Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha pret ambasadorin e ri të Irlandës, Noel Kilkenny
TIRANË, 6 Mars/ATSH/.- Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha priti sot në një takim, Ambasadorin e ri të Irlandës në vendin tonë, Noel Kilkenny.
Zyra e shtypit e MIE-s bëri të ditur se bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Ministrja Gjosha e informoi z. Kilkenny për masat që po ndërmerr qeveria shqiptare për të avancuar me axhendën europiane, duke nënvizuar se fokusi i momentit është përmbushja e 5 prioriteteve që Shqipërisë i janë lënë nga Bashkimi Europian.
Ambasadori Kilkenny vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së, duke nënvizuar se është me shumë rëndësi që integrimi të jetë një qëllim kombëtar i përbashkët dhe e gjithë shoqëria shqiptare të punojë në funksion të këtij qëllimi.
Ministrja Gjosha u shpreh se, pjesa më e madhe e shqiptarëve janë mbështetës të procesit të integrimit dhe kjo për çdo qeveri është forca shtytëse për të bërë maksimumin në mënyrë që të realizohen reformat që i shërbejnë të ardhmes së vendit.
"Ne kemi një objektiv të qartë dhe jemi të gjithë të angazhuar që ta arrijmë këtë objektiv. Shqipëria sheh vetëm një të ardhme dhe kjo është të jetë sa më shpejt pjesë e Europës së bashkuar, e cila do të ishte e paplotë pa Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor", tha Ministrja Gjosha./m.m/