Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka akuzuar PD dhe LSI se po paguan të miturit  për të nxitur akte të dhunshme në protesta. Gjonaj ka dënuar dhunën në protesta duke thënë se opozita nuk mund të vijë në pushtet duke përdorur fëmijët për akte të tilla të dhunës e shkatërrimit. Gjatë një interviste për Report Tv, Ministrja Gonaj shtoi se qeveria mori përgjegjësi morale dhe tregoi se është e ndryshme nga qeveria "Berisha", pasi nuk i dha mbrojtje efektivit që vrau por ia dorëzoi drejtësisë, ndryshe nga Berisha  që mbrojti gardistët që vranë 4 protestues të pafajshëm në 21 janar. Në lidhje me dorëheqjen e  Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, Gjonaj tha se ai nuk kishte asnjë përgjegjësi ligjore për aktin e policit që vrau Klodjan Rashën, por se akti i tij ishte thjeshtë përgjegjësi morale.

Gjonaj foli edhe për shkatërrimin e selisë së PS në Shkodër një ditë më parë duke thënë se këto akte janë nxitur nga kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi. Gjonaj tha se policia e prokuroria do të përdor të gjitha materialet filmike gjatë protestës për të identifikuar organizatorët apo nxitësit e dhunës dhe t'i vendosë ata para drejtësisë, të cilët me ligj dënohen deri në 4 vite burg për nxitje të  fëmijëve për akte dhune në protesta.

Gjonaj vlerësoi rolin e policisë në protesta duke thënë se po kryen punën sipas standardeve ndërkombëtare. Ajo u bëri apel prindërve të kenë kujdes për fëmijët dhe të mos i lejojnë të keqpërdoren nga subjekte politike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:03
Gjonaj: Kush nxit të miturit për akte dhune në protesta, dënohet deri në 4 vjet burg

Duke iu referuar prezencës së kryebashkiakes Voltana Ademi në protestat e djeshme në Shkodër, Ministrja Etilda Gjonaj deklaroi se ata persona që nxisin të miturit për akte dhune dënohen deri në 4 vite burg.

"Sot vëmë re se kemi një protestë të dhunshme. Nuk meriton të konsiderohet protestë përsa kohë që lidhet me aktet e dhunës. Të miturit janë nxitur nga segmente politike të PD-së dhe LSI-së. Janë përdorur nga subjekte politikë duke qenë dhe vetë prezent në protestë sikur ishte dhe rasti i Shkodrës. Të gjithë personat që nxisin akte të ndryshme penale përmes të miturve nën 14 vjeç dënohen deri më 4 vite burg. Kjo është një fatqetësi shumë e madhe sidomos nga ato parti që flasin shumë për të rinjtë, se si këto largohen dhe se duhet të kenë më shumë vëmendje, por nga ana tjetër i përdorin" - tha Gjonaj.

Ora 13:58
Ministri i ri i Brendshëm? Gjonaj: Është në dorën e kryeministrit, do vendoset në ditët në vijim

E pyetur për emrin e ri që do të vendoset në krye të Ministrisë së Brendshme, Gjonaj tha se është përgjegjësi e kryeministrit dhe do të vendoset në ditët në vijim por pa zbuluar asnjë emrë konkret.

"Protestat në çdo rast janë një mekanizëm i demokracisë por kur këto janë të paqta. Në shumë raste kur kemi pasur protesta, qeveria ka reflektuar, siç është rasti i studentëve. Kishte një anë humane nga protesta në Durrës. Njerëzit duan pak qetësi dhe solidaritet në këto momente. Fëmijët tanë kanë kaluar një vit shumë të vështirë. Ata nuk duhet të shohin akte dhune në televizor. Mendoj që zgjedhja e ministrit të ri është një përgjegjësi i kryeministrit. Do të jetë ai që në momentin që do ketë të gatshëm një emër dhe besoj se do jetë i gatshëm në ditët në vijim" - tha Gjonaj.

Ora 13:55
Gjonaj: Janë regjistruar me zë e figurë aktorë të PD e LSI që udhëheqin protestat

Lidhur me organizatorët e kësaj proteste, ministrja Gjonaj deklaroi se nuk ka mundësi që fëmijët e mitur të mblidhen me vendimin e tyre për të protestuar. Duke hedhur dhe njëherë akuza ndaj PD e LSI si orkestrues të këtyre akteve të dhunës, Gjonaj u shpreh se shumë aktorë të këtyre partive janë regjistruar me zë e figurë në krye të protestave.

"Absolutisht. Si ministri i drejtësisë, si kryeministri e çdo qytetar duhet tja lëj në dorë organeve të drejtësisë. Jam prekur nga letra e shkruar nga babai i Klodjan Rashës. Protestat e dhunshme nuk do të japin drejtësi për 25-vjeçarin. Deklaratat e faktorit ndërkombëtar, ambasadorëve i kanë dhënë qartësisht se protestat janë mekanizëm i rëndësishëm për demokracinë por kur kthehen të dhunshme janë të paligjshme. Ato i janë drejtuar partive politike të distancohen nga dhuna në protesta. Policia do të kryejë punën e tyre. Do të duhet të menaxhojnë situatën që këto protesta të zbehen. Kemi rolin si shoqëri tu bëjmë thirrje prindërve të të miturve që të kontrollojnë fëmijët e tyre që po përdoren politikisht.

