Ditën e sotme dosja e ish-çiftit Meta-Kryemadhi kaloi për gjykim pas 7 muajsh seancë paraprake dhe mes akuzave të të pandehurve për mangësi hetimore.

Avokati Përparim Çaça tha në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV se prokurorët e SPAK do ta kenë shumë të vështirë për të faktuar akuzat ndaj kreut të PL-së, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

“Ajo që 7 muaj faktikisht është një seancë paraprake, kur në fakt seanca paraprake tashmë me praktikën gjyqësore të konsoliduar më shumë është një seancë që ne mund ta quajmë në aspektin procedurial, sesa ajo që i mëshojmë. Pavarësisht se avokatët gjithmonë kanë kërkesa proceduriale, pushimin e akteve, etj. Por këto janë situata që i kërkojmë në aspektin procedurial, por janë thuajse të pamundura si pasojë e atyre standardeve që ka ky gjykim procedurial. Në rastin konkret, gjyqtari i seancës paraprake nuk mund t’i hyjë fuqisë së provave dhe nuk mund të vlerësojë provat. Gjyqtari i seancës paraprake e ka tagrin për pushimin e çështjes që bëhet kërkesë edhe nga avokatët e Metës. Por vetëm se in prima face quhet, mungojnë elementët e veprës penale. Ose thënë troç, presupozohet një lajthitje e prokurorit. Është një gjë që mund të ndodhë një në 1 milionë. Mbrojtja e Metës kishte për qëllim ta vononte besoj. Për mua do të jetë shumë e vështirë që të vërtetohet akuza e korrupsionit pasiv. SPAK ka barrën e provës që të provojë akuzën e atyre dy zotërinjve”, tha Çaça.

Nga ana tjetër, ish-prokurori Ervin Karanxha duke komentuar akuzat për ‘shpenzime shëndetësore’ të ngritura nga SPAK për Monika Kryemadhin, shpenzime të cilat sipas dosjes shkojnë në 106 mijë euro, tha se ky është një standard i ri të cilin Prokuroria e Posaçme duhet ta mbajë me të gjithë politikanët.

Karanxha shtoi gjithashtu se botoksi në Shqipëri është i ndaluar, pasi nuk ka një ligj për sjelljen dhe përdorimin e tij në vendin tonë. Sipas Karanxhës, SPAK duhet të hetojë të gjithë politikanët që kanë kryer ndërhyrje estetike me botoks.

“Te shpenzimet shëndetësore. Ne shohim një standard të ri, që mendoj se SPAK duhet ta mbajë për të gjithë. Këto shpenzimet 106 mijë euro janë shumë. Sa politikanë në Shqipëri janë centruar. Sa të shtrembër kemi që janë drejtuar. Kjo duhet parë. Edhe botoksi sot është i paligjshëm. Personi që ta bën, fut mall kontrabandë. Te botoksi ke moskallëzim krimi. Prandaj ky standard duhet të vendoset për të gjithë”, tha ish-prokurori Karanxha.


Lajmi kryesor:

Afera CEZ-DIA/ Juristi Kara rrëfen detaje: 39 milionë euro dëm shtetit! Pas vizitës së Metës e Ismailajt në Pragë, ERE uli çmimin e shitjes së energjisë! Presioni ndaj çekëve për ‘nderin’ e ish-Presidentit