Gjika, gazetari që jetoi me parimin
“shërbei atdheut me besë e me nderë”

Gjika, gazetari që jetoi me parimin<br />“shërbei atdheut me besë e me nderë”
Në kohën e robnìs, qi vêndi i ynë ka kalue nën thundrën Osmane, shumë nâna shqiptare e veçanërisht ato të viseve të Kolonjës, djelmt i rritshin  nën tmerën qi nji ditë do të ndaheshin prej tyne e ndoshta nuk do t’i shifnin kurrë, po të kishin lânë truell e familje për udhët e hidhta të mërgimit apo të shërbimit ushtarak.

Dhe kështu e jo ndryshe qe për Lenën e mjerë rritja e dy djelmve. Nji rritje e vështirë qe rrojtja e familjeve kolonjare n’ato vise të shkreta pse të vorfna. Për djalërinë e Kolonjës dy qenë udhët : njena e armëve n’urdina turkoshake, humbun këso bote në djerret e largta t’Anadollit e të Jemenit, prej kah të paktë ishin ata që ktheheshin ; tjetra udha e mërgimit, edhe kjo jo ma pak e vështirë se e para, por mos tjetër shum mâ e lehtë, e frytshme dhe e përcjellun me të gjitha dëfrimet e nji jetës përparimtare dhe të sigurtë për ata djelm qi kishin fatin të mund t’a merrshin, thomi fatin, pse kolonjarëve mundësinat financjare shpesh u mungojshin.

Dhe kështu, mbas vllaut të madh, i erdh rasti edhe Sotirit që të dalë në mërgim. Me puthjen e nânës qi ai adhuronte le Vêndin e vet, Shtikën e Kolonjës, dhe kaloi, në moshën mâ të re, Detin Mesdhe për Misir, ku kishte farefis qi e prisnin. Xȗ vênd në Kartum të Sudanit. Aty s’ndêj shum kohë, pse diçka i trazoi zêmrën. E çka ngjau në shpirt të tij? Na e thoshte ai vetë në kallzimet e tij për mërgimin : nuk mund të jetoja n’at vênd pse shifshe se edhe aty nji popull, si populli shqiptar, ishte i shkelun prej të huejsh, vuente nji robnì së cilës un i ishe largue, dhe ndonse sunduesit i kishin sjellun atij Vêndi përparim të madh.

Me ato pak kursime qi kishte mundun me mbledhun e me nji ndihmë të vogël qi vllau i kishte dërgue, u nis për nji botë tjetër, për Amerikë, e cila asokohe ishte ândërr për çdo shqiptar, aq mâ tepër për tê qi kishte vllan e madh. Aty ândrronte shpëtimin nga vuejtjet shpirtnore sa edhe lândore, kështu qi të dy vllaznit bashkë, të mund t’i  vijshin së shkretës nânë të largtë, qi qante votrën e zbrazët, djelmt në mërgim.

Në Boston, të dy bashkuen nji shumë dhe hapën nji dyqan me sênde ushqimi. Pak nga pak mblodhën kursime qi muejtën të bâjnë si të rij dhe në fillim të nji pune të re. Kursimet prisheshin prej çdo rasti që aty u dilte për m’i vjeftë “çâshtjes kombtare”, e qi Shoqnìja Besa – Besë mâ parë dhe Federata Panshqiptare ”VATRA” mâ mbrapa, trumbetojshin anë e kând Amerikës dhe kudo ndodheshinshqiptarë të mërguem. E veprat ishin të shumta, ndihmat të pakta pse dhe fitesat nuk ishin aq të mëdhaja. Me mbajtë gjallë lëvizjen kombtare, kulturore, dhe autoqefalìn e Kishës, ndihmat duhet t’ishin sa të rregullta aq të mjaftueshme. Propaganda greke me qëllim qi t’a shuente atë lëvizje të dâmshme për politikën e Fanarit, përhapte me anë t’organëve të vet, të shumtë dhe të pasun, lajme friksimi ndër shqiptarë qi kishin familjet n’Atdhe.
Qe se po afritej ândrra e ushqyeme prej idealistvet shqiptarë : dielli i lirìs shkyte n’agimin e nji ditës rèt e zeza qi terratisshin fatin e Atdheut, lëvizja e malsorve qe nji shkëndì qi Lufta Ballkanike e vuni n’udhën e realizimit.