Të gjithë duhet të kemi mundësinë tu bëjmë thirrje organizatorëve që të shmangin aktet e dhunës. Ne kemi parë eksponentë të partive politike që kanë qenë pjesë e këtyre protestave. Prokuroria duhet të hetojë se kush qëndron pas protestave të të miturve. Ata nuk e kanë idenë as se çfarë po kryejnë. Pamjet me figurë e zë dëshmojnë se kanë qenë aktorë politikë të PD-së dhe LSI-së. Nuk besoj që dikush mendon se Voltana Ademi nuk ishte në protestë kur e kemi me zë e figurë. Nuk pres që kryebashkiakja të marrë gurë të godasë në protestë" - tha Gjonaj.

Ora 13:48
Dorëheqja e Lleshjat/ Gjonaj: Ishte akt moral, por nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për aktin e policit që vrau

Ministrja Etilda Gjonaj tha se akti i dorëheqjes së Sandër Lleshaj nga Ministër i Brendshëm tha se ishte një akt dhe përgjegjësi morale, por se ai nuk kishte asnjë përgjegjësi ligjore për aktin e policit që vrau të riun Klodjan Rasha.

"Ministri i Brendshëm nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për aktet e një efektivi, ai nuk i dha urdhër për të qëlluar. Ministri dha dorëheqjen pas një përgjegjësie morale dhe ky është një akt i mjaftueshëm. Nuk e kuptoj pse duhet të kërkojnë dorëheqjen e drejtorit të policisë. Protesta kërkon drejtësi për vrasjen e Klodjan Rashës dhe këtë do e jap drejtësia, është në dorë të saj çështja. Nuk e kuptoj dhunën  në protesta", tha Gjonaj

 

Ora 13:39
Gjonaj: Fatkeqësisht që Voltana Ademi nxit të miturit për akte dhune

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gonaj tha se është e papranueshme dhe fatkeqësi se si kryerja e Bashkisë, duke iu referuar Voltana Ademit të nxisin të miturit për dhunë.

"Është shumë e vështirë për të rehabilituar të mitur që kanë kryer vepra penale dhe sot opozita i nxit të kryej akte të dhunshme. Është një fatkeqësi ku një drejtues si kryetar bashkie të nxisë të miturit të kryej këto akte. Të miturit janë tërësisht të paorganizuar në mënyrën si i kryejnë aktet e dhunës dhe po dëmtojnë edhe qytetarët e tjerë, jo vetëm policisë", tha Gjonaj

Ora 13:35
Gjonaj në Report Tv: PD e LSI nxitëse për protestat! Voltana Ademi duhet të mbajë përgjegjësinë e saj si kryebashkiake

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në një intervistë për Report Tv foli mbi situatën e krijuar në vend nga protestat e dhunshme gjatë ditëve të fundit. Ajo e ka dënuar përdorimin e fëmijëve të mitur në protesta të tilla madje duke akuzuar partitë opozitare PD e LSI si nxitëse të tyre.

"Në rastin konkret është një akt individual. Në ndryshim nga 21 janari ku u urdhërua vrasja e 4 qytetarëve. Qeveria nuk i ka dhënë mbrojtje këtij efektivi të policisë. Janë organet e drejtësisë që duhet të nxjerrin e përgjegjësisë së policit. Nga protestat kërkohet drejtësi por nuk mund të ketë një vendim të menjëhershëm për këtë efektiv. Besoj se në këtë ngjarje, vetë qeveria nuk hidhte baltë në drejtësi siç nodhi më 21 janar. Ne nuk jemi si Sali Berisha që mbrojti gaditstët e 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 persona. Ne kemi kërkuar të bëhet një hetim. Sot vëmë re se kemi një protestë të dhunshme. Nuk meriton të konsiderohet protestë përsa kohë që lidhet me aktet e dhunës. Të miturit janë nxitur nga segmente politike të PD-së dhe LSI-së. Janë përdorur nga subjekte politikë duke qenë dhe vetë prezent në protestë sikur ishte dhe rasti i Shkodrës. Të gjithë personat që nxisin akte të ndryshme penale përmes të miturve nën 14 vjeç dënohen deri më 4 vite burg.

Kjo është një fatqetësi shumë e madhe sidomos nga ato parti që flasin shumë për të rinjtë, se si këto largohen dhe se duhet të kenë më shumë vëmendje, por nga ana tjetër i përdorin. Prindërit duhet të kenë kujdes që fëmijët të mos përdoren nga politika. Rasti i Shkodrës, Voltana Ademi ka qenë vetë në protestë. Përpara se drejtuesit e institucioneve të marrin pjesë në këto protesta duhet të marrin parasysh përgjegjësitë e tyre ligjore dhe morale. Ndjej një keqardhje që për atë politikë që po ndërtojmë për të ndaluar të miturit të shkojnë në rrugën e krimit, e shohim që këto lëkunden nga parti politike që duan të marrin drejtimin e vendit. Opozita nuk vjen në pushtet duke përdorur fëmijët" - tha Gjonaj.