Akt i rëndë i tradhtisë ndaj detyrës dhe ligjit e quajti kreu i Partisë Demokratike masën arrest shtëpie dhe pezullimin e kreut të SHISH Vlora Hysenit me dyshimin e nxjerrjes së të dhënave sekrete të shtetit.
“Është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit. Sot prokuroria ka lëshuar urdhër arrest për Vlora Hysenin, shefen e shërbimit informativ kombëtar si bashkëpunëtore në krim, si njeri që ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve. Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky”, tha Berisha.
Kreu i PD akuzon se të dhënat janë përdorur jo vetëm nga strukturat kriminale brenda vendit, por edhe shtetet armiqësore të NATO-s.
“Në mënyrë të përsëritur kam ngritur këtu se ky grup i strukturuar kriminal kontrollonte çdo të dhënë që ekziston në internet në territorin e Republikës së Shqipërisë të çdo personi, të çdo subjekti, dhe këto i ka transferuar në drejtime të armiqve të NATO-s”, vijoi Berisha.
Ai thotë se SPAK duhet të lëshojë mandat arresti ndërkombëtar për Vlora Hysenin, ndërsa përballë zërave që kërkojnë mbledhjen urgjente të Këshillit Kombëtar të Sigurimit, Berisha thotë se: “Shaka të mos bëjmë, nuk ekziston Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shqipëri. Unë mund t’u them se Haram Begaj është anëtar vullnetar i kësaj organizate. Çfarë të thërrasë ai? Nuk ka gjë më qesharake. Ta dinë shqiptarët që ai vetë përbën një anëtar vullnetar të kësaj organizate kriminale.”
Ndërsa Ramës i kërkoi të mbajë përgjegjësi politike.
“Kërkoj Edi Ramës dorëheqjen e menjëhershme”, tha Berisha.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, teksa e quajti një nga aktet më të rënda të shtetit shqiptar, sjell në vëmendje se e kishte paralajmëruar që prej qershorit vënien e Vlora Hysenit në shërbim të Ergys Agasit.
"E kam paralajmëruar këtë në Kuvendin e Shqipërisë më 4 Qershor 2026. Vlora Hyseni në shërbim të Ergys Agasit ishte një nga sekretet publike për të cilat kam ngritur shpesh shqetësimin gjatë këtyre tre viteve. Nuk kam përdorur figura letrare. Kam folur me emra dhe mbiemra, sepse nuk bëhej fjalë thjesht për Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin. Bëhej fjalë për Shërbimin Informativ të Shtetit në duart e krimit të organizuar", shkroi Bardhi.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku i kërkoi presidentit të mbledhë menjëherë këshillin e sigurimit kombëtar, teksa në një postim në rrjetet sociale, e cilëson këtë zhvillim si dëshmi të kalbëzimit të shtetit nga brenda.
“Presidenti i Republikës duhet të thërrasë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Duhet të sqarohet nëse janë cenuar informacionet shtetërore, puna e institucioneve dhe siguria e qytetarëve. Shqipëria nuk mund të presë shfaqjen e radhës të propagandës, ndërsa dyshimet prekin vetë strukturat që duhet ta mbrojnë.
Drejtësia duhet të bëjë punën e saj deri në fund, pa mburoja politike dhe pa pengesa. Por përgjegjësia politike nuk mund të shtyhet pafund, duke pritur që për çdo hallkë të këtij sistemi të flasë prokuroria”, shkroi Tabaku.
Reagime të forta pati edhe nga selia e Partisë së Lirisë. Sekretari i përgjithshëm Tedi Blushi tha se sot u faktua kapja e shtetit nga mafia dhe rënia e sigurisë kombëtar.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli sërish për urdhër-arrestin e lëshuar nga SPAK për drejtoreshën e Shërbimin Informativ Shtetëror, Vlora Hysenin, gjatë një takimi me militantët në Vlorë.