Kur çâshtja shqiptare muer ngjyrë kombtare, kur çeta e bardhë e apostujve të lirìs nguli flamurin e Gjegj Kastriotit në Vlonën kreshnike, strehë e të gjithë shqiptarve të çdo vêndi e krahine të ndjekun prej urdivet sllave zaptuese dhe aq mâ tepër anmike të liris shqiptare, Sotirin nuk e mbajti gjâ mâ, shkatrroi dyqan dhe u nis drejt për kah Atdheu qi e thirrte. Në Milan merr pjesë në Komitetin italo – shqiptar qi aty ishte qenë formue e prej atij komiteti dërgohet bashkë me të tjerë në Kongresin e Triestes (1912).
Kur Konferenca e Londonit siguroi me nji akt ndërkombtar Pamvarsìn Shqiptare, niset për në Vlonë të cilën blloku grek deri asokohe e kishte mbajtë të mbyllun (1913).
Aty bashkohet me shokë tjerë qi kishin mbrritun prej anëve të tjera të mërgimit me atë besë qi kishte ushqye dhe nuk e kishte lëshue. Për të mirë e lulzim t’Atdheut të dashun,thotë, çdo therorësì âsht e pakët.  

Sotiri ishte i qëndrueshëm ndër parime të veta ; nuk njifte mnjanime para veprave, sado guximtare t’ishin. Qe nji djalë qi i kishte krijue vehtes, me nji vullnet e qindresë të pashoqe, nji pasuni kulturore mjaft të shëndoshë. Prej puntorit të thjeshtë hyp në shkallën e nji gazetari të mbaruem, me nji kulturë të mirë në fushë të fletorizmës, me nji njoftim gjuhësuer të greqishtes e italishtes mâ vonë. E këtê kulturë e kishte të gjithë prej vehtes. Qe nji “autodidakt” në kuptimin e vërtetë të fjalës. Qe nji djalë idealist, me nji zêmër ari, buzqeshun, shpirtmadh në çdo vepër, si njerzore ashtu patriotike. Sa herë e qitte rasti të bânte nji të mirë, nuk u kursente, ka i herë jashtë fuqive të veta, tue i a heqë vedit. Sa e sa kanë qênë të mirat e tija qi dihen e nuk dihen, sa herë ai të papasunve dhe të pasunve u ka vjeftë, dhe askush nuk e ka dijtë. Sot ndoshta nuk e kujtojnë kohën kur Sotiri u ka qênë vëlla e përmbi vëlla.
Atdhetar i flaktë, burrë i drejtë, i pathyeshëm. Bindte çdo kundërshtar të ideve të tij. Kryefjala e tij ishte : “me i shërbye atdheut me besë e me nderë”. Rastet qi atij nuk i kanë mungue dhe kanë qênë të shumta, të mëdhaja, do t’a kishin bâ pasanik sikur të kishte dashtë, por ai nuk e përlyente êmnin ndër vepra qi nuk ishin mâ se të ndershme. Kush guxoi t’i premtojë (dhe ishte në kohë kur sëmundja e marrun në krye të detyrës si gazetar për zbulimin e vrasësve të Gjeneral Telinit, po e përkulte at lis, pse vdiq më 12 prill 1927 në vetminë e nji bjeshke) nji jetë begatije e jo të vorfën si ai kalonte me atë rrogë të vogël gazetari, vetëm sikur të vênte penën e vet në shërbim të nji çâshtjeje qi i kundërshtonte me besën e tij, me idealin nacional, i pat përgjegjë : “Mâ parë më thehen duert se thej besën t’eme. Do të vdes i vobekët, por due të vdes me nder. Fmija do të trashëgojë prej meje vobekësinë, e dij mirë, por nji êmën të jetuem me nderë. E për kaq jam krenar”.
I rritun kështu me ndiesina qi nuk qenë veç të nalta e të dênja, mori pjesë me armë në dorë, në mars 1914, ndër të parët në ballë të luftës, aty ku mâ tepër vlonte pushka, përpara Rashbullit, nën Komandën e të mjerit Kolonel Holandez Thomson. Si shokët e tjerë edhe Sotiri mbet i plagosun rândë n’at luftim legjendar të djelmënìs nacionaliste, ku gjaku shkoi rrkajë tue lagë tokën e Arbnìs në nji luftë vllaznore, vepër e trathtarëve t’Atdheut. Ra me shokë tjerë të përgjakun, në dorë të kryengritësve Elikjamas.
Ndërhymja e përfaqësuesve të Fuqive të Mëdhaja e shpëtoi se ndoshta huji fanatik do të kishte ba shëmtime mbi trupat e tyne. Emni i tij kaloi në rradhën e trimave e prej dorës së Mbretit mori shêjin e trimnìs, nji medalje ku asht gdhêndë data “26 Mars”, me fjalët të prarue me “Besë e Bashkim”, fjalë qi  për Sotirin kanë qênë nji apostullatë e shkrueme me germa gjaku në zêmrën e tij patriote.

