Drejtori i Bujqësisë shprehet se infektimi i kullotave nga bacilli i plasjes, po shkakton dëme tek kafshët e imta në rrethin e Gjirokastrës.
Vatrat e reja nga sëmundja e antraksit, janë shënuar dje në fshatrat Plesat, Cepunë, në kullotën e majës së Çajupit si dhe në Golëm. Specialistët e Drejtorisë së Bujqësisë në Gjirokastër, kanë izoluan këto vatra të cilat janë edhe furnizueset kryesore me mish të popullatës së Gjirokastrës e më gjerë.
Sipas Kostaq Rapit, këto raste janë nënshtruar masave të karantinës ndërkohë që Shërbimi Veterinar ka dërguar vaksina si mjete të vetme profilaktike për të shpëtuar nga kjo sëmundje e transmetueshme tek njerëzit.
Krahas vaksinimit, është operuar edhe me groposjen e kafshëve të infektuara apo dhe me djegien e tyre në rastet kur nuk shkojnë dot mjetet e groposjes së tyre.
Për drejtorin e Bujqësisë së Gjirokastrës, fermerët duhet të jenë të parët që të kërkojnë asistencën pranë Drejtorisë së Bujqësisë për cdo kafshë të ngordhur dhe asnjëri prej tyre nuk u lejohet prekja e kafshëve të infektuara.
“Këto 20 ditët e fundit kemi pasur shfaqjen e rasteve me vatra të reja, por në kullota tradicionalisht dhe potencialisht të infektuara nga bacili i plasjes. Këto vatra që janë të shfaqura dhe të konfirmuara në rrugë laboratorike, në qarkun e gjirokastrës janë katër raste. Rasti i fundit në fshatin Suk të Përmetit kemi të prekur 3 njerëz pas kontaktit me kafshë të sëmurë. Ne duke e ditur që rrugë kryesore e marrjes së antraksit janë kafshët, morëm masat duke e quajtur, duke e quajtur vatër, filluam izolimin, karantinën dhe deri më sot kemi një vaksinim në total të të gjitha kafshëve”, u shpreh Kostaq Rapi drejtor i Bujqësisë Gjirokastër.
Kafshët e imtat në Gjirokastër preken shpesh nga sëmundja e antraksit si pasojë e infektimit nga bacilli i plasjes, mikrob i cili qëndron aktiv 40 vjet nga momenti fillestar që nuk është eleminuar.
Në kushtet e sotme me temperatura të larta, plasja gjen favorizim. Një javë më parë, katër rastet e para u konfirmuan në Sukë të Përmetit ku pati edhe tre persona të infektuar nga kjo sëmundje.
Redaksia Online
E.S/ shqiptarja.com