Duke e quajtur Hysenin ‘shërbëtore të krimit’, Berisha tha se drejtoresha e SPAK u ka dhënë bandave kriminale mjete për regjistrime e filmime, të blera me taksat e shqiptarëve.
“Çdo ditë dalin dëshmitë më rrënqethëse se si kurrë më parë shqiptarët sot janë në pushtimin e krimit, të një regjimi kriminal. Del se kreu i SHISH që ka detyrë më kryesore sigurinë kombëtare, sigurinë e gjithanshme, është një ushtare e shpifur e krimit të organizuar. I jepte bandave dhe krimit të gjitha mjetet që bliheshin me taksat tuaja të regjistrimeve, të filmimeve, të survejimeve, për ata që kërcënonin rrezikun”, tha mes të tjerash Berisha.
Më tej Berisha foli edhe për kontrollet në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Prodës, ku tha se atij iu gjet një snajper super-special.
Për Berishën, të gjitha veprat penale në të cilat përfshihen zyrtarët e lartë shtetërorë, ndodhin në dijeni të plotë të kryeministrit Edi Rama.
“Ish-drejtori i Policisë që iu kontrollua banesa, gjendet me snajper super special në banesë, i blerë në funksion të sigurisë së qytetarëve, por kurrë për një person të caktuar. Një gjë do t’u them, se çdo gjë që keni dëgjuar dhe do dëgjoni për Belinda Ballukun, për Vlora Hysenin, për Ermal Beqirin, Ergys Agasin, në mënyrë absolute të gjitha janë bërë nën urdhrat e Edi Ramës. Asnjë prej tyre nuk është bërë pa urdhrin e tij. Shqiptarët do mësojnë shumë e shumë gjëra të tjera, nga aktet e shëmtuara kriminale të kësaj bande. Para saj ne jemi forca politike me detyrim madhor të shpëtojmë vendin”, tha mes të tjerash Berisha.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Urdhërarresti ndaj Vlora Hysenit, drejtoreshës së SHISH-it, ka sjellë edhe reagimin e ish-deputetit Ervin Salianji, i cili thotë se e ka denoncuar prej vitesh emërimin e paligjshëm të saj. Sipas Salianjit, një institucion që duhet të mbrojë sigurinë kombëtare u përdor për shantazhe përfitime të paligjshme dhe survejimin e kundërshtarëve. Salianji kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa opozitës i bën thirrje që të kërkojë komision hetimor parlamentar për këtë çështje.
"Prej vitesh kam denoncuar emërimin e paligjshëm të Vlora Hysenit në krye të SHISH. Që nga ai moment, Shërbimi Informativ u kthye në Shërbimin Informativ të Krimit. Një shërbim që duhej të mbrojë sigurinë kombëtare u përdor për shantazhe, përgjime të paligjshme, survejime të kundërshtarëve, kërcënime ndaj politikanëve dhe bizneseve dhe për përfitime financiare në këmbim të heshtjes apo publikimit të informacioneve. Nën shantazh kanë qenë edhe institucione të tjera të shtetit.
Me qindra herë e kam denoncuar këtë situatë. Kam kërkuar shkarkimin, hetimin dhe arrestimin e Vlora Hysenit. Pas ndërhyrjes në TIMS, pas kontrollit të institucioneve të sigurisë kombëtare nga krimi, faktimi i sotëm i lidhjeve të drejtueses së SHISH është një alarm i jashtëzakonshëm jo vetëm për sigurinë kombëtare, por edhe për dekonspirimin e informacionit të klasifikuar dhe të informacioneve të partnerëve ndërkombëtarë.
Edi Rama duhet të japë dorëheqjen! Sali Berisha nuk mund ta relativizojë këtë çështje duke i shërbyer Ramës. Bashkë me të gjithë grupin parlamentar duhet të kërkojë hetim parlamentar, mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe përgjegjësi politike deri në dorëheqjen e Edi Ramës.