Kështu Sotiri kaloi Adriatikun për me mbyllë plagët e trupit, kur se nji plagë tjetër po u hapte mbas pak ditësh qi kishte lânë Atdheun, plaga shpirtnore, pse me nisjen e Mbretit prej Durrësi, Shqipnìa ra n’anarkìn dhe u vue në rrezik kênsija kombëtare e saj. Si shumë shokë të tjerë armësh, të nji mêndjeje e të nji zêmre, Sotiri i a nisi luftës nën nji flamur tjetër, por me njatë besë qi kurrë nuk e kishte tradhtue, si nuk mund t’a tradhtonte pse e kishte la me gjak të vet.

“Gazeta  shqiptare Edicje e I ”
Më 6 gusht 1914, Sotiri nisi nji faqe tjetër të jetës së tij, qi âsht edhe e historìs kombtare. Ishte i njoftun dhe i çmuem prej ish Adjutantit të Mbretit Ëied, kapitenit italjan Castoldi. Castoldi dijti pra me zgjedhë nji pêndë të mirë për me ndjekë në plot kuptim të tij, çâshtjen shqiptare dhe me zhvillue në shtyllat e nji faqe gazete qi do të dilte në qytetin e Barit t’Italìs. Sa qe fatbardhë n’êmnin e Sotir Gjikës si flamurtar i idesë kombëtare, sa edhe besnik i asaj ideje, aq qe n’êmnat qi do t’a merrshin në bashkpunim t’asaj faqe gazete. Z. Martin Cassano, at i gazetarìs së Puljeve, gazetari gentelman, e mori nën kujdes të tij për t’a prirun në hapat e parë. E fati deshi qi të gjente n’atë rreth nji mik e njoftës të thellë të çâshtjes shqiptare, kryeredaktorin Z. Leonardo Azzarita. Me këta mësues, me këto drejtime, Sotir Gjika, jo vetëm kaloi vështirsìt e nji gjuhës së huej qi ai pak e aspak e njifte, por për mâ tepër nisi karjerën e shkëlqyeshme qi do t’a naltësonte e do t’a bânte të njifej përtej kufijve dhe të dallohej për zotësì në shqyrtim e në shoshitje të problemeve ballkanike.
Kështu pau dritën nji “faqe gazete shqiptare” n’organin e përditshëm të Barit “Corriere delle Puglie” (6 – 8 – 1914). Ajo faqe për ditë e mâ tepër erdhi tue përparue e tue u bâ mâ me randësì, ndonse Lufta e Madhe e kishte kufizue përhapjen në zonat lufte të Shqipnìs, zaptue prej ushtrive Beslidhuna. Me gjithë qi shtypej në nji atmosferë jo aq të favorëshme për Fatin e Shqipnìs, e coptueme simbas Traktatit të msheftë të Londonit (1915), nënshkrue prej Beslidhunve, ajo “faqe” dhe ajo “pêndë” nuk pushuen tue trumbetue anë e kând botës, të drejtën e Shqipnìs për kufijtë etnikë kundra idevet t’interesuemvet e vendimeve grabitëse të Beslidhunve. Nuk kurseu me artikuj t’ashpër jo vetëm anmiqt e Shqipnìs, por edhe miqt kur interesat kundërshtoheshin me ato t’Atdheut.
