GJKKO nuk e ka në plan të bëjë asnjë hap pas nga rregullorja censuruese. Pasi futi në fuqi një sërë rregullash që kufizojnë transparencën dhe punën e gazetarëve, nga ndalimi i telefonave, kamerave, deri te prania e tyre me rotacion nëse në sallë s’do të ketë vende, tashmë, siç edhe kishte paralajmëruar, Gjykata e Posaçme ka mbyllur edhe grupin në WhatsApp ku shpërndaheshin informacionet për mediat dhe gazetarët që mbulojnë GJKKO-në. Nga grupi janë larguar të paktën 60 anëtarë, gazetarë dhe përfaqësues te të gjitha mediave në Shqipëri.
GJKKO ka lajmëruar se do të hapë një tjetër grup në WhatsApp, në të cilin do të bëhen pjesë vetëm gazetarët e akredituar. Por kjo e vështirëson më shumë punën e gazetarëve, të cilët tashmë nuk do t’i marrin në kohë reale njoftimet, aq më tepër që deri më tani shumica e gazetarëve që mbulojnë GJKKO-në kanë refuzuar të akreditohen për të ndjekur seancat gjyqësore. Për tu njohur me njoftimet për shtyp të Gjykatës së Posaçme, gazetarët do duhet të kontrollojnë në website-in zyrtar.
Por çfarë parashikon akreditimi që gazetarët kanë refuzuar?
Për t’u akredituar, gazetari duhet të plotësojë një formular me të dhëna personale dhe profesionale, të paraqesë dokumente që vërtetojnë marrëdhënien e punës me median përkatëse dhe kartën e shtypit. Krahas formularit, duhet të firmosë edhe një deklaratë përmes së cilës angazhohet të respektojë rregullat e vendosura nga Gjykata.
Me firmën e tyre, GJKKO i detyron gazetarët të pranojnë ndër të tjera të mos filmojnë apo fotografojnë, të mos përdorë celularin apo laptopin gjatë seancës, qoftë edhe për të përcjellë informacionin në redaksi.
Rregullorja e re që ka hyrë në fuqi më 1 shtator është kundërshtuar ashpër nga gazetarët dhe shoqatat brenda dhe jashtë vendit, të cilët i kanë kërkuar GJKKO-së ta pezullojë dhe të nisë procesin e konsultimit. Të revoltuar janë edhe avokatët, të cilëve po ashtu u ndalohet përdorimi i celularit në gjyqe, dhe nisur nga kjo masë kanë vendosur bojkot pa afat të gjyqeve në GJKKO.







Komente
Komento