Fatkeqësisht, shteti i Ramës nuk është në luftë me krimin. Është shtet i krimit në luftë me qytetarët, bizneset, institucionet dhe në bllokadë me partnerët ndërkombëtarë", shkruan Salianji.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë prononcimit për mediat nga Vlora, foli edhe për operacionin e sotëm të SPAK, ku u nxorr urdhër-arrest për drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, si dhe u prangosën Fatjon Kalluçi, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë dhe Embro Sulejmani.
Tabaku e cilësoi ngjarjen e sotme si skandalin më të rëndë shtetëror, ku sipas saj, duke iu referuar akuzave të SPAK, drejtoresha e SHISH-it është e përfshirë me një grup të strukturuar kriminal.
Duke thënë se ‘shteti ka rënë’, Tabaku shtoi se opozita ka denoncuar vazhdimisht që SHISH ka qenë në shërbim të një grupi të strukturuar kriminal që ka punuar me AKSHI-n dhe Ergys Agasin.
Pyetje: Një koment për ngjarjen e SHISH-it ditën e sotme?
Jorida Tabaku: Organizimet, protokolli nuk ishin në dorën time. Ju e patë që unë ndalova me banorët atje dhe kam të gjithë dëshirën për t’i takuar përsëri.
Dhe deputetja e zonës, zonja Zhupa, edhe zoti Leskaj që e njohin zonën më mirë, kanë qenë në kontakt me ato.
Përsa i përket komentit për Vlorën, prandaj thashë sot Vlora ishte në qendër të diskutimeve.
Nuk e besoja që do të thosha ky është skandali më i rëndë. Sepse kemi nisur çdo ditë duke thënë kjo është më e rënda, kjo është… po më e rëndë se ajo që ka ndodhur sot, ku drejtuesja e SHISH-it është e përfshirë me një grup të strukturuar kriminal, sipas akuzave të SPAK-ut, dhe kërkohet pezullimi nga detyra dhe ndalimi i saj, masa e SPAK-ut nuk është zbatuar akoma sepse ajo ndodhet jashtë Shqipërisë, unë nuk besoj që ka.
Është një cënim për sigurinë kombëtare, është një njollë për imazhin e Shqipërisë, është një cënim edhe për faktin që Shqipëria është anëtare e NATO-s.
Unë kisha bërë një thirrje sot në mëngjes, sepse rrugës duke ardhur këtu në Vlorë dëgjova, që të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Po një nga komentuesit me të drejtë më kishte shkruar që “i bie të mblidhet në burg Këshilli i Sigurisë Kombëtare”, sepse sot pak nga pak të gjithë anëtarët e qeverisë që kishin lidhje me mbrojtjen, me sigurinë, me rendin, me prokurimet publike, ish-zëvendëskryeministrja, sot janë të gjithë përpara drejtësisë.
Pyetje: A duhet të largohet një drejtuese e SHISH-it që jep vend-informacion?
Jorida Tabaku: Unë besoj që në çdo moment që ajo duhet të largohej jashtë vendit duhet të kishte njoftuar, por këtu është vendi i çudirave.
Këtë nuk e di, dhe me aq sa më njihni nuk jam një politikane që bëj këto lajmet bombastike.
Pyetje: Zonja Tabaku, duket se nuk mund të lihet me kaq. Ju e patë që reagimi ndoshta më i rëndë, por një reagim të radhës…
Tabaku: Sot ka pasur reagime gjatë gjithë ditës, por kjo nuk është situatë e re për Partinë Demokratike. Kjo gjë është paralajmëruar.
Që SHISH-i ka qenë në shërbim të grupit të strukturuar kriminal që ka punuar me AKSHI-n dhe Ergys Agasi, nuk është se është lajm i ri. Ka qenë një lajm që ne e kemi thënë në vite, muajt e fundit ka qenë akoma dhe më insistues mënyra se si e kemi denoncuar.
Unë i bëj thirrje Presidentit që të mbajë një qëndrim.
Unë i bëj thirrje të gjitha instancave që të mbajnë një qëndrim.
Dhe në këtë moment ajo nuk duhet të jetë e pezulluar, ajo duhet të largohet nga detyra.
