Procesi i themelimit të një gjykate që do të trajtojë krimet e dyshuara të luftës në Kosovë është i pandalshëm. Deshëm a nuk deshëm ne. Kështu na tha, pak ditë më parë, ndër sy, njëri prej drejtuesve të njërit prej misioneve ndërkombëtare këtu, i cili, po ashtu, me dashamirësinë e një vendi mik prej nga vinte na sugjeroi ta përkrahim, pra që ta votojmë.

Të gjendur përballë kësaj situate, këtij akti të kryer, institucionet tona nuk kanë më shumë se një rrugë për të ndjekur. Anëtarët e legjislativit dhe të ekzekutivit kosovar do të bëhen patjetër pjesë e aktit të themelimit të gjykatës (nëse këtë ua kërkon ndokush!), ose veç ta mbështesin atë deklarativisht. Një rrugë tjetër, ajo e kundërshtimit ose e mospajtimit, vetëm sa do të theksonte një të vërtetë të madhe – atë se për disa çështje, sikur kjo puna e kësaj gjykate, nuk i pyet askush. Prandaj, nga këtu mund të kuptohet pse do të përkrahet themelimi dhe veprimtaria e gjykatës. Pra, arsyeja është se këta tanët duan të ndihen faktorë, se janë “në lojë”.

Mirëpo, dhënia e pëlqimit për gjykatën ka edhe anën e vet negative. Liderët tanë po e pranojnë publikisht se kemi institucione të brishta, ndonëse gjoksin e kanë bërë gropë nga rrahagjoksjet për përmirësimin e funksionimit të gjyqësorit. Pra, gjykata (e huaj) për krimet e luftës është një dëshmi se besueshmëria e ndërkombëtarëve në institucionet tona të drejtësisë po del të jetë rreth zeros.

Dorën në zemër, krijimi i një gjykate të tillë (fushëveprimtaria e të cilës nuk dihet ende me saktësi), do të ishte mëse i mirëseardhur. Ndonëse me shumë të drejtë po shihet me sy të keq për shkak të fjalëve se do të merret vetëm me krimet e supozuara të luftëtarëve të UÇK-së, gjykata me gjyqtarë kryesisht ose krejtësisht ndërkombëtarë do të ndikojë, të shpresojmë, në mbylljen e disa plagëve të luftës dhe të periudhës fare mbas saj. Sepse, shpesh është folur për raste të asaj kohe kur persona të ndryshëm kanë marrë rolin të prokurorit, gjyqtarit dhe të xhelatit. Dhe, pothuaj askush nuk është mbajtur përgjegjës.

Një rast të tillë na ka sjellë tash rishtazi në kujtesë një deputet i partisë në pushtet. “Gratë thoshin se nuk kishte asgjë më kiamet se t'i dëgjosh burrat kah bërtasin prej goditjeve”, shkruan ai në kujtimet e tij të bëra publike në një portal informativ, teksa rrëfen për “brutalitetin” e ushtruar sipas tij ndaj nja 50 burrave të fshatit, nën dritat e traktorëve një natë prilli 1998 nga “ata që thirreshin në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Deputeti e ka treguar këtë histori që mund të jetë e butë në krahasim me ato që mund të kenë përjetuar të tjerët, e të cilët për dallim prej tij ose nuk kanë guxim ose nuk janë më në mesin tonë.

Po ashtu, nuk ka asnjë dyshim se ata që do t’i gëzohen më së shumti krijimit të kësaj gjykate speciale janë gjykatësit e prokurorët vendorë. Mjafton që nuk do të kenë mbi supe rëndesën se do të akuzojnë e gjykojnë ata që “nuk i kap ligji”, ata që janë “të fortë’, ose që janë bërë të tillë nga milionat që ia plaçkitën popullit. Krijimi i kësaj gjykate, me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë, do të ketë efekt mjekues për këta tanët, të cilët sa herë u binin në dorë dosje “heronjsh” sëmureshin, zakonisht nga diarreja.

Përfundimisht, opinioni kosovar duhet ta përkrahë një gjykatë të tillë edhe për faktin se në rrugën tonë të integrimeve evropiane, të cilën e synojmë të gjithë, s’do të mund të na akuzojnë, sikur tashti, për dështim të sistemit të drejtësisë. Në rast se do të dështojmë sërish, faji s’do të jetë i yni.

Marrë nga "Zëri"