Gjyqtarja e Posaçme Etleva Deda rrëzoi kërkesën e Ilir Metës, që seancat gjyqësore ndaj tij të transmetohen drejtpërdrejt nga mediat, vendim që nga mbrojtja u vlerësua në shkelje të hapur të Kushtetutës.
Pedagogu Ervis Çela i ftuar sot në ‘Studio Live’ nën moderimin e Ermal Qorit tha se vlerën më të madhe seancat e kanë kur janë publike, duke qenë se edhe publiku shikon se drejtësia në vend zbatohet. Gjatë fjalës së tij ai theksoi se është gjykata ajo që vendos nëse një seancë gjyqësore do të zhvillohet e hapur ose jo.
“Momenti i parë është ai procesit hetimor, që do të thotë se nëse gjatë zhvillimit të hetimeve dhe pritshmërisë që ka organi i akuzës për mbledhjen e provave dhe 'frikës’ ndaj intimidimit të dëshmitarëve apo prishjes së provave, mund të rezervojë që hetimi të jetë i mbyllur.
Kur hetimet mbyllen dosja kalon në dosje gjyqësore. Neni 339 dhe 340 përcakton publicitetin e seancave gjyqësore që të jenë publike, që publiku të shohin si zbatohet drejtësia. Megjithatë kemi edhe përjashtime kur nuk lejohen seancat publike siç janë ato për të miturit apo personat që kanë një status të veçantë në zhvillimim e atij procesi.
Në të gjitha rastet duhet të kemi një kërkesë nga organi i akuzës. Nëse organi i akuzës argumenton se dëshmitarët mund të ndikohen nga kjo seancë publike ata i parashtrojnë me kërkesë gjykatës. Gjykata vendos nëse seanca bëhet me dyer të mbylluara apo të hapura. Vlerën më të madhe seancat e kanë kur janë publike”, tha Ervis Çela.
Ndërkohë deputeti Redi Muçi thotë se çdo politikan i shfrytëzon seancat e tij gjyqësore si një arenë për të dhënë mesazhe politike.
“Gjithë diskursi i fundit është lidhur me problemin e paraburgimeve. Problemi që ka drejtësia është mungesa e gjyqtarëve që ta çojë përpara procesin e një gjyqi. Problemi që konstatojmë ne është ai i afateve të parashkrimit. Akuzat që lidhen me korrupsionin variojnë 5-10 vjet dhe sa më gjatë të mbahen në paraburgim ato fshihen.
Ne si ‘Lëvizja Bashkë’ kemi ndërmarrë një fushatë ku kërkojmë ndryshime në kodin penal. Çdo politikan e shfrytëzon gjyqin e tij si një arenë për të dhënë mesazhe politike dhe për të fituar simpatinë e mbështeteësve të tij. Kushdo aty do të bëjë gjyqin e shekullit”, tha Muçi.
Nga ana tjetër Çela nënvizon se çështje të tilla si përshembull ajo e ish-presidentit Meta sjellin mjaft debate në shoqërinë tonë.
“Kur çështje të tilla realizojnë një debat gjyqësor në seancë që zgjat me orë të tëra imagjino të bëheshin publike, çfarë debatesh do të sillnin në shoqëri. Ne kemi parë që ka kërkesa nga njerëz të ndryshëm si për dosjen ‘Balluku’ që kërkojnë të publikojnë”, tha ai teksa thekon se kjo është një e drejtë e qytetarëve.
Ndërkohë Muçi sjell në SPAK dhe puna që është bërë veçanërisht kur në krye ishte Altin Dumani.
“Deri në këtë moment që flasim nuk mund të mohojmë punën që ka bërë SPAK, kundër konceptit të paprekshmërisë së disa figurave politike veçanërisht puna që ka bërë Dumani. Megjithatë unë pres lëvizjet e radhës nga SPAK-u. Ne e mbështesim reformën në drejtësi pavarësisht disa rezerva që kemi”, tha Muçi.
Komente