E di që nga Edi Rama nuk mund të presim shumë, se ky sistem është ngritur nga Edi Rama. T’i thuash Edi Ramës reflekto siç sigurisht jemi në 2013-ën, sikur flasim për suitedin, ka përfunduar koha e reflektimit.
Sot shteti ka rënë.
Në një konferencë për shtyp, Sali Berisha ka reaguar lidhur me masën e arrestit për drejtoreshën e SHISH, Vlora Hysenin, duke u shprehur se ajo ka “shkelur betimin dhe ligjin”, një akt që sipas kryedemokratit, s’ka nivel më të ulët tradhtie.
“Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit. Sot prokuroria ka lëshuar urdhër arrest për Vlora Hysenin, shefen e shërbimit informativ kombëtar si bashkëpunëtore në krim, si njeri që ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve. Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky.
Më tej, Berisha përmend disa raste ku ka denoncuar Hysenin që në vitin 2024 duke u shprehur se ajo kishte urdhëruar drejtoritë që mos të përcillnin asnjë informacion pa e dërguar më parë te Rama.
"Edi Rama nuk kishte kurrë të drejtë të bllokonte komunikimin ligjor, të diktuar nga ligji, midis institucioneve në luftën kundër krimit. Këto informacione duhej që shërbimi informativ t’ua kalonte automatikisht sipas rastit Policisë së Shtetit, në rastin tjetër SPAK-ut, në rastin tjetër Prokurorisë së Tiranës dhe me radhë. Nuk kanë asnjë lidhje me personin e kryeministrit dhe kryeministri nuk ka asnjë tagër të bllokojë këtë komunikim në funksion të sigurisë kombëtare", tha Berisha.
Ai e quan bashkëpunëtore të Ergys Agasit ndërsa shërbimi informativ është treguar “symbyllur” ndaj drejtoreshës së institucionit.
“Vlora Hyseni ishte një bashkëpunëtore e turpshme e Ergys Agasit dhe bandave të tjera. Por një gjë duhet ta dinë shqiptarët, shërbimi informativ, i cili për hir të së vërtetës paguhet dhe ka detyra të mbikëqyrë veprimtaritë e dyshimta të cilitdo, në rastin e drejtorit të vet, ishte symbyllur komplet. Symbyllur komplet!”, thotë Berisha.
Më tej shtoi se ka denoncuar bashkëpunimin mes kreut të inteligjencës dhe biznesmenit duke u shprehur se ishte ky i fundit ai që kontrollonte SHISH. Ai kërkon arrestimin e Ramës dhe të Hysenit.
“Edi Rama, i cili kishte informacion të plotë, por që me qëllim kishte dorëzuar shërbimin informativ tek krimi, tek bandat, është de facto sot njeriu më i paligjshëm në Shqipëri. Mandati i arrestit për Edi Ramën është mandati që duhet t’ia presin shqiptarët sa më parë. Kurse për Vlora Hysenin, e cila thuhet se është me shërbim jashtë vendit, në rast se ajo është në shoqërim të Edi Ramës, u bëj thirrje FBI-së dhe policisë së SHBA ta arrestojnë jo vetëm si një kriminele ordinere, anëtare të një organizate kriminale më të rrezikshme në Evropë, por ta arrestojë edhe si një person, e cila me grupin e vet, si anëtare grupi, ka përbërë një kërcënim real të vërtetë për aleancën e Atlantikut të Veriut”, tha Berisha.
Gazment Bardhi thotë vetëm disa muaj më parë, në qershor, ka paralajmëruar në Kuvend se ishte SHISH ai që informonte Ergys Agasin që vijonte arratinë.
Në një deklaratë të shkëputur nga seanca e 4 qershorit, Bardhi shprehet:
“Pse nuk vendos në punë shefen tënde të shërbimit sekret apo i ke dhënë detyrën kryesore të informojë dhe mbrojë Ergys Agasin dhe ta mbrojë atë nga arrestimi i Prokurorisë së Posaçme. Shqipëria ka vetëm një armik: kryeministrin e vet, Edi Rama.”