Ndêjti përherë besnik i idealit kombëtar mbrênda megjeve, natyrisht t’urtìs e të së drejtës, pa mënjanue por drejt ndaj së vërtetës edhe sikur të humbte kafshatën e gojës. Kohët, si thamë, po u pregatitshin të hidhta për Shqipnì e ajo “faqe gazete shqiptare” mund t’ishte organi i nevojshëm për të mbrojtë “çâshtjen kombëtare”.
“Kuvêndi”
Kur kombe të tjerë po përpiqeshin dhe organizoheshin ndër komitete propagandash, duhej që edhe organi i shqiptarëve, të shpërngulej, për nji veprim mâ të gjânë, mâ luftar, mâ autonom, në nji selì mâ të dênjë. ROMA qe zgjedhë ; me qëllim organi u quajt “Kuvêndi”, në kujtim të kuvêndeve qi të parët t’onë kanë mbajtë kurdoherë Atdheu u ndodh në rrezik.
Për frymën qi jepte gjallnì, për bashkpunimin me êmnat ma të shquem e të përmêndun të gazetarìs italiane e të nacionalizmës shqiptare qi i siguroi, ai organ, i vogël në fillim, u rrit e mori nji êmën e nji randësì ndër qarqe politike ndërkombëtare, qi kaloi përtej shpresavet. U bâ nji votër, rreth së cilës u nxehshin shpirtnat, mpreheshin besat e në bashkëpunim me organin e vjetër t’idealit kombtar, qi qe “Dielli” i Federatës Panshqiptare “Vatra”, u zhvilluen luftat mâ të bukura, me triumfin e plotë mbi anmiqtë shekullorë të fisit shqiptar.

Pêndat ma të ndriçme të miqësisë italo – shqiptare bashkpunuen  n’at organ. Prej anës italiane meritojnë të kujtohen : Luigi Federzoni, kolonel Castoldi, Corrado Zoli, Leonardo Azzarita, Profesor Benedetto De Luca, U. Zanotti – Bianco, Filippo Naldi i fletores “Il Tempo”, Prof. Antonio Baldacci, Mario Srada i gazetës “Caffaro”, Alfredo Mantero qi qe redaktor, Sofia Masci, Rosalia Gëis Adami qi botonte të përkohshmen “Giovine Europa”.

Prej anës shqiptare e italo – shqiptare : luftari i vjetër A. Lorecchio, drejtor i fletores plakë “La Nazione Albanese”, Prof. Zef Sqirò, Av. Cosmò Serembe, Dott. Agostino Ribecco, Francesco Argondizza, Kol Mëllazi, M. A. Kruja, L.Kurti, Komneni (Kolë Kamsi), Scampensi (Prof. Kostaq Cipo), Milto Sotir Gurra, Mehdi Frashëri, Sif Nosi, K.Kotte, Visar A. Dodani. Dhe mâ vonë, kur Kongresi shqiptar i Durrësit arriti të dërgojë Dërgatën e kryesueme prej Turhan Pashës në Konferencën e Paqit në Paris, nuk mungoi edhe bashkëpunimi i sa e sa të tjerëve mbrêndë e jashtë kufîjve t’Atdheut. Djelmnìja universitare e kishte organ të vetin, pse “Kuvêndi” nuk i pat mohue kurrë parimet e programit kombtar, edhe ndonëse duhet dijtun se ka pasë të bâjë me mentalitete të ndryshme si âsht ai i shqiptarëve dhe italianvet.

