TIRANE- Hetimi për zbulimin e 16 armëve të vjetra, ku nëntë prej tyre gëzonin statusin e “Trashëgimisë Kulturore, ka detyruar oficerët e policisë të përdorin dhe aparatë minakërkues, gjatë kontrollit të banesave të personave të dyshuar. Një dokument i përpiluar në 21 nëntor të vitit të kaluar, nga Oficeri i Policisë Gjyqësore Dritan Kume, tregon se veç kontrollit fizik të banesave të shtetasve Gerti Pashja dhe Artil Met’hasani në Peqin, të kontrollohen dhe oborren e banesave, pasi dyshimet ishin se armët antike ishin groposur nën dhe.

Të paktën këto dyshime ishin krijuar pas përgjimeve të kryera, ku të dyshuarit flisnin se armët i mbanin të fshehur nën dhe. Gazeta “Shqiptarja.com”, zotëron dokumentin që tregohen veprimtaria e grupit me bazë veprimi në Cërrik-Elbasan dhe Peqin. Në këtë dokument tregohet se policia ka tentuar të infiltrojë dhe një agjent të infiltruar, por një procedurë e tillë hetimore nuk është arritur të kryhet.

Relacioni i OPGJ
Në kushtet e dyshimeve për trafikimin e armëve që gëzojnë statusin e “Trashëgimisë Kulturore”, i është kërkuar prokurorisë vendosja në përgjim e dy numrave të telefonit për shtetasit Gerti Pashja dhe Vasil (Ermir) Bego, dhe nga ku ka rezultuar se ata gjatë gjithë kohës kanë shfaqur interes edhe me persona me lidhje të tyre miqësore në qytetin e Pogradecit për shitjen e një sërë objektesh jashtë shtetit në Turqi, për një shumë prej 10 mijë deri në 12 mijë euro, mendohet se bëhej fjalë për sendet sa më lart. Po me gjithë punën e bërë deri më tani nuk është arritur dokumentimi i plotë ligjor i kësaj veprimtarie kriminale, pasi nuk është arritur që të kontaktohet me ata dhe të kryheshin veprime simuluese në blerje.

Dyshohet se pistoletat e vjetra janë vjedhur në Muzeun Etnografik Kombëtar të Elbasanit nga disa individë, një ndër ta mendohet të jetë Ermir Bego. Me qëllim grumbullimin e provave të nevojshme për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale dhe dokumentimi i plotë ligjore të veprës penale për të cilën ëhstë filluar procedimi penal, kërkojmë edhe kryerjen e një veprimi procedurial, atë të kontrollit të banesave të personave të implikuar në këtë vepër penale. Sa më sipër kërkojmë bërjen e kontrolleve të banesave të shtetasve si (Vasil) Ermir Bego në Cërrik, Gerti Pashja në fshatin Fatish komuna Përparim dhe Artil Met’hasa në Peqin.

Për sa më sipër mëqënëse kontrolli i banesave të këtyre shtetasve do të shtrihet edhe në sipërfaqen e tokës që i rrethojnë ato, pronë e shtetasve Gerti Pashja dhe Artil Met’hasa kërkohet prania e personave të specializuar dhe përdorimi i aparateve të posaçme për dedektimin e sendeve që dyshohet se janë të fshehura nën tokë.

Faksimile e kërkesës së Policisë Gjyqësore

(Në foto: Faksimile e kërkesës së Policisë Gjyqësore drejtuar prokurorisë së Elbasanit për lejimin e kontrollit të banesave dhe oborreve të personave Ermir Bego, Gerti Pashja dhe Arti Met’hasani)