Ndërsa sot, ai kërkon që kryeministri të japë dorëheqjen dhe të dalë para drejtësisë pasi SHISH dhe Policia e Shtetit kanë qenë nën shërbim të krimit të organizuar.
Kreu i grupit të PD shprehet se këtë shqetësim e ka ngritur vazhdimisht duke folur haptazi me emra. Sa për Ramën, shprehet se s’mund t’i shpëtojë dot firmës së tij poshtë emërimit të Hysenit.
“Çfarë duhet më që Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të dalë para drejtësisë? Asnjë surprizë për mua nga aksioni i sotëm i SPAK që provon një nga aktet më të rënda të shtetit shqiptarë gjatë regjimit të Edi Ramës: SHISH dhe Policia e Shtetit nën shërbimin e krimit të organizuar. E kam paralajmëruar këtë në Kuvendin e Shqipërisë më 4 Qershor 2026. Vlora Hyseni në shërbim të Ergys Agasit ishte një nga sekretet publike për të cilat kam ngritur shpesh shqetësimin gjatë këtyre tre viteve. Nuk kam përdorur figura letrare. Kam folur me emra dhe mbiemra, sepse nuk bëhej fjalë thjesht për Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin. Bëhej fjalë për Shërbimin Informativ të Shtetit në duart e krimit të organizuar. Ka një firmë poshtë emërimit të Vlora Hysenit. Është firma e Edi Ramës. Dhe nga ajo firmë ai e di që nuk shpëton dot”, shkruan Bardhi.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar pas masës së sigurisë ndaj drejtoreshës së SHISH-it dhe kontrolleve ndaj ish-kryepolicit Ilir Proda. Ajo akuzon kryeministrin Edi Rama se ka lejuar kapjen e institucioneve shtetërore dhe kërkon largimin e tij.
“Kjo qeverisje ka kriminalizuar çdo hallkë të shtetit. Grupi i strukturuar kriminal në dosjen e AKSHI-t po dëshmon sërish, kapjen e institucioneve shtetërore. Sot, shefja e Shërbimit Sekret Shqiptar është nën arrest në kuadër të hetimeve për lidhjet me Ergys Agasin, ndërsa ndaj ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit po ushtrohet kontroll.
Kur figurat që duhet të jenë garantët e ligjit dhe të sigurisë kombëtare përfshihen në hetime penale, alarmi është kombëtar. Skema e AKSHI-t, njësoj si ajo e inceneratorëve dhe çdo afere tjetër kriminale ka funksionuar me bekimim e Edi Ramës, ndaj kërkon përgjegjësi dhe hetim deri në fund. Sot, siguria kombëtare është në emergjencë. Largimi i Edi Ramës është jetik për vendin“, shkruan Erisa Xhixho.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas operacionit të SPAK ku u caktua masë sigurie për drejtoreshën e SHISH Vlora Hyseni, duke akuzuar qeverinë për kapjen e institucioneve nga mafia. Ai e cilëson largimin e kryeministrit Edi Rama një “emergjencë kombëtare”.
“Shporrja e Edi Ramës është më shumë se kurrë emergjencë kombëtare. Shteti ka rënë! Siguria kombëtare ka rënë! SHISH dhe Policia në duart e Gysit dhe Mbrojtja në duart e Ronit është zyrtarizim i kapjes së shtetit në çdo qelizë nga mafia! Skandal i përmasave të jashtëzakonshme që kërkon reagim të fuqishëm kombëtar! Mafia ka sot shtetin e vet, por shteti duhet t'u kthehet shqiptarëve! Me çdo çmim”, shkruan Blushi.
-
Pasqyrono komentet?
Përgjigju -
Po dilni e flisni ju sali e PD te gjithe qe jeni tradhetaret me te medhenje te kombit turp tu vi shteti te veproj dhe drejtesia
Përgjigju










Komente
Komento