Ai organ dijti të mbrojë të drejtat kombtare edhe në çastet mâ të vështira, veçanërisht kur interesat e Italisë kundërshtoheshin keqas me ato të Shqipnìs (Ujdia Tittoni – Venizellos,  29 korrik 1919). Në rastin e nënshkrimit të Protokollit të Tiranës më 2 gusht 1920, mbas ngjarjes së Vlonës, mbrrijti me shkrue edhe këto fjalë : “..... ngjarja e Vlonës qe shkaktue nga njerëz të cilët e treguan me punë mbajtjen Shqipërinë të shkëputur me zêmër nga Italia : aq fort të shkëputur sa i vij mëndja njeriut të thosh të besonte se një erë e tërbuar u a kishte marrë mëndjen fare burrave të Shtetit q’e drejtuan fatin e Italìs së madhe që pas vdekjes së Di Sangiuliano e gjer ditën që u kthye përsëri në pushtet Giovanni Giolitti. Shqipëria dhe Italia e gjetën tani mëndjen, e gjetën prap udhën e mbarë, dhe posa q’e gjetën, kësaj udhe doemos do t’ecin, të dyja bashkë kundrejt horizonteve të rinj e kundrejt të pastajmes së re. Që kësaj udhe fatale kishin për të dalë një ditë Italia me Shqipërinë ne s’kemi dyshuar kurrë : e tregon puna e jonë e gjashtë vjetvet gazetarije n’Itali. Besimin t’onë të fortë se Italia dhe Shqipëria n’Adriatik e në Ballkan s’mundin veçse të rrojnë njëra për tjetrën, s’e tundi kurrë politika e keqe e Konsultës faqe vendit t’onë, s’e tundën dot tendencat e paarësyeshme të ca qarqeve shqiptare faqe punës s’onë fjesht patriotike, fjesht shqiptare. Erdhi pra, aq shpejt sa s’pandehej, dita e triumfit, vëllazërimit të dy popujvet. Vepra jonë zuri vendin e saj : ne s’paskemi punuar më kot. Në numurin e parë të “Kuvêndi”-t, n’artikullin-programi kemi thënë : Ndërmjet të Shqipërisë dhe t’Italisë ka një gjë që s’gjenden ngjarje dhe përshkime që të mund t’a shkyejnë a ndryshojnë fundin, “komunsìn” e interesavet ; e komunsìja e interesavet asht gjithmonë një baz’ e lumtur, e shëndoshë për një patriot shqiptar për të duruar së punuari me ngutësi, me vullnet e me shpresë, edhe po të pandehë se diku gënjehet.”

Ky qe testamenti politik i Sotir Gjikës, testament qi qe dhe nji profetì e djeshme e qi âsht edhe e sotme. Me tê mbylli jetën nji organ qi mund të quhej flamur lirije, i dênjë me zânë nji vênd të parë në historìn kombtare. “Kuvêndi” në fund të tetorit 1920 pushoi së botuemit.

