Ambasadorja Yuri Kim, si të ishte ndër shqiptaret më të mira

Ambasadorja Yuri Kim, si të ishte ndër shqiptaret më të mira

Ambasadorja e SHBA Yuri Kim

Eshtë mbresëlënëse të shohësh këtë diplomate me trup të imët e me tipare të mprehta, të lëvizë nga jugu në veri të Shqipërisë kaq natyrshëm e miqësisht, si të ishte në rrugët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo të Koresë së Jugut, vendi i bukur i të parëve të saj. Nuk e kompleksojnë shigjetat e helmëta që vetëm ne ballkanasit dimë t’i prodhojmë kur dikush nuk na shkon për shtat me lajka e hosanara, e nuk do t’ja dijë për “gatimet” nëpër studio të çuditshme trafikantësh, portale të ngritura si kërpudha helmuese pas shiut të fortë të korrupsionit dhe të ilegalitetit në Shqipëri. Arrijmë të bëhemi edhe racistë, si racistët më të këqinj kur dikush, sidomos një i huaj “guxon” të na vendosë pasqyrën në fytyrë e të na tregojë gjerat që nuk shkojnë. Por Yuri Kim nuk ndalon, si të ishte një shqiptare plot guxim. Jo se nuk e kanë bërë këtë gjë ambasadorë të tjerë amerikanë, por gjithësesi, kanë arritur deri në një pikë. Në atë pikë që pastaj na ka lënë të vetëm përballë atyre që Mafian nuk e kishin përballë Shtetit, por e bënë Shtet në Shqipëri.

Dhjetëra e dhjetëra gazetarë, politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile në Shqipëri, edhe sot e kësaj dite kur Sali Berisha e familja e tij kanë damkën më të rëndë politike dhe morale, zyrtare në kurriz (“Non Grata” nga SHBA-të), nuk guxojnë të artikulojnë, të pyesin as Sali Berishën, as Ilir Metën e të tjerë politikanë shqiptarë: Si krijuat këtë luks të shfrenuar në sy të të gjithëve, cila logjikë financiare e ligjore shpjegon dhjetëra e dhjetëra pasuri, jetë prej sheikësh që bëni ju dhe familja juaj në dritë të diellit, pa pasur nevojë as t’i fshihni sa për sy e faqe, në vendin më të varfër të Europës? Si arritët të infektonit me njerëzit tuaj më servilë e të paaftë jo vetëm Drejtësinë, por të gjitha shtyllat jetike të shoqërisë shqiptare: arsimin, shëndetësinë, e mbarë ekonominë? Një infeksion që ju bëri të rrini të qetë e të tregoni pafytyrësisht se çfarë keni ju dhe familjarët tuaj janë “trashëgimi” gjyshërish, vjehrrash e kunetërish.

E ndërsa të korruptuarit moralisht e ligjërisht vazhdojnë të prodhojnë atë që për dhjetëra vite kanë ditur të prodhonin, kjo diplomate amerikane sheh pa u frikësuar aty ku dëshiron ta shohë Shqipërinë, duke kuptuar se ku duan ta shohin shqiptarët e mirë: Pa këta politikanë që si oktapodë me shumë tentakula po i merrnin frymën Shqipërisë e përpëliten ende ta bëjnë.

Dihet, amerikanët nuk janë aq diplomatë sa europianët, por ishte pikërisht kjo që më në fund i duhej Shqipërisë: Një vendosmëri për të çuar deri në realizim një Reformë në Drejtësi. Nuk është perfekte? Janë bërë gabime? Po e a kujtojmë se ku ishim vetëm para pak vitesh? Kur viktimat shkonin të denonconin dhe dhunuesit i telefononin se: “Prokurori, policia, gjykatësi është në shërbimin tim!” Përballë fundit të fundit ku po shkonim, ky rrugëtim për të pasur institucione më dinjitoze është një fillim që më pas mund të shkojë në duar më të pastra shqiptarësh. Në duar të atyre të rinjve që nga Tropoja në Përmet, ëndërrojnë të bëhen gjykatës e prokurorë e të vendosin drejtësi. Drejtësi për prindërit e flakur nga puna, për nënat e pambrojtura, për motrat e trafikuara, për fëmijët e dhunuar, për qytetarët e vrarë e të mbetur pa më të voglin shpagim, sepse Shteti i këtyre politikanëve, që sot gjejnë ende forcë të mbledhin më të keqen, ishte Shteti i mafiozëve më të uritur e të etur, të veshur me kostumin politik.

 

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vehbi: 23/11/2021 13:17

    Terheq vemendjen kjo pjesa e telefonates. Ajo njesoj behet edhe sot. Polici' prokurori dhe gjykate me e korruptuar dhe me nen kontroll jo tamam partiak' se partite nuk ekzistojne me' por nen kontroll te nje lloj organizimi politiko-mafioz. Sipas stines' kur ishte Berisha' nen kontrollin e tij' sot ne te Rames. Duket si ajo kenga e F. NDOCIT me nje non grata nul behet drejtesia.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta