Tirana kryeson kampionatin së bashku me Kukësin, por të dielën e pret një sfidë shumë e vështirë në derbi përballë Partizanit. Një sfidë që bardheblutë nuk e fitojnë prej gati 6 vitesh, por që sipas Ernest Gjokës, ish-trajnerit të shumë skuadrave në Shqipëri, ka shumë gjasa ta bëjë të dielën.
“Nëqoftëse Tirana do të di të sillet në fushë, nëqoftëse Tirana nuk do ta kërkojë fitoren me patjetër, me këmbëngulje, me dëshirë, që është edhe një kompent i strategjisë, mund ta fitojë derbin. Po për tia arritur qëllimit duhet shumë durim, duhet vullnet i hekurt, disiplinë taktike. Gjithashtu duhet edhe cilësia që Tirana e ka. Nëqoftëse Tirana të gjithë këta komponentë do të di ti përcjellë në fushë mund ta fitojë derbin pasi ka përballë një Partizan që nuk është akoma aty ku duhet.”
I pyetur nëse trajneri i Partizanit Franco Lerda rrezikon shkarkimin në rast se humbet derbin Gjoka përgjigjet:
“E kam thënë, e them dhe e përsëris se ne trajnerët duhet të rrimë gjithmonë me çantën gati, sepse ku ti merr një risk, duke drejtuar ekipe si Partizani, Tirana, Kukësi, Teuta, këto ekipe që pretendojnë të dalin patjetër kampion, duhet ta pyesësh veten mirë. Nëqoftëse nuk ke ecuri, absolutisht dihet që edhe mund të ikësh.”
Gjoka komentoi gjithashtu edhe situatën e Flamurtarit, një ekip të cilin ai e ka drejtuar dhe që këtë sezon ka marrë vetëm 1 pikë në 5 ndeshjet e para.
“Fillimi është shumë I vështirë, Flamurtari ka probleme të mëdhaj, skuadra është e ribërë në momentet e fundit dhe lojtarët janë pa gjendje fizike. Gjithashtu ata janë edhe shumë të rinj, duhet një kohë për t’u njohur me njëri-tjetrin, duhet një kohë për të përcjellë një filozofi lojë. Kështu që po rrezikon dhe po rrezikon shumë.”
Ndër të tjera trajneri Gjoka u shpreh se garën për titull këtë sezon e pret ndërmjet katër skuadrave, Tiranës, Kukësit, Partizanit dhe Teutës.