KORCE- Breshëri i rënë para dy javësh ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në fshatin Biranj. Më të dëmtuara janë parcelat me speca, të cilat sipas fermerëve, nuk mund të dalin më në treg. Përveç specave, janë dhe parcelat me spinaq dhe presh.
“Në prodhimet tona ra breshëri dhe goditi piperkën, spinaqin, çdo gjë. Unë personalisht pata shumë dëm. Mos them në vlerë leku, vetëm në spinaq humba 6-7 milionë lekë të vjetër. Në speca nuk kam filluar të shes se nuk e tërheq tregu. Breshëri goditi zonën e Biranjit, Vashtëmi, Melçan, Lumalas. Nuk e heq tregu sepse e ka bërë piperkën me pika edhe domaten. Tregu nuk e tërheq se fshatrat e tjera e kanë më të mirë se nuk i goditi”,shprehet fermeri Florenc Kumani.
Tregtarët kanë shkuar për t’i parë prodhimet, por për shkak të dëmve nuk pranojnë t’i blejnë.
Situata për fermerët është alarmante, pasi këto të mbjella janë burimi kryesor i të ardhurave për familjet e tyre. Ata shprehen se tashmë rrezikojnë të mos arrijnë të mbulojnë as kostot e prodhimit.
“Para 2-3 javësh ra një breshër natën dhe i ka dëmtuar specat. Këto tani nuk i merr asnjë tregtar. Këto brenda janë të kalbura, nuk i merr asnjë as me 100 lekë të vjetër. Si puna ime kështu ka shumë në fshat. Unë kam 2 parcela, rreth 3 dynym dhe dëmi shkon deri në 3 milionë lekë të vjetër. Pas breshërit i kapi edhe një sëmundje tjetër, vrugu. Ja ku është parcela, na iku dëm i gjithë mundi i një behari. Gati 60% e ka dëmtuar. Do ta lëmë ta bëjmë pleh për mot për tokën”, tregon fermeri Taulant Dine.
Fermerët e Biranjit shprehen të shqetësuar për mungesën e mbështetjes dhe thonë se ndër vite nuk kanë marrë ndihmë nga shteti për dëmet nga bresheri.










Komente
Komento