
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar ditën e nesërme (22 nëntor) ora 09:00 për zhvillimin e seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të Belinda Ballukut, Gentian Gjylit dhe Erald Elezit, si dhe për verifikim të masave të sigurisë.
“Përshëndetje të gjithëve!
Ju njoftojmë se pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korruspionin dhe Krimin e Organizuar me datë 22.11.2025, ora 09:00 do të zhvillohet seanca gjyqësore për marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit për të pandehurit Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, në kuadër të procedimit penal nr. 136, të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në njoftim.
Belinda Ballukut, iu komunikuan ditën e djeshme dy masat e sigurisë, ‘pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike’ pra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ‘ndalimi i daljes jashtë vendi’. Balluku si ministre akuzohet për veprën penale ‘shkelje e barazisë në tendera’ lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë ndërsa nën hetim është vënë dhe për ndërtimin e Unazës së Madhe, Loti 4.
Ndërkohë për kreun e ARRSH-së Gentian Gjylin dhe drejtorin e KESH Erald Elezi, GJKKO u komunikoi masën ‘arrest shtëpie’. Këto masa janë vendosur me arsyetimin se ekziston rreziku se këta persona mund të prishin provat hetimore.
Lajmi kryesor:
Pezullimi i Ballukut/ Vendimi i GJKKO: Po hetohet për disa tenderë, mund të përsërisë krimin, asgjësojë provat apo arratiset! Rrezikon deri në 5 vite burg












