Gjirokastra dhe Vlora kërkojnë
nga një aeroport secila

Gjirokastra dhe Vlora kërkojnë<br />nga një aeroport secila
GJIROKASTËR- Llambi Margariti, pedagog i artit në Universitetin e Gjirokastrës, ka dëgjuar nga babai i tij që dikur, në qytetin e Gjirokastrës ka ekzistuar dikur një aeroport, i inauguruar nga italianët në 11 gusht të vitit 1929.

Sot, ky aeroport nuk ekziston, pavarësisht se është kthyer në një gërmadhë, vetëm 1 kilometër larg qytetit, pranë luginës së Drinos. “Im at sot nuk jeton, por vazhdimisht fliste për aeroportin, pasi ishte i vetëm transporti ajror që kryente fluturim nga Tirana në Gjirokastër dhe anasjalltas”, tregon Margariti. Në vitet ‘30-’40, të shekullit të kaluar, ky aeroport kishte funksione, ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore u përdor nga gjermanët dhe italianët", tregon ai.

Gjatë kësaj periudhe u zhvillua transporti ajror civil dhe linjat kryesore ishin Tirana, Vlora, Korça dhe Brindisi (Itali). "Ky lloj transporti zgjati deri në fund të Luftës së Dytë Botorore, ndërsa gjatë sistemit komunist u përdor për qëllime ushtarake dhe emergjenca", pohon Margariti, pjesëtar i lobimit për rindërtimin e aeroportit të Gjirokastrës.

Margariti e vlerëson pozitiv deklaratën e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ku disa ditë më parë, theksoi rëndësinë e një aeroporti në jug të vendit. “Kemi shpresa që aeroporti i Gjirokastrës do të rilindë, pasi një qendër rajonale, pa standarde europiane, nuk mund të kuptohet pa prezencën e një aeroporti”, thotë Margariti.

Sipas tij, Gjirokastra, si qendër rajonale e ka pasur dikur një aeroport, i cili i plotëson të gjitha kushtet për të qenë e tillë. “Pozicion gjeografik i rajonit të Gjirokastrës është i favorshëm. Në jug të vendit kryqëzohen rrugët lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, ku spikat afërsia me Greqinë, si dhe afërsia me portin ndërkombëtar të Igoumenices (Greqi) dhe Sarandë”, nënvizon Margariti, ndërsa shton se Gjirokastra është qendër e trekëndëshit kulturorë dhe mjedisorë Butrint-Gjirokastër-Berat.

Bexhet Çobani, inxhinjer ndërtimi, sqaron se pista e aeroportit të Gjirokastrës ka gjatësi 1200 metra, gjerësi 30 metra dhe ndodhet në lartësi 190 metra mbi nivelin e detit. "Aeroporti ka një distancë 0.8 km, nga ana lindore e qytetit dhe 0.5 km nga rruga kombëtare Gjirokastër-Kakavije.

Ka një sipërfaqe totale 124 mijë metra katrorë, prej të cilat 96 mijë metër katrorë pistë fluturimi, 18 mijë metër katrorë shesh rakordimi, ndërsa pjesa tjetër zonë shërbimi", tregon Çobani.

NJË AEROPORT EDHE NË VLORË RRIT FLUKSIN E TURISTËVE
“Një aeroport në rajonin e Vlorës do të shtonte ndjeshëm fluksin e turistëve të huaj”, thotë për ATSH-në Vasil Bedini, kryetar i Shoqatës së Turizmit Shqiptar për rajonin e Vlorës, njëkohësisht administrator i kompleksit turistik “Regina”.

Sipas tij, kjo do të krijonte lehtësi të jashtëzakonshme për turistët e huaj që udhëtojnë për në Shqipëri, përmes linjës ajrore me Rinasin. Largësia nga aeroporti i vetëm ndërkombëtar i vendit është problematike për turistët, për të cilët udhëtimi prej rreth 140 km deri në Vlorë nuk është shumë komod, pavarësisht nga mjetet që vihen në dispozicion të tyre.

