Një baba 32-vjeçar nga Fieri zhfrytëzonte dy fëmijët e tij të mitur për të lypur para, tek njerëzit që shikonin ndeshjet sportive të kampionatit europian, në vendin e quajtur “Tirana Fan Zone”. 32-vjeçari kishte udhëtuar nga fshati Drizë i Fierit, së bashku me dy fëmijët e tij të mitur.

Ai priste grumbullimin e sportdashësve dhe fansave të futbollit që mblidheshin në “Tirana Fan Zone”, dhe më pas urdhëronte dy fëmijët e tij të shkonin tavolinë më tavolinë për të lypur para. Ndërkohë në distancë ndiqte të gjitha lëvizjet e tyre dhe lekë që ata grumbullonin, ua merrte ai.

Për këtë veprim, 32-vjeçari është arrestuar nga policia bashkiake dhe më pas është dënuar nga gjykata me 1 vit e 2 muaj burg, por ky dënim është konvertuar me dy vjet shërbim prove, duke mos lejuar të riun që të kryejë vepër tjetër penale. Gjatë gjykimit rezultoi e provuar se, i pandehuri V.N. banon në qytetin e Fierit, së bashku me familjen e tij të përbërë nga bashkëshortja S.N dhe dy fëmijët të mitur të quajtur J. dhe K. N.

Në datën 18 qershor 2016, i pandehuri ka ardhur në qytetin e Tiranës së bashku me nënën e tij V. dhe djalin e tij J. Fillimisht kanë takuar bashkëshorten dhe vajzën e tij, të cilët kishin ardhur para disa kohësh në Tiranë. Mbasditen e datës 19 qershor 2016, i pandehuri ka marrë dy fëmijët e tij dhe së bashku kanë dalë tek sheshi “Nënë Tereza”, duke i detyruar ata që të lypin lek personave që ishin ulur nëpër tavolina duke parë sportin apo personave që vinin për të parë ndeshjet e futbollit të kampionatit Europian që zhvillohej në Francë.

Mirëpo rreth orës 19:30, shtetaset E.Ismajlgeci dhe D.Hoxha me detyrë punonjëse në Qëndrën Sociale pranë Bashkisë Tiranë, kanë shkuar në ambientet e sheshit “Nënë Tereza”, në zbatim të detyrës së tyre funksionale, mbi bazën e një plani kaledarik për identifikim të fëmijve në situatë në rrugë.

Në momentin që ato ndodheshin në sheshin “Nënë Tereza”, kanë vënë re fëmijën e mitur J.N, i cili lypte nëpër tavolinat e vendosura nga Bashkia e Tiranës. Mbasi kanë marrë kontakt me fëmijën, e kanë vënë në dijeni të faktit përse ndodheshin atje dhe i kanë kërkuar të tregonte nëse ishte vetëm apo i shoqëruar me familjarët e tij. Fëmija J,N. u ka thënë se quhej “Andrea Muharemi”, me moshë 7 vjeç, nga qyteti i Fierit dhe se ishte i shoqëruar me babain e tij.

Ndërkohë që vetë babai i fëmijës i pandehuri V.N., mbasi është kontaktuar nga punonjëset e bashkisë, u është prezantuar me emrin “Kosta Basha”. Mandje, me kërkesë të punonjëseve të Bashkisë, i pandehuri u ka paraqitur kartën e identitetit dhe ato kanë vënë re se ai quhej “V.N” dhe djali i tij quhej “J.N”.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com