Gjuha e urrejtjes është demode’

Gjuha e urrejtjes është demode’

Gjuha e urrejtjes, agresiviteti, shpifjet, sharjet, fokusimi i të keqes do t’i përkasin të shkuarës, nuk kanë vend në të ardhmen. Fëmijët nuk e njohin urrejtjen, imitojnë të rriturit që kanë përreth dhe më pas harrojnë pastërtinë dhe paqen që sollën sa ishin vogëlushë e janë përherë e më shumë pasqyra e të rriturve derisa bëhen të mëdhenj edhe ata.

Por të rriturit, dalëngadalë, nga një qytet në tjetrin, nga një shtet në tjetrin, nga një kontinent në tjetrin do të ndryshojnë duke mësuar se fjalët e rënda e primitive i përkasin një niveli zhvillimi primitiv. Pas dallgës së madhe të populizmit, nacionalizmit, racizmit, të shpërndarë nga shumë liderë botërorë në politika qeverisëse, por sidomos në rrjete sociale, tendenca do të ndryshojë. Shohim Italinë, fqinjën tonë: Surpriza e aleancave të reja politike ka sjellë një këndvështrim të ri e synime të ndryshme nga ato që ishim mësuar të dëgjonim deri tani: “Gjuha jonë do të jetë e butë”, tha kryeministri Giuseppe Conte, “…dhe sjellja jonë në rrjete sociale do të jetë e përmbajtur”. Falenderoi presidentin italian Mattarella, i cili deri në sekondat e fundit u përpoq të zgjidhte krizën në të mirën e Italisë dhe italianëve; fjala e tij në Parlament ishte një refren i qëllimeve të mira dhe veprimeve të mira.

Agresiviteti nuk do të jetë më në modë. Edhe në rrjetet sociale njerëzit spostohen gjithnjë e më shumë drejt platformave që nuk lejojnë urrejtjen dhe shpërndarjen e saj të pakuptimtë. Njerëzit kërkojnë të ngjashmit e tyre, dëshirojnë të flasin, të bisedojnë me gjuhën e logjikës dhe të zgjuarsisë për të cilën njerëzimi ka sakrifikuar kaq shumë. Agresiviteti dhe urrejtja na çojnë të gjithëve bashkë në epoka të errëta që askush nuk do të dontë të riktheheshin mes nesh. A do të donim të ishim në Mesjetë mes kryqëzatash e inkuizitorësh, apo në famëkeqet luftëra botërore? Apo në ligjet raciale e diskriminuese të dinjiteteve njerëzore? Gjuha e urrejtjes na kujton vetëm ato kohë të errëta të njerëzimit, ndërsa logjika, zgjuarsia, arti, natyra e shtyjnë njeriun të shohë nga drita dhe e mira: nga evolucioni e përmirësimi. Gjuha e urrejtjes u flet instikteve njerëzore, ndërsa ajo e paqes dhe e dashurisë komunikon me zemrën e logjikën konstruktive dhe krijuese të një bote më të mirë. Për të gjithë.

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës