Debati për rritjen e pagave të gjyqtarëve ishte në qendër të diskutimit në emisionin Studio Live në Report TV, ku dy ekspertë të drejtësisë, Romeo Kara dhe Alesia Balliu u pozicionuan në kahe të kundërta.
Juristja Alesia Balliu u shpreh hapur në favor të rritjes së pagave për gjyqtarët, duke argumentuar se paga e lartë ndikon drejtpërdrejt në uljen e korrupsionit dhe në forcimin e pavarësisë së drejtësisë.
“Jam pro rritjes së pagave për gjyqtarët dhe mjekët. Sa më e lartë të jetë paga e një gjyqtari, aq më pak korrupsion do të ketë. Ndaj jam pro rritjes së pagave, siç iu rritën deputetëve. Pse duhet që deputetëve t’u rritet paga dhe të kenë favore, ndërsa gjyqtarët jo. Unë e shoh si një zhvillim që profesionet të cilat kanë një peshë të caktuar në jetën publike të kenë një pagë të nivelit të lartë, në mënyrë që detyra e tyre të jetë e pacënuar. Një pagë e mirë është një privilegj dhe të ndihmon të shërbesh siç duhet”, tha Balliu.
Në krahun tjetër, avokati Romeo Karaj e cilësoi kërkesën për rritje page si të pavend dhe problematike nga pikëpamja morale dhe kushtetuese. Sipas tij, gjyqtarët kanë tashmë paga që u lejojnë të përballojnë jetesën dhe gëzojnë garanci pune, në një kohë kur qytetarët përballen me inflacion dhe vështirësi ekonomike.
“Ka një konflikt interesi. Paga e tyre mjafton për të përballuar jetën. Nëse unë me pagën time, që është e mesme për Shqipërinë, unë mund të jetoja shumë mirë para 10 viteve, tani me këtë inflacion, paga ime është shpërbërë fare. Prandaj po ikin shqiptarët. Këto zonja dhe zotërinj, kanë garanci për punën e tyre, ndaj mendoj që kërkesa është e pavend. Pse u kujtuan këta tani, pasi duket që i kanë bërë favore mazhorancës dhe Ramës. Nëse ata e miratojnë dhe Rama mjaftohet me këtë lloj kritike, si do të veprojmë ne? Të miratosh rritjen e pagës tënde është konflikt i madh interesi dhe vë në dyshim të gjithë moralitetin. Ne s'kemi nevojë të shpikim gjë. Kemi një rrugë të shtruar, por ne duam të albanizojmë demokracinë europiane. Në diferencën e madhe të pagave, kërkesa më duket e pavend" u shpreh Kara.
Ai shtoi se miratimi i një rritjeje page nga vetë gjyqtarët përbën konflikt të hapur interesi dhe vë në dyshim moralitetin e sistemit.
“Të miratosh rritjen e pagës tënde është konflikt i madh interesi dhe vë në dyshim gjithë moralitetin. Kjo mënyrë është anti-shoqërore dhe anti-kushtetuese. Nëse ndodh, është turp i tyre. Unë do të isha skuqur nga turpi,” tha Karaj, duke kritikuar edhe mënyrën e përzgjedhjes së gjyqtarëve.
Balliu, nga ana tjetër, hodhi poshtë këtë argument, duke theksuar se mënyra e përzgjedhjes së tyre nuk cenon legjitimitetin.
“Mënyra e përzgjedhjes së tyre nuk pengon legjitimitetin dhe forcën për të vepruar tek ligji,” u shpreh ajo.
Për herë të dytë brenda tre viteve, gjyqtarët kanë kërkuar rritje page, e cila po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë kryeministri Edi Rama e ka kundërshtuar hapur atë duke argumentuar në rrjete sociale se gjyqtarët po synojnë të marrin kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit për politikën e pagave, një pretendim që ai e cilësoi si të papranueshëm.
Ftesa e ardhur nga Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë, që kryeministri Edi Rama të jetë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, ndezi diskutimet në Studio Live në Report TV teksa juristja Alesia Balliu dhe avokati Romeo Karaj debatuan për peshën reale të kësaj ftese dhe mesazhin që ajo jep për politikën shqiptare.
Balliu e cilësoi ftesën si një vlerësim të drejtpërdrejtë për Shqipërinë dhe raportin e saj me SHBA-të, duke hedhur poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një gjest formal apo klishe.
“Unë e shoh ftesën e Trump si një ftesë për Shqipërinë dhe raportin që ka SHBA-të me Shqipërinë. Nuk është një ftesë personale, por institucionale. E shoh edhe si një vlerësim për kryeministrin, punën e bërë dhe raportin me ndërkombëtarët. Nga ana tjetër shoh një opozitë të dobët që merret me retorikë boshe,” tha Balliu.
Ajo vijoi kritikat ndaj opozitës, duke u ndalur te situata e Partisë Demokratike dhe figura e Sali Berishës.
“Endrrat me Forcat Delta që shikon Berisha nuk do të realizohen kurrë, sepse 2 problemet reale të PD-së janë: 1) raporti me faktorin ndërkombëtar që janë SHBA-të që që kur është zgjedhur Berisha kryetar, asnjë ambassador nuk ka shkelur tek selia e PD-së; 2) raportet me drejtësinë të cilën Berisha e sulmon si organizatë kriminale, dhe gjëja më e rëndësishme është që Berisha sot nuk është faktor politik, as në politikë kombëtare e as në atë ndërkombëtare. Ky është mesazhi që u dha me ftesën e dërguar tek Rama. Nëse Partia Demokratike do të dojë të vijë në qeveri nesër, duhet të ndërrojë lidershipin që është bllokuar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai po e trajton partinë e tij si pronë private duke cënuar dhe shpifur për këdo që mendon ndryshe. Është rasti i Ervin Salianji, të cilin Berisha e ka implikuar me krimin e organizuar duke hedhur kundër tij shpifje nga më të ulëtat. Salianj është vetëpërjashtuar nga PD, për shpifjet që ngre Flamur Noka, ndërkohë deputeti Himçi që votoi babain e Suel ,Çelës në Elbasan, Berisha e promovoi duke e futur në listë të mbyllur në zgjedhje, duke i hequr të drejtën edhe fituesit të primareve në qarkun e Elbasanit. Disa individë që kanë raporte me grupe kriminale Berisha i promovon dhe disa të tjerë që kanë mendim kundër, i shpall të vetëpërjashtuar” tha ajo.
Në krahun tjetër, Romeo Karaj e relativizoi rëndësinë e ftesës së Donald Trump, duke ironizuar mënyrën se si, sipas tij, mazhoranca po e trajton këtë ftesë.
“Kjo ftesë që ka çuar në delir mazhorancën, po të vinte me postë dhe jo me email, do të dilnim ta prisnim në Rinas. Ftesa nuk ishte personale. Ishte për një institucion dhe për Shqipërinë,” tha Karaj, duke shtuar se nëse ndodh rotacioni politik, edhe një kryeministër tjetër mund të ulet në një tryezë të tillë.
Balliu reagoi menjëherë ndaj këtij qëndrimi, duke e përjashtuar këtë skenar për Berishën.
“Kjo s’ka gjasa të ndodhë. Berisha është non-grata nga SHBA-të dhe nuk mundet të shkojë në shtëpinë e amerikanëve. Berisha ka edhe tre akuza në SPAK,” tha ajo.
Debati u zgjerua më tej, me Balliun që theksoi se opozita nuk mund të presë ndryshimin nga SHBA-të apo drejtësia, por duhet të reformohet nga brenda.
“Rama mori ftesë, qoftë personale, qoftë institucionale për të shkuar në SHBA dhe për të qenë pjesë si kryeministër i Shqipërisë. Opozita nuk mund të vazhdojë të presi nga Amerika se do të godasë Ramën. Opozita duhet të bëjë punën e saj, të ketë një riformatim, një lidership të ri që t'i bëjë ballë kësaj qeverie të korruptuar. Nuk mund të vazhdojë të presë Forcat Delta të vijnë të marrin Ramën. Nuk mund të presin që ndryshimin në Shqipëri do ta bëjnë amerikanët, apo drejtësia. Opozita po braktis institucionin, parlamentin, nuk po bën debat por po fyen. Opozita gjithë kohën duhej ta shfrytëzonte në mënyrën më të mirë për të kërkuar heqjen e imuntietit të Belinda Ballukut në rrugë institucionale. Opozita nuk po i shërben qytetarëve, por Ramës me sjelljet e njëpasnjëshme. Shqiptarët kanë nevojë që ky shtet të ketë opozitë dhe jo patericë”, përfundoi Balliu.
Komente