Vetë Bedini përdor furgonë cilësorë për transportin e turistëve që prenotojnë përmes agjencive, për të kaluar pushimet në kompleksin e tij. Ata janë kryesisht turistë nga vendet e Lindjes, Çeki, Bullgari, Rusi, Hungari, por edhe nga Gjermania, apo Britania e Madhe.

Të njëjtin mendim me të ndan edhe Fatmir Hanxhari, një biznesmen që operon edhe ai në fushën e turizmit, për të cilin, ndërtimi dhe funksionimi i një aeroporti do të krijonte lehtësitë e nevojshme për të ofruar në Vlorë turistët nga Rusia. Këtë shqetësim, sipas tij, e kanë ngritur përfaqësues të agjencive turistike ruse, që vazhdimisht shtrojnë nevojën e një aeroporti për të sjellë turistë nga vendi i tyre. 

Cila është zgjidhja? Sipas specialistëve, janë dy mundësi që ekzistojnë për ndërtimin e një aeroporti, ose më saktë për vënien në shfrytëzim të një aeroporti me fonde minimale. Mundësia e parë, është ajo që në Vlorë emërtohet Fusha e Aviacionit, në perëndim të qytetit, shumë pranë bregdetit. 

Kjo pistë, që deri në vitet e para pas 1990-tës shfrytëzohej për qëllime ushtarake, për dislokimin e avionëve luftarakë, ka shpëtuar në pjesën e vet më të madhe nga fenomeni i ndërtimeve pa leje. Madje, gjatë konfliktit të Kosovës me Serbinë në vitin 199, ajo u shfrytëzua për këtë qëllim nga forcat e NATO-s, si edhe për të ndërtuar kampet e strehimit të të ardhurve nga Kosova.

Ndërkohë që 15 km në veriperëndim të qytetit, ndodhet ajo që njihet si pista e Akërnisë, e cila gjithashtu shfrytëzohej deri në vitet 1990-të për stërvitjet e Forcave Ajrore Ushtarake. Kjo hapësirë fluturimi, që është në gjendje mjaft të mirë teknike, sipas specialistit të aviacionit Agim Muça, mund të bëhet e shfrytëzueshme për qëllime civile, përmes një projekti me një kosto financiare të arsyeshme.

Shërbimi i Transportit Ajror Civil në Vlorë ka një traditë që ka nisur në dekadat e para të shekullit të kaluar. Të udhëtoje nga Vlora për në Itali dhe mandej për në vendet e tjera, deri para vitit 1944 nuk ishte një problem i vështirë, përkundrazi. Përveç mundësive të pakufizuara proceduriale, mënyrat e udhëtimit ishin gjithashtu mjaft të favorshme.      

“Për të udhëtuar jashtë vendit, mjafton të aplikoje për një pasaportë udhëtimi pranë zyrës lokale që funksiononte në bashki dhe problemi ishte i zgjidhur”, thotë studiuesi Bardhosh Gaçe. Në pasaportë, e cila jepej me një afat mesatarisht një vjeçar, saktësohej edhe destinacioni dhe qëllimi i udhëtimit, i cili mund të ishte për qëllime tregtie, shëndeti, apo të tjera që shënoheshin edhe në një nga faqet e brendshme të këtij dokumenti, ku përcaktohej edhe motivi i lëshimit të tij.
Në vitin 1928, nis linja ajrore për udhëtarë Vlorë- Brindisi.

Në 21 prill të vitit 1928, shënohet pikënisja e funksionimit të linjës ajrore të transportit të udhëtarëve Vlorë-Brindisi. Në këtë linjë, sipas studiuesit Pirro Stefa, fluturonin avionë të vegjël transporti, të cilët niseshin nga fusha e Aviacionit dhe brenda më pak se një ore mbërrinin në destinacion, dhe anasjelltas. Kështu, personat që udhëtonin për në Itali, mund të mbërrinin në Brindisi brenda një kohe shumë të shkurtër dhe më pas vazhdonin itinerarin me mjete të tjera transporti në vendin fqinj.

(Marrë nga ATSH)

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'