“Gazeta  Shqiptare”  Edicje e II
Kur  u mbyll “Kuvêndi” rrethi i Consulta-s (Ministrì e Jashtëme e Italìs) ka pasë thanë se tash qi u formue Shqipnija e i u njoft Pamvarsiìa e saj kombtare, nuk ka asnji arësye të botohet në Romë a gjetkë n’Itali nji fletë shqipe e t’a subvencionojmë, aq mâ  tepër si organ qi të mbrojë interesat e saj politike. Arsyetim ma se logjikshëm.
Pse si “Faqja e Gazetës Shqiptare”, ma parë, ashtu “Kuvêndi” ma mbrapa, panë dritën n’Italì pse asokohe në Shqipnì si në regjimin turkoshak t’Esadit, ashtu n’atê të ndryshëm si të ndryshme qenë zaptimet në Luftën e Madhe, nuk botohej asnji organ qi të mbronte të drejtat kombtare të shqiptarit prej çdo anë të kërcnueme. Dhe kur ndonji mik i tij i ngushtë, në shkallë me gjykue ma së mirit, pse apostull i idesë kombëtare, i pyetun me dhanë mendimin e tij për vazhdimin e jetës së “Kuvêndi”-t mbas Protokollit të Tiranës, i pat thanë se nuk mund t’u admetote botimi i nji gazete kombtare me fondet e nji qeverije të huej, Sotir Gjika, tue i u gjegjë se ishte njimêndjet me tê, pat shtue :
“Un e mejtova thellë këtë gjë, përpara se t’a nisnja. Eca me filozofì objektive... Peshova mirë më parë nevojët e mëdha që kishte çështja jonë të njihej në botë dhe të mburrehej, pastaj peshova dëmet e fitimet qi mund t’i vijshin çështjes kombëtare nga një gazetë e botuar me fonde të huaja : fitimet m’u dukën të mëdha. I u përvesha pra punës, pa vështruar rrotull, pa përfillur gjëndjen e vështirë në të cilën vullnetarisht e vinja veten”.

Ashtu qe pse ashtu ishte gjêndja e Shqipnìs. Pa asnji organ të vetin, pa asnji zâ qi n’Evropë, ku u luente fati i kombeve të vegjël, t’a mbronte kundra kërcënimeve t’organeve të shumtë e të pasun me qeverìt e tyne në krye qi kundërshtonin lirìn t’onë sikur ishin t’armatosun grekë e serbë. E mirë atëherë, thonë nji palë, por sot ç’nevojë e mban nji fletë shqipe qi nuk âsht shqipe, kur në Shqipnì kemi edhe të përditëshme, jo mâ të përjavëshme politike dhe për mâ tepër të përkohëshme letrare ?
Jo vetëm qi nuk ka arsye të botohet nji fletë gazete shqiptare, si mirë thoshin asokohe rrethet politike të Consultës, kur mbylli “Kuvêndi”-n, por aq mâ tepër kur nuk âsht mâ  ndër të gjallë ajo pêndë kombtare qi e shkruente, kur mungon ai bashkpunim shkrimtarësh të njenës e të tjetrës ânë qi e bânte interesante me e këndue, dhe premtuese për miqësìn e ngushtë e të sinqertë të Shqipnìs me Italìn. E deri sa ai bashkpunim të mungojë, qëllimit i mungon shtylla që vetëm i a forcon jetën, gazetës i mungon ngjyra që vetëm e lartëson dhe e bân të gëzojë nji randësì, si mbrênda ashtu jashtë Shqipnìs.

Nji gazetë qi të vijë ndoshta si organ kombtar shkrue në gjuhë të huej e për të huej, si sot shofim të botohet në gjuhën frengjishte e nën atësinë frenge, në kryeqytetet ballkanike si : n’Athinë “Le Messager d’Athenes”; në Beograd “La Jougoslavie”; në Sofje “La Bulgaria” në gjuhën italiane, por asnji shqiptare. Por përkundrazi âsht krejt pa vênd nji faqe shqipe mbi nji fletë të përditëshme italiane, e botueme jashtë Atdheut të shqiptarëve e për mâ keq, në formë përkthimi artikujsh, shkrue e botue në gjuhën italiane në gazeta të ndryshme. Nji organ i tillë do t’ishte mâ i përshtatëshëm dhe i dobishëm për të mbajtë nji afrim vëllaznuer sikur të dilte në Kalabrì ase Siqilì për shqiptarët e Italìs, por jo në Bari të Puljeve për shqiptarët e Shqipnìs së lirë.
                             
Bari, Tetor 1930
GJIKAM
“VULLNETI I POPULLIT” e enjte, 23 tetor 1930

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Forcat RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë

Forcat RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë