurdoherë duhet të spastroni elementët e poshtër dhe armiq të popullit dhe të Partisë... Shtabi ju ka kërkuar shumë sende, por asnjë përgjegje s’jepni.
Me raportue luftën kundra Isa Toskës ose me çarmatos ushtrinë Italiane, është një gjë, me raportue dhe me u interesue për çështjet organizative të Ushtrisë është një gjë tjetër. Këtë pikën e dytë as që ju ka shkue ndër mend me i raportue Shtabit, dhe këtë punë e presim nga komisari i atij grupi, shoku Gjin. Ju keni shkruar për çështjen e elementave që duhet të dërgoni në Brigadë, për mobilizimin e punëtorëve të Kuçovës, për armatimin e tyre, ndërsa për dërgimin e tyre në vendin ku është caktuar, juve nuk na shkruani aspak. Nuk e keni kuptue rëndësinë e këtyre çështjeve dhe mos zbatimi i tyre ose neglizhenca shkatërron gjithë planet tona ... Komunistët duhet të jenë në radhë të luftës, këtë e kemi thënë kurdoherë, por lufta s’është gjithmonë në grykë të pushkës, është edhe në organizimin e pushtetit dhe të ushtrisë ...
Situatat që po krijohen janë në favorin tonë, vetëm duhet të jemi në gjendje t’i dominojmë këto situata ... Balli Kombëtar dita-ditës po diskreditohet, dita-ditës na fitojmë tokën që ata humbasin e këto përfitime nuk vijnë vetvetiu, por me përpjekje ... Nuk mjafton të thuaç në popull se Balli s’ka gjë në vijë, por me punën tonë propaganduese të shohë vetë populli se balli me të vërtetë s’qenka gjë ...
Të dashur shokë, Gjin dhe Kahreman!
Kemi bindjen se për sa ju shkruam do të veproni ashtu si ju themi më lart dhe shpejt dhe ju dhe ne do të kemi rezultate të mira. Në rastin e kundërt do ta kemi shumë keq me ju.
Shumë të fala
Për Komitetin Qendror të Partisë
(Shpati)
Siç shihet nga ky dokument, si edhe në shumë të tjerë, për Enver Hoxhën, lufta me okupatorin ishte e fituar (Enveri dinak e dinte mirë se fatet e luftës vareshin nga BS, Anglia dhe SHBA), çështja ishte fitorja e luftës për pushtet, pra fitorja e pushtetit nga Ai nëpërmjet PKSH. Edhe luftëtarët e lirisë dhe komandantët e frontit komunist (që ai po e uzurponte me ndihmën e jugosllavëve që në fillim), kritikoheshin ose lavdëroheshin prej tij, duke pasur si kriter sjelljen e tyre me nacionalistët, Ballin etj., madje bilancin e luftës kundër tyre. Madje komandantë dhe drejtues të rëndësishëm të luftës si Gjin Markun, Tuk Jakovën, Dali Ndreun, Bedri Spahiun etj., Enver Hoxha i shihte dhe ata si rivalë potencialë për pushtet. Është kjo arsyeja që edhe me këta komandantë të dëgjuar të luftës nis një “konflikt” që në kohën e kësaj lufte, konflikt që do të përfundonte me eliminimin e këtyre të fundit pas largimit të pushtuesve nazifashistë.
(Vijon nesër)
*) Autori është drejtor i Arkivit Qëndror të Shtetit
Shkrimi u publikua sot (25.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)